Prishtinë, 28 shkurt 2025
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Bujari, me rastin e ndarjes nga jeta të më të dashurit të tyre, Alban Bujarit.
Në letrën e tij, kryeministri Kurti shkruan se i ndjeri, Albani, do ta mbahet mend për rolin e tij si fotoreporter, veçanërisht në dokumentimin e masakrave të luftës së fundit në Kosovë dhe jo vetëm.
“Me kurajën e njëjtë e kureshtjen e pashtershme përcolli zhvillimet shoqërore e politike edhe pas luftës. Syri i tij na ka përcjellë për afër tri dekada, e unë fytyrën e tij e kam parë në pothuajse çdo aksion politik si opozitar e aktivitet publik tash si kryeministër. Jemi takuar shpesh, por jo aq sa duhej për kohën e gjatë që njiheshim. Do të na mungojë gjithmonë, mungesa e tij do të vërehet përherë”, thuhet në letër ngushëllim.
Në telegramin e ngushëllimit, kryeministri Kurti shkroi se fotografitë e Albanit janë dhe do të jenë kujtesa jonë për dhimbjet e popullit tonë dhe përkujtimi i çmimit për lirinë që e gëzojmë sot. Me punën e tij, ai trashëgoi vetëdije historike e kombëtare, thuhet tutje.
“Albani fotografoi që kurrë mos të harrojmë, e prej sot fotografitë e tij do të kujdesen që ne kurrë mos ta harrojmë Albanin”, përmbyllet letra e kryeministrit Kurti, përmes së cilës shprehu ngushëllimet e sinqerta në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin e tij.
Telegram-ngushellimi-per-familjen-Bujari
Last modified: 28 Shkurt, 2025