Prishtinë, 10 mars 2025
Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në prezantimin e Rrjetit të Grave në Pozita Vendimmarrëse në Administratë Publike dhe institucione të pavarura, organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Fjalën e tij, kryeministri e nisi me urimin për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 marsin. Ai tha se vendi ynë padyshim që ka bërë hapa të rëndësishëm dhe ka hapur rrugë të reja për barazinë gjinore dhe drejtësinë institucionale, edhe pse ende jemi larg nga ajo shoqëri ku gratë nuk jetojnë nën hijen e mizogjinisë si dukuri, të trysnisë që bëhet edhe dhunë, apo të diskriminimit që shkon deri në përjashtim.
“Hapat tonë si shtet tregojnë edhe një fokus politik por dhe konsistencë institucionale. Jo pak sfida e dimë që mbeten aty. Përvoja e vendit tonë mbartë një të vërtetë që nuk mohohet, dhe madje duhet të kthehemi shpesh në të kaluarën tonë, në mënyrë që ajo asnjëherë të mos na përsëritet. Një shoqëri e dalur nga okupimi i gjatë dhe lufta me gjenocid, ka kaluar në një liri kolektive pas shumë betejave çlirimtare të shumë grave e burrave, e tash, duket se betejën me lirinë individuale e ka si sfidë të radhës. Ndërtimi i një shoqërie ku secili individ ka mundësi të barabarta, pavarësisht gjinisë, pavarësisht diferencave. Në fakt, duhet të jemi të barabartë jo pse nuk kemi diferenca, por pikërisht për shkak se kemi diferenca”, u shpreh ai, pasi listoi disa nga veprimet dhe politikat mbështetëse për fuqizimin e gruas në vend.
Në këtë ngjarje, u prezantua Rrjeti i Grave në pozita vendimmarrëse në administratën publike dhe institucione të pavarura, që për synim ka inkurajimin dhe mbështetjen e grave për pjesëmarrjen e tyre në pozita të larta drejtuese, promovimin e prezencës së grave udhëheqëse e të suksesshme, përmes avokimit të bazuar në parimin e meritokracisë dhe performancës. Kryeministri Kurti u shpreh falënderues për ftesën në këtë Rrjet, që u krijua me përkrahjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.
Ai ftoi gratë e këtij Rrjeti të mos mendojnë vetëm për rrugëtimin e tyre, por të kthejnë vëmendjen edhe te të rejat që janë në fillim të kësaj rruge. Njëkohësisht, bëri thirrje që t’i afirmojmë sa më shumë që dimë e mundemi shembujt pozitiv. Me këtë rast, në mesin e shembujve pozitiv, ai veçoi Kryeshefen e Postës së Kosovës, Nora Rraci dhe Kryeshefen e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana.
“Posta e Kosovës, për pesë vjet paraprakisht kishte humbje kumulative prej 5.3 milionë euro, dhe në vitin 2024 me Kryeshefen e Ekzekutive, Nora Rraci, doli me 350 mijë euro fitim. Në anën tjetër, Telekomi i Kosovës, pas tetë vjetëve me humbje kumulative 149 milionë euro dhe pas 11 milionë euro humbje në vitin 2021, në vitet 2023 dhe 2024 kishte fitim kumulativ 15 milionë euro. Pra, Nora Rraci dhe Burbuqe Hana, menaxhojnë miliona dhe a e dini çfarë, po dalin të suksesshme dhe vazhdimisht këto raste suksesi, këto të arritura mbresëlënëse ne së bashku, duhet t’i afirmojmë”, tha kryeministri.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri iu referuar një studimi sipas së cilit gratë në politikë, gratë në administratë, nuk performojnë më dobët se burrat, por dyshimi paraprak në performancën e tyre është më i madh.
“Prandaj, me një solidaritet të përbashkët institucional gjinor le të angazhohemi që duke e dashur një të ardhme tjetër, të fillojmë ta mendojmë ndryshe edhe hapësirën që e krijojmë. Hapësira të cilat nuk e kopjojnë të shkuarën, por e ndërtojnë të ardhmen e re. Hapësira ku udhëheqja nuk është thjeshtë vazhdimësi e pushtetit, por një mënyrë për të mirëmbajtur dinjitetin dhe për ta sjellur barazinë, si në pjesëmarrje ashtu dhe në vendimmarrje. Ndonëse koha linearisht ecën në një kahje, rruga e këtij angazhimi tonë më përkushtim e solidaritet bëhet kohë që e fitojmë dhe nuk e humbasim”, përfundoi fjalën kryeministri.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Emilija Rexhepi, zëvendëskryeministre në Qeverinë e Republikës së Kosovës, përgjegjëse për Çështjet e Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut,
E nderuara znj. Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
E nderuara znj. Edi Gusia, Drejtore ekzekutive në Agjencinë për Barazi,
I nderuari z. Jonathan Hargreaves, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës,
E nderuara znj. Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme e Republikës së Kosovës,
E nderuara znj. Leonita Shabani Mullarama, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Ekonomisë,
Të nderuar ministra e zëvendësministra, dhe përfaqësues të institucioneve vendore,
Të nderuara të pranishme,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar mysafirë, anëtarë të administratës dhe udhëheqëse gra,
Urime 8 Marsin! Qoftë çdo ditë një ditë e jetës, e jetës së mirë që lulëzon përditë, jo vetëm me lulet e 8 Marsit. Kosova padyshim që ka bërë hapa të rëndësishëm dhe ka hapur rrugë të reja për barazinë gjinore dhe drejtësinë institucionale, ndonëse ende jemi larg nga ajo shoqëri ku gratë nuk jetojnë nën hijen e mizogjinisë si dukuri, të trysnisë që bëhet edhe dhunë, apo të diskriminimit që shkon deri në përjashtim.
Historia dhe shumë hulumtime shkencore na tregojnë për lidhjen e thellë midis paqes dhe grave në udhëheqje, një lidhje që nuk është vetëm statistikë, por edhe dëshmi se aty ku gratë udhëheqin, jeta është më e drejtë e më e mirë, për gratë e për burrat, për gjithë shoqërinë. E megjithëkëto, pengesat me të cilat përballen gratë janë më të mëdha, më të thella dhe më të padukshme sesa ato me të cilat përballen burrat. Shpesh është vetë struktura e pushtetit ajo që ua mbyll dyert grave dhe i mbanë ato jashtë hapësirave të vendimmarrjes e larg kohës së pjesëmarrjes; padrejtësi këto që nuk janë as të rastësishme, as të rralla, por të përditshme sepse të ngulitura në vetë jetën publike dhe private.
Gjinia nuk është një e dhënë e thjeshtë, por një sistem i tërë që ndikon në politikë e planifikim, administratë e menaxhim, e në vetë mënyrën si ushtrohet qeverisja. Dhe, po, gratë kanë më pak gjasa të keqpërdorin fondet publike, por më shumë gjasa të mbajnë barrën më të madhe të punës dhe të përgjegjësisë për të mirën e përbashkët. Kur gratë udhëheqin, ato nuk udhëheqin vetëm për të marrë një post, por njëkohësisht edhe për të ndryshuar kuptimin e udhëheqjes.
Nga studimet e ndryshme dëshmohet se gratë janë më pak të korruptuara se burrat, dhe qytetarët gjithandej e posaçërisht në vendin tonë më së shumti e urrejnë korrupsionin.
Adresimi i padrejtësive dhe pabarazive gjinore ka qenë në qendër të punës sonë si Qeveri, dhe gjatë këtij mandati të parë të plotë kemi bërë shumë hapa që nuk janë të vegjël.
• Kemi mbështetur direkt punësimin e mbi 12 mijë grave;
• Nga të rekrutuarit në administratën publike, në vitin 2023, 48% ishin gra, ndërkaq në vitin që lamë pas 2024, 63% gra;
• Mbështetëm punësimin e mbi 4 mijë personave (prej tyre 55% gra) të cilët nuk kanë pasur asnjë anëtar të familjes të punësuar, nëpërmjet programit “Qeveria për familjet”;
• Ofruam trajnim në punë dhe mbështetje në punësim për 239 persona me aftësi të kufizuara (120 prej tyre janë gra e vajza);
• Lansuam masën e punësimit për gratë të cilat janë viktima të dhunës;
• Te shtesat për Lehona dhe Fëmijë: kanë përfituar mbi 400 mijë fëmijë dhe gati 70 mijë gra, nëna të reja lehona përfituese, prej tyre 2/3 të papuna, dhe, rreth 100 mijë gra gjithsej si rezultat i shtesave kanë hapur llogari bankare për herë të parë në jetën e tyre;
• Kemi mbështetur me 10 milionë euro gratë në bujqësi përmes subvencioneve dhe granteve, sepse gratë janë të angazhuara si punëtore, e si pronare në bujqësi e në blegtori shumë më shumë së sa që ne e mendojmë;
• Kemi dhënë mbështetje për 711 biznese (prej tyre 30% në pronësi të grave) me potencial eksporti përmes granteve në vlerë prej 20.5 milionë euro dhe subvencionimin e kredive investuese për 450 biznese me 12.4 milionë euro nëpërmjet masës 2.1;
• Është bërë rritja e qasjes së grave në pronë: masa afirmative për regjistrimin e pronës së përbashkët në emër të të dy bashkëshortëve pa pagesë ka rezultuar që në vitin e kaluar gjithsej të kemi 17,592 prona të regjistruara në krahasim me vetëm 105 sa ishin në 2016; dhe,
• Përkrahje monetare shtesë për gratë pronare ose bashkëpronare të shtëpive ose bizneseve në skemat e efiçiencës së energjisë (janë mbi 180 gra përfituese);
Hapat tonë si shtet tregojnë edhe një fokus politik por dhe konsistencë institucionale. Jo pak sfida e dimë që mbeten aty. Përvoja e vendit tonë mbartë një të vërtetë që nuk mohohet, dhe madje duhet të kthehemi shpesh në të kaluarën tonë, në mënyrë që ajo asnjëherë të mos na përsëritet. Një shoqëri e dalur nga okupimi i gjatë dhe lufta me gjenocid, ka kaluar në një liri kolektive pas shumë betejave çlirimtare të shumë grave e burrave, e tash, duket se betejën me lirinë individuale e ka si sfidë të radhës. Ndërtimi i një shoqërie ku secili individ ka mundësi të barabarta, pavarësisht gjinisë, pavarësisht diferencave. Në fakt, duhet të jemi të barabartë jo pse nuk kemi diferenca, por pikërisht për shkak se kemi diferenca.
Dhe sado që sot gratë në Kosovë zënë më shumë vende udhëheqëse se më parë, pengesat mbeten, dhe ato pengesa nuk janë vetëm ligjore apo politike, por janë të skalitura në vetë mënyrën se si funksionon pushteti: janë strukturore, në hapësirat ku merren vendimet; janë kulturore, në mënyrën si gjykohen gratë për fjalën që thonë, për mënyrën si flasin, si vishen dhe si qëndrojnë; dhe janë institucionale, sepse sistemi që ka ndërtuar të kaluarën vazhdon ku më shumë e ku më pak të komandojë edhe të tashmen. Janë pengesa brenda tregut të punës, brenda institucioneve ku formohet e ardhmja, me mure të dukshme e të padukshme, me heshtje që i lë jashtë dhe me barriera që kërkojnë një përpjekje shumë më të madhe për t’u kapërcyer.
Politikbërja duhet ta ketë një synim të qartë që të arrijë të përfaqësojë maksimalisht të përbashkëtat e nevojave shoqërore, dhe të krijojë mekanizma efektivë për adresimin e tyre, edhe kur janë të veçanta. Përgjithësisht përgjatë viteve, posaçërisht pas pavarësisë së Republikës së Kosovës, ngjajnë që politikat tona institucionale të bazohen në praktikat e mira evropiane, por jo rrallë, pa ia dhënë kontekstin kulturor e perspektivën historike të vendit tonë, çka mund të ndikojë në zbatimin e tyre efektiv. Kur jemi te politikat e mira gjinore, Republika e Kosovës me Konventën e Stambollit, si një nga traktatet e Këshillit të Evropës, është zotuar për standarde të mira ndërkombëtare, e që kjo Konventë njihet për qasjen e saj holistike, ashtu siç ne fakt do të duhej ta kishte çdo politikë. Pra, institucionet duhet të veprojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse, në formë multi-sektoriale dhe të koordinuara mirë. Secila instancë e hallkë, ka rolin dhe përgjegjësinë e vet, qoftë në nivelin qendror apo lokal, e sidomos të ndërlidhura me mekanizmat e jashtëm që janë partnerët.
Në këtë pikë, diçka është nisur e po punohet, por nevojat janë ende të mëdha. E përshkallëzimet brenda vendit të punës, janë një dimension që kërkojnë veprim të intensifikuar e krejt tjetër, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, veçanërisht në atë privat. Në muajt e vitet që vijnë, të nderuara gra, me shtimin e punësimit të grave, janë të drejtat e grave në vendin e punës që duhet të mbrohen e të avancohen. Solidaritet i shtetit me gratë dhe solidaritet i grave me njëra-tjetrën, në punësim dhe për punë që shtohen janë preokupimi ynë i ardhshëm. Ligjet sado të mira dhe inspektoriatet sado profesionale nuk i zëvendësojnë dot sindikatat. Në të ardhmen e afërt dhe afatmesme, të drejtat e grave si asnjëherë më parë do të varen nga fuqizimi i sindikatave si organizata dhe i sindikalizmit si frymë.
E për punësim me organizim, nevojitet arsim dhe edukim. Kemi investuar edhe në brezin e ri, sepse e dimë se asnjë shoqëri nuk mund të ecë përpara nëse të rinjtë dhe të rejat mbeten të mbyllur në pritje të mundësive që nuk vijnë kurrë. Përmes Superpunës janë punësuar mbi 16 mijë të rinj, prej të cilëve 51% janë vajza e gra të reja. Përmes Kosovo Generation Unlimited, afër 3,000 të rinj kanë fituar përvojë pune, dhe mbi 60%janë gra dhe vajza. Dhe janë dhënë më shumë se 6,800 bursa në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM), ku 6,600 i kanë përfituar vajzat dhe gratë e reja. Por këto nuk janë vetëm shifra që tregohen në raporte; janë histori konkrete, janë vajza dhe djem që sot punojnë, krijojnë, kontribuojnë e përfitojnë, dhe mendojnë për një Kosovë tjetër prej asaj që e kanë trashëguar.
Unë ju falënderoj për këtë ftesë në këtë Rrjet, me përkrahjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, e që nuk është vetëm një tryezë diskutimi, por është një vend ku gratë do të mblidhen për të ndarë barrën, për të gjetur forcën e përbashkët dhe për të ndërmarrë veprime.
Për këtë arsye, sot, dua t’i ftoj gratë e këtij Rrjeti të mos mendojnë vetëm për rrugëtimin e tyre, por të kthejnë vëmendjen edhe te të rejat që janë në fillim të kësaj rruge. Tek ato që ende nuk u është hapur dera, tek ato që kërkojnë një shembull, një fjalë, një dorë të shtrirë. Sepse udhëheqja nuk është e plotë, pjesëmarrja nuk është e qëndrueshme, nëse nuk mendon për ata që do të vijnë pas teje, pas nesh.
Njëkohësisht, le t’i afirmojmë sa më shumë që dimë e mundemi shembujt pozitiv. Me këtë rast, më lejoni të përmend që në ndërmarrjet publike 50% e anëtarëve të emëruar që nga viti 2021 janë gra, krahasuar me vetëm 10% në vitin 2017. Dhe, pikërisht ky emërim i shtuar i grave në ndërmarrje publike ka rezultuar edhe në fuqizimin e atyre ndërmarrjeve. Le t’i marr vetëm dy shembuj sot, Nora Rraci në Postën e Kosovës, dhe Burbuqe Hana në Telekomin e Kosovës.
Është interesante që Posta e Kosovës, për pesë vjet paraprakisht kishte humbje kumulative prej 5.3 milionë euro, dhe në vitin 2024 me Kryeshefen e Ekzekutive, Nora Rraci, doli me 350 mijë euro fitim. Në anën tjetër, Telekomi i Kosovës, pas tetë vjetëve me humbje kumulative 149 milionë euro dhe pas 11 milionë euro humbje në vitin 2021, në vitet 2023 dhe 2024 kishte fitim kumulativ 15 milionë euro. Pra, Nora Rraci dhe Burbuqe Hana, menaxhojnë miliona dhe a e dini çfarë, po dalin të suksesshme dhe vazhdimisht këto raste suksesi, këto të arritura mbresëlënëse ne së bashku, duhet t’i afirmojmë.
Sipas një studimi, gratë në politikë, gratë në administratë, nuk performojnë më dobët se burrat, por dyshimi paraprak në performancën e tyre është më i madh. Pra, paragjykimi i të tjerëve është problemi, e jo rezultatet e grave. Ata që dyshojnë në gratë janë problem, e jo gratë të cilat dikush i do si të pandehura.
Prandaj, me një solidaritet të përbashkët institucional gjinor le të angazhohemi që duke e dashur një të ardhme tjetër, të fillojmë ta mendojmë ndryshe edhe hapësirën që e krijojmë. Hapësira të cilat nuk e kopjojnë të shkuarën, por e ndërtojnë të ardhmen e re. Hapësira ku udhëheqja nuk është thjeshtë vazhdimësi e pushtetit, por një mënyrë për të mirëmbajtur dinjitetin dhe për ta sjellur barazinë, si në pjesëmarrje ashtu dhe në vendimmarrje. Ndonëse koha linearisht ecën në një kahje, rruga e këtij angazhimi tonë më përkushtim e solidaritet bëhet kohë që e fitojmë dhe nuk e humbasim.
Ju faleminderit!
Last modified: 10 Mars, 2025