Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhje të rregullt në të cilën ka:
Miratuar vendimin për themelimin e Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri.
Miratuar Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Shëndetësisë. Kjo fushë ndërlidhet me përmirësimin e cilësisë dhe qasjes në shërbime shëndetësore, dhe me riorganizim të sektorit të shëndetësisë. Kështu do të fuqizohen kapacitetet inspektuese dhe rritjen e efektivitetit në zbatimin e legjislacionit të shëndetësisë.
Miratuar Projektligjin për Prodhimin, Kultivimin, Grumbullimin, Përpunimin, Tregtimin, Kontrollin e Duhanit, Produktet e Duhanit dhe Produktet e Ndërlidhura. Ky projektligj ndërlidhet me Programin Kombëtar për Integrim Evropian, ku është paraparë edhe kjo masë legjislative.
Emëruar Vedat Maxhunin në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Emëruar Luan Sylajn në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Themeluar Task Forcën për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve.
Aprovuar kërkesën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për transfer të mjeteve buxhetore në shumë prej 450 mijë euro, deri nën 25% të ndarjes së ndikuar negativisht në total të kategorisë së shpenzimeve Investimeve kapitale të nën-programit Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për mbulimin e obligimeve.
Miratuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të menaxhuara dhe administruara nga AKP të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve të Komunës së Hanit të Elezit si në vijim:
o Rindërtimi i fushës së futbollit;
o Rregullimi i pronësisë për fabrikën e ujit;
o Ndërtimi i qendrës për kulturë dhe rini; dhe
o Zgjerimi i rrugës pranë terminalit doganor.
Miratuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për realizimin e projektit: Varrezat e Fshatit dhe Fusha Sportive në Dobërçan, Komuna e Gjilanit.
Miratuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për realizimin e projektit: Çerdhe e fëmijëve, hapësirë gjelbëruese dhe infrastrukturë rrugore, në Komunën e Gjilanit.
Nisur procedurat për ndërtimin e objektit të Spitalit në Ferizaj në vlerë totale prej 27.9 milionë euro.
Miratuar Koncept-dokumentin për Zhvillimin e Kornizës Rregullative të Tregjeve Financiare të Republikës së Kosovës. Kjo hap rrugën për vendosjen e themeleve të tregjeve financiare në Kosovë, për bono të korporatave dhe bursën e kapitalit, që do të mundësojë zgjerimin e mundësive për qasje në financa të ndërmarrjeve tona.
Miratuar në parim nismën për negocimin e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe KfW, Frankfurt Am Main, dhe Pastrimi Sh. A, për projektin “Zhvillimi Urban i Përshtatshëm për Klimën II”.
Miratuar në parim nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe KfW, Frankfurt Am Main, dhe Pastrimi Sh. A, për projektin “Zhvillimi Urban i Përshtatshëm për Klimën II”.
Ndarë 350 mijë euro për organizimin e pjesëmarrjes së Kosovës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, me Kosova House.
Last modified: 18 Dhjetor, 2024