Zagreb, 13 dhjetor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u mirëprit nga Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković.
Fillimisht, në një takim tête-à-tête dhe pastaj me delegacionet përkatëse, kryeministri Kurti dhe kryeministri Plenković biseduan rreth marrëdhënieve të shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet shteteve dhe popujve të dy vendeve. Bashkë diskutuan për marrëveshjet që u nënshkruan sot dhe për marrëveshje të reja të mundshme që do ta zgjeronin bashkëpunimin në fushën e sistemit të drejtësisë, kulturës dhe arsimit.
Së fundmi, në Kroaci u nënshkrua zotimi për Themelimin e Qendrës për Studime Albanologjike “Milan Šufflay” në Universitetin e Zarës. Qendra për Studime Albanologjike “Milan Šufflay” do të shërbejë si një platformë hulumtuese për promovimin e gjuhës, historisë, arkeologjisë dhe kulturës shqiptare, duke i kushtuar një vend të veçantë trashëgimisë së veprës së historianit dhe albanologut të shquar Milan Šufflay.
Temë qendrore e bisedë ishin gjithashtu bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet tregtare, me ç’rast diskutuan për mundësitë dhe fushat me potencial për investime të huaja. Kryeministri Kurti e njoftoi homologun e tij për ofertën e Kosovës për investitorë të huaj, krahas zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, përparimit demokratik, stabilitetit institucional dhe përmirësimit në sundimin e ligjit që ka shënuar vendi në vitet e fundit.
Ai shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë ndaj Kosovës në rrafshin ndërkombëtar dhe në anëtarësimin dhe integrimin e saj në organizata ndërkombëtare, si dhe falënderimin për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Kryeministri Kurti gjithashtu e njoftoi kryeministrin kroat Plenković edhe rreth zhvillimeve të fundit në vend, me theks te sulmi terrorist i 29 nëntorit që për cak kishte popullatën civile përmes dëmtimit të infrastrukturës kritike, për çka vetëm reagimi i shpejtë dhe profesional i institucioneve përkatëse në sanimin e dëmeve ka evituar ndërprerjen apo vështirësimin e shërbimeve esenciale, si rryma, uji dhe telekomunikimi, dhe çrregullimin e jetës shoqërore, qytetare, ekonomike dhe të institucioneve. Ai ndau me homologun e tij detaje rreth sulmit për të cilin metoda dhe ekzekutimi i tij, së bashku me konfiskimin e armatimit, uniformave dhe emblemave të ushtrisë, shumica dërmuese prej të cilave të Serbisë dhe 20 tjera të Rusisë, tregojnë për përfshirje të aktorëve të jashtëm, teksa hetimet e institucioneve të Republikës së Kosovës po vazhdojnë.
Në fund të takimit, u nënshkruan marrëveshje për:
-Sigurimet shoqërore dhe Protokollin zbatues;
-Njohjen dhe shkëmbimin e patentave të shoferëve;
-Bashkëpunimin në mbrojtjen kundër fatkeqësive natyrore, teknike dhe teknologjike;
-Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunim mes agjencive tona të forenzikës;
-Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Akademisë Policore të Kroacisë dhe Akademisë së Kosovës për Siguri Publike për forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor.
Në deklarimin për media pas takimit bilateral kryeministri Kurti tha:
“Për ne, Kroacia është një partner kyç rajonal dhe referencë për zhvillim. Jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të popullit kroat, edhe para luftës, gjatë luftës e pas saj, por gjithashtu edhe për etapat rreth pavarësimit të Kosovës e konsolidimit tonë ndërkombëtar. Falënderoj Kroacinë për kontributin aktiv për sigurinë e Kosovës dhe të paqes në rajon përmes ushtarëve kroatë, që janë pjesë e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Vlerat, pikëpamjet dhe historinë që ndajmë e kemi përgjegjësi që t’i përkthejmë në mirëqenie për qytetarët tanë e zhvillim të dy vendeve tona. Atë më së miri e arrijmë përmes bashkëpunimit ekonomik dhe përmes bashkëpunimit të brezave të rinj; të studentëve kroatë dhe të studentëve shqiptarë e të tjerë nga të dy vendet tona”.
Në takim kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Gjatë ditës, kryeministri do të takohet edhe me Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović dhe Kryetarin e Kuvendit të Kroacisë, Gordan Jandroković.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Plenković:
Sot, po zhvillojmë një vizitës të rëndësishme zyrtare këtu në Zagreb, në kryeqendrën e Kroacisë.
Në emër popullit të Kosovës dhe të Qeverisë së Republikës, shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj Qeverisë së Kroacisë për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë.
Vizitën e nisëm me këtë takim të përzemërt me mikun tim e të shtetit të Kosovës, kryeministrin tuaj, kryeministrin kroat Andrej Plenković.
Bashkë me të dhe delegacionet tona përkatëse, diskutuam rreth marrëdhënieve të shkëlqyera që i kemi, si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona.
Diskutimet, vullnetin dhe gatishmërinë që e kemi gjithmonë për bashkëpunim, sot i kthyem në marrëveshje ndërmjet dy vendeve tona, e të cilat do t’i forcojnë më tej lidhjet ndërsjella dhe do ta përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve tanë.
Këto marrëveshje që u nënshkruan përfshijnë:
-Marrëveshjen mbi sigurimet shoqërore dhe protokollin përkatës për zbatim;
-Njohjen dhe shkëmbimin e patentave të shoferëve;
-Bashkëpunimin në mbrojtjen kundër fatkeqësive natyrore, teknike dhe teknologjike;
-Nënshkruam edhe Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunim mes agjencive tona të forenzikës; dhe,
-Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Akademisë Policore të Kroacisë dhe Akademisë së Kosovës për Siguri Publike për forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe të kërkimit shkencor.
Kosova dhe Kroacia ndajnë një miqësi të sinqertë, partneritet të fortë dhe aleancë të shëndetshme, që bazohet në vlera të përbashkëta demokratike, përkushtimin ndaj paqes dhe sigurisë në rajon dhe orientim të qartë euro-atlantik.
Kroacia, me shembullin e saj të guximshëm, me popullin e saj që luftoi dhe derdhi gjak për çlirim, është frymëzim për të gjitha kombet, të cilët aspirojnë liri, pavarësi, demokraci, integrim dhe zhvillim ekonomik e mirëqenie për qytetarë. Me këtë rast, edhe ne jemi krenarë me shqiptarët që kanë marrë pjesë në luftën çlirimtare të Kroacisë, 2832 gjithsej, me ç‘rast 87 janë vrarë dhe pesë janë ende të zhdukur. Janë dy gjeneralë nga Kosova, të cilët morën pjesë në luftën çlirimtare, Rrahim Ademi dhe Agim Çeku, ndërkaq, Tomë Berisha në shtator të vitit 1991, në Gospiq, e pati formuar Brigadën e Luftëtarëve Shqiptarë, në mesin e të cilëve kanë qenë edhe Nevxhet Haziri e Fehmi Lladrovci.
Pra, ne kemi qenë bashkë shumë më herët dhe në rrethana shumë më të vështira se sa këto që i kemi e i gëzojmë në këtë shekull.
Për ne, Kroacia është një partner kyç rajonal dhe referencë për zhvillim. Jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të popullit kroat, edhe para luftës, gjatë luftës e pas saj, por gjithashtu edhe në etapat rreth pavarësimit të Kosovës e konsolidimit tonë ndërkombëtar.
Falënderoj Kroacinë për kontributin aktiv për sigurinë e Kosovës dhe të paqes në rajon përmes ushtarëve kroatë, që janë pjesë e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Vlerat, pikëpamjet dhe historinë që ndajmë e kemi përgjegjësi që t’i përkthejmë në mirëqenie për qytetarët tanë e zhvillim të dy vendeve tona. Atë më së miri e arrijmë përmes bashkëpunimit ekonomik dhe përmes bashkëpunimit të brezave të rinj; të studentëve kroatë dhe të studentëve shqiptarë e të tjerë nga të dy vendet tona.
Shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, kanë shënuar një rritje vitin e kaluar dhe kjo dëshmon edhe vullnetin për bashkëpunim dhe potencialin për shkëmbim. Prandaj, unë sot jam në Zagreb edhe me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe së bashku dhe së bashku me kryeministrin Plenković do të kemi një takim edhe në Odën Kroate të Tregtisë për të diskutuar për mundësitë që i kemi përpara për më shumë bashkëpunim ndërmjet ekonomike dhe prodhuesve të vendeve tona, për sa më shumë shkëmbime të bizneseve kroate dhe atyre nga Kosova.
Ju faleminderit.
Last modified: 13 Dhjetor, 2024