Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në tubimin përkujtimor dhe bëri homazhe në 26-vjetorin e Masakrës së Krushës së Vogël

26 Mars, 2025

 

Krushë e Vogël, Prizren, 26 mars 2025

Pas homazheve në Krushë të Madhe, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vazhdoi për në Krushë të Vogël. Aty mori pjesë në tubimin përkujtimor në shënimin e përvjetorit të 26-të të masakrës së Krushës së Vogël, si dhe bëri homazhe pranë varrezave të 113 civilëve të vrarë nga forcat paramilitare serbe.

“Duke u bërë bashkë në këtë vend, ku 26 vite më parë forcat policore e ushtarake të Serbisë kryen mizoritë më çnjerëzore, ne nderojmë kujtimin e 113 të vrarëve, qëndresën heroike të të gjallëve, dhe denoncojmë kryerësit e këtyre krimeve”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ai rikujtoi se 26 vite më parë, Serbia po realizonte projektin e saj të errët e të tmerrshëm serbomadh, duke zbatuar planin famëkeq “Patkoi” për shfarosjen e popullsisë shqiptare vendase në Kosovë, dhe në kuadër të këtij projekti gjenocidal, autoritetet serbe kishin planifikuar si teknikë të dëbimit edhe terrorizimit të popullsisë shqiptare edhe çrrënjosjen e saj nga Kosova, duke kryer vrasje masive të civilëve të pafajshëm e të pambrojtur.

“Këtu në Krushë të Vogël, janë të fuqishme dëshmitë e krimeve të Serbisë. Ndërkaq, gjykimet e dënimet për këto krime janë aq të pakta e të mangëta. Prandaj, është çështje urgjente adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës sepse përderisa këto krime nuk vjetrohen, dëshmitarët e këtyre mizorive, vit pas viti, po plaken e po pakësohen. Përballë një gjenocidi kaq të egër, ka vetëm një përgjigje dinjitoze: të vihet në vend drejtësia si një imperativ moral e universal për çdo viktimë. Masa e krimit atëbotë e detyroi NATO-n të ndërhynte. Nuk mund të mos jepet drejtësia për një masë të tillë krimi”, u shpreh kryeministri.

Teksa u shpreh shumë optimist se për siguri, zhvillim e demokraci po ecim e do të ecim edhe më shpejtë përpara, ai tha se drejtësia ka ngelur prapa, përfshirë këtu në adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Ai veçoi rastin e ish-policit rezervist serb Darko Tasiq, i cili në qershor të vitit 2020 nga Gjykata Themelore në Prizren u dënua me 22 vjet burg për përdhosjen dhe hedhjen e trupave të masakruarve në Krushë të Vogël në lumin Drini i Bardhë, kurse Gjykata e Apelit gjashtë muaj më vonë, ia përgjysmoi dënimin.

“Kushtet e punës i kanë, të ardhurat i kanë të mira, por s’ua jap dot guximin edhe vullnetin. Prokuroria edhe Gjyqësia në këtë kohë kur po bëhen 26 vjet nga çlirimi i Kosovës, e dëshmitarët po plaken e po pakësohen, duhet ta kenë imperativ moral e kombëtar, ta trajtojnë më urgjencë të paparë këtë çështje sepse nuk mbyllen plagët e nuk kemi prehje përderisa kriminelët nuk gjykohen, e nuk ndëshkohen e kjo tashmë mund të bëhet edhe mungesë”, deklaroi kryeministri Kurti në tubimin përkujtimor.

Nga Krusha e Vogël, ai ritheksoi përkushtimin e tij maksimal, jo vetëm për kujtimin e viktimave të luftës, por edhe për studimin e historisë dhe të trashëgimisë së tyre, si dhe angazhimin institucional për adresimin e të gjitha atyre krimeve të Serbisë gjenocidale.

“Deri të nderimi universal i drejtësisë, e drejt ngadhënjimit konkret të drejtësisë, përkujtimi e nderimi shtetëror do të jetë i rregullt e sistematik. Masakrat dhe viktimat janë sa çështje shtetërore e kombëtare e jona, aq edhe e drejtësisë dhe ndjeshmërisë edhe ndërkombëtare, jo vetëm edhe vendore”, shtoi kryeministri.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të vrarët tanë, tha në fund kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani Sadriu,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
E nderuara zëvendëskryeministre, Emilija Rexhepi,
Të nderuar përfaqësues e drejtues të institucioneve shtetërore,
I nderuari Kryetar i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj,
I nderuar Drejtor i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi,
I nderuar Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur,
I nderuari Kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj,
Të nderuar invalidë e veteranë të luftës çlirimtare, shoqatave të dala nga lufta, shoqata të personave të zhdukur me dhunë,
Të dashura nëna dhe familjarë të tjerë të dëshmorëve e martirëve të kombit,
Të nderuar përfaqësues të Komunës, drejtorë e asamblistë të Kuvendit Komunal,
Shumë të dashur banorë të Krushës,
Motra dhe vëllezër,
Zonja dhe zotërinj,

Duke u bërë bashkë në këtë vend, ku 26 vite më parë forcat policore e ushtarake të Serbisë kryen mizoritë më çnjerëzore, ne nderojmë kujtimin e 113 të vrarëve, qëndresën heroike të të gjallëve dhe denoncojmë kryerësit e këtyre krimeve.

Në pranverën e vitit 1999, Serbia po realizonte projektin e saj të errët e të tmerrshëm serbomadh, duke zbatuar atë planin famëkeq të quajtur “Patkoi” për shfarosjen e popullsisë shqiptare vendase në Kosovë.

Në kuadër të këtij projekti gjenocidal, autoritetet serbe kishin planifikuar si teknikë të dëbimit edhe terrorizimit të popullsisë shqiptare edhe çrrënjosjen e saj nga Kosova, duke kryer vrasje masive të civilëve të pafajshëm e të pambrojtur.

Ju jeni dëshmitarë të asaj kohe të tmerrshme lufte, kur Serbia pushtuese armike kreu krime lufte, krime kundër njerëzimit e gjenocid mbi ne, shqiptarët e Kosovës.

Madje, edhe aktivistë të drejtave të njeriut në Beograd, si serbja Natasha Kandiq, e kanë quajtur krimin në Krushë të Vogël, gjenocid.

E këtu në Krushë të Vogël, janë të fuqishme dëshmitë e krimeve të Serbisë. Ndërkaq gjykimet e dënimet për këto krime janë aq të pakta e të mangëta. Prandaj, është çështje urgjente adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës sepse përderisa këto krime nuk vjetrohen, dëshmitarët e këtyre mizorive, vit pas viti, po plaken e po pakësohen.

Përballë një gjenocidi kaq të egër, ka vetëm një përgjigje dinjitoze: të vihet në vend drejtësia si një imperativ moral e universal për çdo viktimë. Masa e krimit atëbotë e detyroi NATO-n të ndërhynte. Nuk mund të mos jepet drejtësia për një masë të tillë krimi.

Me përgjegjësinë më të lartë institucionale e kombëtare, duhet të vazhdojmë me përkushtim adresimin e krimeve të luftës, para drejtësisë dhe para historisë. Të angazhohemi për paqe sot, e për jetë më të mirë të brezave të rinj, për më të vegjlit, e për ata të cilët do të vijnë pas nesh.

Teksa po punojmë për ballafaqimin me të kaluarën, si shtet e si shoqëri, ne po ecim përpara, me përkushtimin tonë të përbashkët për të luftuar padrejtësitë dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë e më të barabartë.

Me këtë qëllim kemi miratuar për herë të parë pas përfundimit të luftës, Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale. Kemi forcuar bazën ligjore dhe kemi rritur kapacitet institucionale për hetime dhe gjykime të krimeve të kryera gjatë luftës.

E për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet, kemi funksionalizuar Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë për dokumentim e hulumtim. Nëpërmjet institucionalizimit të kujtesës sonë kolektive e mbajmë të gjallë kujtimin e më të dashurve tonë të vrarë gjatë luftës dhe dëshmojmë krimet monstruoze të Serbisë gjenocidale në Kosovë.

Të nderuar të pranishëm,

Në qershor të vitit 2020, Gjykata Themelore në Prizren, dënoi me 22 vjet burg ish-policin rezervist serb Darko Tasiq, për përdhosjen dhe hedhjen e trupave të masakruarve në Krushë të Vogël në lumin Drini i Bardhë. Ndërkaq, Gjykata e Apelit, gjashtë muaj më vonë, në dhjetor të vitit 2020 ia përgjysmoi dënimin.

Të dashur banorë të Krushës, dhe të nderuar pjesëmarrës të këtij tubimi përkujtimor,

Unë jam shumë optimist, se për siguri, e për zhvillim, e për demokraci, po ecim e do të ecim edhe më shpejtë përpara. Por, ajo çka na ka ngelë prapa është drejtësia. Drejtësia ka ngelur prapa pothuajse në çdo aspekt, përfshirë këtu adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Kushtet e punës i kanë, të ardhurat i kanë të mira, por s’ua jap dot guximin edhe vullnetin. Prokuroria edhe Gjyqësia në këtë kohë kur po bëhen 26 vjet nga çlirimi i Kosovës, e dëshmitarët po plaken e po pakësohen, duhet ta kenë imperativ moral e kombëtar, ta trajtojnë me urgjencë të paparë këtë çështje sepse nuk mbyllen plagët e nuk kemi prehje përderisa kriminelët nuk gjykohen, e nuk ndëshkohen e kjo tashmë mund të bëhet edhe mungesë.

Nga kujtesa drejt historisë dhe nga denoncimi drejt ndjekjes ligjore, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, ritheksoj përkushtimin tim maksimal, jo vetëm për kujtimin e viktimave të luftës, por edhe për studimin e historisë dhe të trashëgimisë së tyre, si dhe angazhimin institucional për adresimin e të gjitha atyre krimeve të Serbisë gjenocidale.

Deri të nderimi universal i drejtësisë, e drejt ngadhënjimit konkret të drejtësisë, përkujtimi e nderimi shtetëror do të jetë i rregullt e sistematik. Masakrat dhe viktimat janë sa çështje shtetërore e kombëtare e jona, aq edhe e drejtësisë dhe ndjeshmërisë edhe ndërkombëtare, jo vetëm edhe vendore.

Të dashura motra e vëllezër,

Me pikëllim e dhembje kujtojmë humbjen dhe vuajtjet, por njëkohësisht, me përgjegjësi, i mbajmë lart në prioritetet e ekzekutivit tonë, për drejtësi e për rehabilitim. Si institucione e si qytetarë të Republikës, po angazhohemi bashkë për Republikën tonë, ashtu siç kanë qenë gjithmonë idealet e dëshmorëve e martirëve të kombit, e ashtu siç janë dëshirat e rinisë, nevojat e popullsisë, e ëndrrat e fëmijëve tanë.

Me zemrat e mbushura plot dashuri, respekt dhe krenari, përkulemi sot para kujtimit të të gjithë të vrarëve tanë. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!

E paçin të përhershme lavdinë!

Last modified: 26 Mars, 2025

Comments are closed.