Zyra e Kryeministrit

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë me shtetet anëtare të EFTA-s, shënohet kjo e arritur në Shtëpinë e Kosovës në Davos

22 Janar, 2025

Davos, 22 janar 2025

Nga Shtëpia e Zvicrës ku u nënshkrua Marrëveshja për Tregtinë e Lirë mes shteteve anëtare të EFTA-s dhe Republikës së Kosovës, në Shtëpinë e Kosovës, për të shënuar këtë arritje të jashtëzakonshme.

Krahas Kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti dhe ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, prezent ishin dhe përfaqësuesit nga shtetet e anëtare të EFTA-s në nivel ministror.

Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti shprehu se marrëveshja e nënshkruar sot zgjeron mundësitë për eksport dhe integron më tej vendet tona në kornizën ekonomike evropiane, duke iu mundësuar bizneseve tona që të konkurrojnë në shkallë më të gjerë.

“Kemi bërë progres të jashtëzakonshëm vitet e fundit. Rritja mesatare ekonomike ka qenë 6 për qind duke mos rënë asnjëherë nën 4 për qind. Të ardhurat tatimore vitin e kaluar u rritën me 40 për qind në krahasim me vitin 2021, ndërsa buxheti vjetor i këtij viti është 50 për qind më i madh se në vitin 2021. Sipas Bankës Botërore, ekonomia jonë parashikohet të rritet me 4 për qind këtë vit, ritmi më i lartë i parashikuar i rritjes në rajon. Krahas progresit tonë ekonomik, ne kemi arritur përparime të rëndësishme demokratike.” u shpreh kryeministri Kurti.

Në përfundim, ai tha se marrëveshja që nënshkruam sot mishëron vlerat tona të përbashkëta dhe parimet e përbashkëta të tregut të lirë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, si dhe përgjegjësisë sociale gjersa falënderoi qeveritë e Norvegjisë, Zvicrës, Lihtenshtajnit dhe Islandës dhe ekipet negociuese të Kosovës dhe EFTA-s, për vullnetin e mirë dhe besimin, bashkëpunimin dhe përkushtimin e tyre gjatë gjithë procesit të negociatave.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuar ministra dhe përfaqësues të Lihtenshtajnit, Norvegjisë, Islandës dhe Zvicrës,
I nderuar Ministër i Tregtisë,
Të nderuar të ftuar,

Është kënaqësi t’ju mirëpres në Shtëpinë e Kosovës dhe të festojmë këtë moment historik që kemi arritur sot – nënshkrimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s.

Dhe ku është më mirë të festohet ky moment sesa këtu në Davos, gjatë forumit ekonomik botëror. Në përputhje me traditën e WEF, ne kemi krijuar hapësirën tonë – Shtëpinë e Kosovës, këtu në Zvicër. Një shtëpi në një vend që është shtëpia e shumë prej nesh, më shumë se një çerek milioni qytetarëve të Kosovës.

Marrëveshja e nënshkruar sot do të zgjerojë mundësitë, do të hapë mundësi të reja eksporti dhe do të integrojë më tej vendet tona në kuadrin ekonomik evropian, duke u mundësuar bizneseve tona të konkurrojnë në një shkallë më të gjerë.

Kosova ka bërë një rrugë të gjatë. Kemi bërë përparim të dukshëm në vitet e fundit. Rritja mesatare ekonomike ka qenë 6 për qind duke mos rënë asnjëherë nën 4 për qind. Të ardhurat nga taksat vitin e kaluar u rritën me 40 për qind në krahasim me vitin 2021, ndërsa buxheti vjetor i këtij viti është 50 për qind më i madh se në vitin 2021. Sipas Bankës Botërore, ekonomia jonë parashikohet të rritet me 4 për qind këtë vit, ritmi më i lartë i parashikuar i rritjes në rajon.

Krahas progresit tonë ekonomik, ne kemi arritur përparime të rëndësishme demokratike. Sipas Projektit Botëror të Drejtësisë, Transparency International, Freedom House dhe treguesve të tjerë demokratikë të organizatave të ndryshme prestigjioze botërore, Kosova ka përjetuar ngritjen më të shpejtë demokratike në katër vitet e fundit, duke demonstruar se demokracia dhe zhvillimi shkojnë bashkërisht.

Pra, Marrëveshja që ne nënshkruam sot mishëron vlerat tona të përbashkëta dhe parimet e përbashkëta të tregut të lirë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, si dhe përgjegjësisë sociale dhe korporative.

Falënderoj qeveritë e Norvegjisë, Zvicrës, Lihtenshtajnit dhe Islandës dhe ekipet negociuese të Kosovës dhe EFTA-s, për vullnetin e mirë dhe besimin, bashkëpunimin dhe përkushtimin e tyre gjatë gjithë procesit të negociatave.

Ju përgëzoj dhe faleminderit dhe ju mirëpresim sërish.

 

Last modified: 27 Janar, 2025

Comments are closed.