Zagreb, 14 dhjetor 2024
Mbrëmë, takimet e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kryeqendrën e Kroacisë, u përmbyllën me pritjen të organizuar me bashkatdhetarë atje.
Në adresimin e tij, kryeministri u shpreh fillimisht se Kroacia është shtet e popull mik, partner e aleat i Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar. Ai vlerësoi rolin e diasporës sonë në shtetndërtimin e Kosovës, si para dhe pas luftës, para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Republikës.
Kryeministri theksoi se sfidat që i kemi përpara do t’i tejkalojmë bashkërisht, me sukses, për rrugën tonë për përparim që nuk e lë askënd prapa, për zhvillim, prosperitet dhe drejtësi.
“Bashkatdhetarët tanë nuk i ftoj më si para 30 viteve që të vijnë në Kosovë e të kontribuojnë duke sakrifikuar, por të fitojnë duke investuar. Po investojnë edhe të tjerët, të gjithë ju që jeni ndërmarrës ne ju garantojmë se në Kosovë nuk e keni vetëm një treg të lirë ku sundon ligji, por e keni dhe një qeveri partnere që ju garanton investimin”, u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se për mërgatën kemi mundësuar votimin për zgjedhjet e radhës edhe nëpër ambasada e konsullata, ku deri në datën 26 dhjetor këtë muaj, është afati i regjistrimit për të votuar qoftë fizikisht në ambasada e konsullata, qoftë me postë brenda vendit, për çka dhe i ftoi që të regjistrohen.
Kryeministri Kurti i falënderoi bashkatdhetarët në Kroaci për kontributin e tyre në luftën e Kroacisë për pavarësi dhe për rolin e tyre disa vite më vonë për çlirimin e Kosovës.
“Unë jam falënderues e mirënjohës thellësisht e përjetë për këtë kontribut tuajin edhe në luftë edhe në paqe. Ju ftoj të gjithëve për këto festa të fundvitit, me atë çfarë keni mundësi, të vizitoni vendlindjen tuaj. Në Qeverinë e Republikës së Kosovës, në kryeministri, keni politikanë të cilët ju duan fort dhe konsiderojnë që ju kanë shumë borxh. Andaj përpiquni që të bëni dy gjëra: deri në vitin 2030, një vit të ktheheni në vendlindje. Nuk po them kthehuni tash menjëherë, se e di që këtë e mendoni ju përditë vetë, por gjejeni një vit, e kthehuni në Kosovë, se edhe progresi demokratik, edhe rritja ekonomike, kanë krijuar kushte për jetë të mirë edhe atje. Nuk është më Kosova e kohës kur janë shpërngulur shqiptarët për shkak të persekutimit apo për shkak të varfërisë. Dhe përveç kësaj, mësojeni gjuhën shqipe brezit të ardhshëm sa më mirë” , përfundoi adresimin e tij kryeministri Kurti.
Last modified: 14 Dhjetor, 2024