Suhodoll, 19 mars 2025
Gjatë ditës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari vizituan kompaninë dhe fabrikën “Fruton” në fshatin Suhodoll, me pronar Kamer Gashin.
Kjo fabrikë ka rreth 300 punëtorë, prej të cilëve 30 janë në prodhimtari. Përveçse shqiptarë, aty të punësuar ka edhe serbë dhe romë. Prodhojnë 1 ton fruta të thata në ditë dhe përafërsisht gjysmën e eksportojnë jashtë vendit.
Kamer Gashi është kthyer nga Hanover i Gjermanisë, pas 42 vjet pune atje në gastronomi, për të filluar këtë veprimtari prodhuese në Kosovë, e cila eksporton çipsat e mollave të Kovrragës së Istogut, prej Greqisë e Qipros deri në Danimarkë.
Me mbështetjen e Agjencisë sonë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka marrë pjesë në panairin ndërkombëtar të frutave Fruit Logistica në Berlin për dy vjet me radhë .
Duke uruar punë të mbarë dhe suksese, kryeministri Kurti falënderoi z. Gashi, menaxherin Shpërtim Gashi, bashkëpunëtorët dhe punëtorët e fabrikës për mikpritjen.
Last modified: 19 Mars, 2025