Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti u mirëprit nga Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanović

13 Dhjetor, 2024

 

Takimet zyrtare në Zagreb, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i vazhdoi me Presidentin e Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović.

Kryeministri Kurti falënderoi Presidentin Milanović për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme për shtetin e Kosovës.

Diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, bashkëpunimin në rritje në fushën e ekonomisë dhe mbrojtjes.

Në këtë takim bilateral, kryeministri Kurti dhe presidenti Milanović trajtuan edhe zhvillimet e fundit, përfshirë ato në rajon. Kryeministri e njoftoi me detajet e sulmit terrorist të 29 nëntorit në Zubin Potok që për cak kishte infrastrukturën kritike. Ai ndau me të veprimet e menjëhershme që institucionet e vendit ndërmorën për të sanuar dëmin dhe për të evituar pasojat e rënda mbi popullatën civile që kishte për qëllim sulmi.

Gjatë bisedës, kryeministri theksoi përparimin e përgjithshëm që vendi ka shënuar në vitet e fundit, veçanërisht në rrafshin ekonomik dhe demokratik, teksa gjithashtu u theksua rëndësia e integrimit të plotë të Kosovës në strukturat euroatlantike, përkatësisht në BE dhe NATO, për çka presidenti Milanović tha se e ka mbështetjen e plotë të Kroacisë.

Last modified: 13 Dhjetor, 2024

Comments are closed.