Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në promovimin e librit të ish të burgosurve politikë “Amza e Lirisë, Leksikoni i të burgosurve politikë shqiptar në Jugosllavi 1944-1953”

27 Dhjetor, 2024

 

Prishtinë, 27 dhjetor 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në promovimin e vëllimit të parë të librit të të burgosurve politikë, që tashmë po merr formën e një dokumentacioni gjithëpërfshirës e arkivor me titull “Amza e Lirisë, Leksikoni i të burgosurve politikë shqiptar në Jugosllavi 1944-1953”. Kjo ngjarje u mbajt në hapësirat e Institutit të Historisë në Prishtinë.

“Të burgosurit politikë, jo vetëm në Kosovë, janë një komunitet i veçantë politik dhe një lloj kategorie po ashtu e posaçme mes subjekteve që e pësojnë por edhe e bëjnë historinë. E them këtë, sepse të burgosurit politikë janë njerëz që në periudha të caktuara të jetës së tyre, e kanë humbur edhe lirinë e tyre individuale fizike për shumë vjet, duke përfunduar nëpër burgje, për shkak të bindjeve të tyre politike apo të ideve e të projekteve politike që ata mund t’i kenë përfaqësuar dhe për jetësimin e të cilave janë angazhuar në kohë e në rrugë të ndryshme”, u shpreh kryeministri Kurti.

Dhjetë ditë më parë, kryeministri ishte në promovimin e librit “Të burgosurit e ndërgjegjes: Memoare për politikën, burgun dhe torturën (1945-1999)”, në të cilin ishin përmbledhur dhjetë intervista të thella me dhjetë të burgosur politikë. Ai tha se i vjen shumë mirë që sheh që korpuset aq të madh të veprave të ish-burgosurve politikë me poezi e prozë, me kujtime dhe me atë lloj literature që janë referuar si letërsi e burgut në vitet e fundit po shtohen edhe botimet e një karakteri më akademik e shkencor sikurse ky që po e promovojmë sot.

“Shpresoj shumë dhe uroj që ashtu siç sugjeron pjesa fundore e këtij titulli libri vëllimi i parë Shoqatat e të Burgosurve Politikë të Kosovës të arrijë t’i botojë edhe vëllimet e tjera të këtij leksiku edhe për të burgosurit politikë të dekadave pasuese nga Adem Demaçi te Rexhep Malaj, nga Fazli Grejçevci te Ukshin Hoti”, tha kryeministri në fjalën e tij.

Ai u uroi të pranishmëve festat e fundvitit dhe një Vit të Ri e të mbarë e të mirë për familjet e tyre, kolegët e shoqërinë, dhe i falënderoi që gjithmonë ftohet në organizime të tilla.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Teuta Shala, drejtore e Institutit të Historisë në Prishtinë,
I nderuari z. Shefki Sadiku, kryetar i Shoqatës së ish të burgosurve politikë të Kosovës,
I nderuari z. Finan Kulaj, ish-kryetar i Shoqatës,
I nderuari z. Zymer Neziri, studiues i Folklorit,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, profesorë e studentë, veprimtarë të çështjes Kombëtare,
Zonja dhe zotëri,

E mbi të gjitha, e para së gjithash të nderuar dhe të dashur ish të burgosur politikë: sa herë që ndodhem mes jush në organizimet tuaja, unë ndjehem si një luftëtar i vjetër në mes të luftëtarëve të tjerë edhe më të vjetër, apo mes atyre që quhen miq të idealit. Sepse, ju e dini, që si një ish i burgosur politik që ka mbajtur burg në vitet e fundit të periudhës së mbramë të të burgosurve politikë nga Kosova, jam patjetër njëri prej jush. E përdora fjalën “luftëtar” për ju si të burgosur politikë, sepse burgjet e Jugosllavisë e të Serbisë, që nga viti 1944 e këtej, por edhe më herët se aq, nëpër të cilat i kemi vuajtur burgosjet tona politike, kanë qenë beteja të vërteta të gjeneratave të tëra që janë përpjekur dhe kanë luftuar për lirinë e Kosovës, me ç ‘rast pikërisht ato burgje ishin vija fronti shumë kohë para se të shpërthente lufta e ku po përballeshin qëndresa shqiptare dhe progresiste me shtetin shovinist të Serbisë.

Të burgosurit politikë, jo vetëm në Kosovë, janë një komunitet i veçantë politik dhe një lloj kategorie po ashtu e posaçme mes subjekteve që e pësojnë, por edhe e bëjnë historinë. E them këtë, sepse të burgosurit politikë janë njerëz që në periudha të caktuara të jetës së tyre, e kanë humbur edhe lirinë e tyre individuale fizike për shumë vjet, duke përfunduar nëpër burgje, për shkak të bindjeve të tyre politike apo të ideve e të projekteve politike që ata mund t’i kenë përfaqësuar dhe për jetësimin e të cilave janë angazhuar në kohë e në rrugë të ndryshme.

Vetëm dhjetë ditë më parë, unë isha në promovimin e librit “Të burgosurit e ndërgjegjes: Memoare për politikën, burgun dhe torturën (1945-1999)”, në të cilin ishin përmbledhur 10 intervista të thella me 10 të burgosur politikë, kurse sot me shumë kënaqësi e kureshtje erdha që ta shoh edhe këtë vëllimin e parë të të burgosurve politikë, që tash po marrin formën e një dokumentacioni gjithëpërfshirës e arkivor për brezin tonë e për brezat që do të vijnë me një titull shumë domethënës “Amza e Lirisë, Leksikoni i të burgosurve politikë shqiptar në Jugosllavi 1944-1953”. E kur i pashë këto dy vite, gjëja e parë që më ra në mend është, 1944 është viti kur Kosova çlirohet nga nazistët gjermanë vetëm për t’u riokupuar nga Serbia e nga Jugosllavia, ndërkaq viti 1953 është po ashtu një vit famëkeq, sepse është viti i asaj marrëveshjes xhëntellmene midis Titos dhe Kyprilit për dëbimin e shqiptarëve për Turqi.

Më vjen shumë mirë që shoh që korpusit aq të madh të veprave të ish-burgosurve politikë me poezi e prozë, me kujtime dhe me atë lloj literature që janë referuar si letërsi e burgut, në vitet e fundit po shtohen edhe botimet e një karakteri më akademik e shkencor sikurse ky që po e promovojmë sot.

Sepse, botimet e tilla ku strukturoren emrat e të burgosurve politikë në trajtë leksiku, pra enciklopedie, janë botime bazike për referencë nga të gjithë ata që duan ta njohin këtë histori apo ta studiojnë atë.

Ne kemi nevojë që të krijojmë së bashku literaturë për ata që sot, por edhe në të ardhmen, do të bëjnë teza magjistrature e doktorature për okupimin e Kosovës, qëndresën e popullit shqiptar, kryengritjen tonë çlirimtare, e kështu me radhë, me referenca, të cilat janë edhe të qasshme edhe të strukturuara.

Andaj, ky libër, si një projekt më vete, po hapet me periudhën më të hershme të burgosurve politikë, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, pra nga viti 1944 deri në vitin 1953 dhe kam përshtypjen që duke qenë më të hershëm, të burgosurit e asaj kohe njihen më pak dhe kujtohen më pak gjithashtu. Prandaj, është tejet e vlefshme që kemi filluar me këtë etapë tani.

Shpresoj shumë dhe uroj që ashtu siç sugjeron pjesa fundore e këtij titulli libri, vëllimi i parë, Shoqatat e të Burgosurve Politikë të Kosovës të arrijë t’i botojë edhe vëllimet e tjera të këtij leksiku edhe për të burgosurit politikë të dekadave pasuese nga Adem Demaçi te Rexhep Malaj, nga Fazli Grejçevci te Ukshin Hoti.

Duke ju uruar gjithashtu festat e fundvitit dhe një 2025-sh të mbarë e të mirë për juve, familjet e juaja, kolegët e shoqërinë, ju faleminderit edhe një herë që asnjëherë nuk harroni të më ftoni në këso organizimesh tuaja, duke ia rikujtuar njëri-tjetrit që jemi një, sepse ndajnë të njëjtat ideale, për të cilat dikur edhe jemi burgosur.

Përgëzime e ju faleminderit!

 

 

Last modified: 27 Dhjetor, 2024

Comments are closed.