24 shkurt 2025
Në shënim të tre vjetorit të fillimit të agresionit ushtrak rus mbi Ukrainën, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot në ndërtesën e Qeverisë gazetarët ukrainas që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë në kuadër të programit Gazetarët në Rezidencës (JiR) të mbështetur nga Qeveria, i cili zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Kryeministri i falënderoi ata për punën që po bëjnë në Kosovë, kontributin që po japin dhe qëndresën që kanë shfaqur, teksa theksoi se për tre vjet luftë, ukrainasit dhe Ukraina kanë dhënë një shembull të lartë se si një popull dhe shteti i tij, organizohet dhe lufton për mbrojtjen e atdheut, lirisë dhe pavarësisë.
Gazetarët ukrainas shprehën mirënjohjen e tyre të thellë për strehimin, mbështetjen e ndihmën e institucioneve të Kosovës, dhe për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit të Kosovës ndaj Ukrainës. Ata veçuan mikpritjen e popullit të Kosovës, duke e cilësuar Kosovën si vend të vogël me zemër të madhe dhe kryeqytetin si shtëpinë e tyre të dytë.
Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri theksoi se në këtë tre vjetor të luftës, jemi me shpresë për vendosmëri e drejtësi, për paqe dhe liri.
Republika e Kosovës u është bashkuar në sanksione dhe veprime të tjera Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve të tjera aleate perëndimore, në dënimin e agresionit rus dhe në mbështetje të rezistencës së Ukrainës për mbrojtjen e pavarësisë së saj. Si Qeveri e Kosovës i kemi vendosur sanksione Federatës së Rusisë që të nesërmen e fillimit të luftës, më 25 shkurt 2022, ndërkaq më 16 maj 2022, u kemi vendosur sanksione të tjera Rusisë dhe Bjellorusisë. Më 4 korrik 2022 dhe pastaj më 22 mars 2023, Kosova u është bashkuar pakove të sanksioneve ndaj Rusisë, të miratuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Më 20 gusht 2023, Kosova i është bashkuar Deklaratës së Përbashkët të Vendeve të G7 mbi Mbështetjen për Ukrainën, e cila u miratua si mbështetje për Ukrainën në të drejtën e saj për mbrojtjen e institucioneve dhe të pavarësisë së saj.
Krahas programit JiR, Republika e Kosovës gjithashtu është shtet anëtar i Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në takimet e të cilit marrin pjesë ministri i Mbrojtjes i Kosovës dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ushtarët tanë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, bashkë me Forcat e Armatosura Britanike, i kanë trajnuar trupat ushtarake ukrainase në kuadër të operacionit “Interflex”. Në vitin e kaluar, 2024, Kosova i ka dërguar dy pako ushtarake si mbështetje ushtrisë ukrainase, në luftën e saj ndaj trupave okupatore ruse.
Last modified: 25 Shkurt, 2025