Prishtinë, 9 dhjetor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në ngjarjen “Ritmi i Barazisë” në mbështetje të grupeve të margjinalizuara në Kosovë, organizuar nga Elvana Shala, Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në prag të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se barazia është e domosdoshme që të kemi demokraci të shëndetshme, ku barazia është pikënisje e pikësynim, e garantimi dhe avancimi i të drejtave të njeriut, pa dallim, përveçse çështje thelbësore në vetvete, është edhe shtytëse për shoqëri më të suksesshme.
‘’Për mundësi të barabarta, pa dallim, kemi ofruar trajnim në punë dhe mbështetje në punësim për 239 persona me aftësi të kufizuara, 120 prej tyre gra e vajza. Për herë të parë e bëmë të mundur regjistrimin e Ndërmarrjeve Sociale, të cilat punësojnë persona nga kategoritë e cenueshme të shoqërisë’’, u shpreh kryeministri.
Tutje, ai theksoi se me arsimin e lartë publik të bërë falas, mbi 173 mijë studentë janë liruar nga pagesat që nga viti 2021. E me qëllim të gjithëpërfshirjes dhe barazisë në edukim janë ndarë edhe 70 bursa për studentët me aftësi të kufizuara.
Kryeministri theksoi se janë angazhuar edhe 339 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta, ndërkaq kemi ndarë buxhetin për komuna për punësim të 500 asistentëve.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri iu shprehu mirënjohje të gjithëve për punën dhe përkushtimin për të drejtat e njeriut, për ndryshimin progresiv e pozitiv të shoqërisë dhe të shtetit tonë, e shtoi se në vitin e ri 2025, le t’i shtojmë përpjekjet për një të ardhme me mundësi më të mëdha për secilin dhe secilën.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës
E nderuar znj. Elvana Shala, ambasadore e vullnetit të mirë për Kosovën,
I nderuari Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës,
Të nderuar përfaqësues të kabinetit qeveritar,
Kolegë nga ekzekutivi dhe deputetë të Kuvendit të Republikës.
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë dhe ju diplomatë të tjerë,
Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare,
Të nderuar aktivistë e aktiviste të të drejtave të njeriut,
Të nderuar të pranishëm, motra dhe vëllezër,
Zonja dhe zotërinj,
Mirëmbrëma dhe mirë se ju gjej në këtë ngjarje kaq të veçantë, e cila na ka bërë bashkë për të përçuar mesazhin se: barazia është e drejtë edhe e patjetërsueshme dhe e pazëvendësueshme.
Barazia është e domosdoshme që të kemi demokraci të shëndetshme. Barazia si pikënisje e pikësynim, kjo është bindja jonë. Garantimi dhe avancimi i të drejtave të njeriut, pa dallim, përveçse çështje thelbësore në vetvete, është edhe shtytëse për shoqëri më të suksesshme. Të drejtat e njeriut janë edhe të drejta edhe dobi. Një shoqëri e drejtë ndërtohet mbi themelet e gjithëpërfshirjes, me mbështetje, e ndihmë, me simpati e empati.
Në këtë datë ndërmjet Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ky organizim na përkujton se përtej dallimeve tona, ne ndajmë një dëshirë universale: të jetojmë me dinjitet.
Kjo mbrëmje është më shumë se një ngjarje kulturore – është përkushtim dhe premtim për një shoqëri ku çdo individ, pavarësisht prejardhjes apo identitetit, gëzon të drejtat e plota për të ndjekur ëndrrat që ka.
Të gjithë ne kemi përgjegjësi që ky mesazh të mos ngelet vetëm brenda mureve të kësaj salle, por të shpërndahet gjerësisht e në çdo hapësirë të shoqërisë sonë e tërë kohën.
Të nderuar të pranishëm,
Aktivitete të këtilla shërbejnë për të ndryshuar ndjeshmëritë dhe botëkuptimet tona. Na mundësojnë njohjen dhe nderimin e talenteve të personave me nevoja të veçanta, si anëtarë të çmuar të shoqërisë sonë.
Përtej artistikes, kjo mbrëmje kontribuon në ndërgjegjësimin në rritje, të cilin duhet ta përkthejmë në rritje të veprimit të përbashkët. Nëse jemi pjesëtarë të së njëjtës shoqëri, e sigurisht që jemi, atëherë këtë e dëshmojmë pikërisht nëpërmjet solidaritetit me njëri-tjetrin nëpërmjet pjesëmarrjes pa përjashtim.
Ky organizim është edhe një mundësi për të reflektuar mbi progresin tonë dhe për të theksuar nevojën për të bërë më shumë.
Për mundësi të barabarta, pa dallim, kemi ofruar trajnim në punë dhe mbështetje në punësim për 239 persona me aftësi të kufizuara, 120 prej tyre gra e vajza. Për herë të parë e bëmë të mundur regjistrimin e Ndërmarrjeve Sociale, të cilat punësojnë persona nga kategoritë e cenueshme të shoqërisë.
Me arsimin e lartë publik të bërë falas, mbi 173 mijë studentë janë liruar nga pagesat që nga viti 2021, e me qëllim të gjithëpërfshirjes dhe barazisë në edukim kemi ndarë 70 bursa për studentët me aftësi të kufizuara.
Kemi angazhuar edhe 339 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta, ndërkaq kemi ndarë buxhetin për komuna për punësim të 500 asistentëve.
Teksa investojmë në arsim për të gjithë, nuk duhet ta lemë askënd mbrapa. Po ashtu, duhet ta kuptojmë që nuk duhet vetëm t’i mësojmë të tjerët e t’i mësojmë ata që janë ndryshe, por edhe të mësojmë prej tyre. Progresin tonë shoqëror e shohim të ndërlidhur ngushtë me progresin e vazhdueshëm të qytetarëve tanë pa dallim e për ta arritur këtë duhet që të gjithëve t’ju hapen rrugët e mundësive.
Për më shumë mundësi për aktivitetet sportive vendore e ndërkombëtare, Komiteti Paralimpik dhe Olimpiada Speciale për herë të parë gëzojnë mbështetje shtetërore të dinjitetshme.
E në 10 vitet e fundit, pensionet bazike në Kosovë janë rritur gjithsej tre herë. Prej tyre dy herë gjatë tri viteve të fundit. Fillimisht në vitin 2021 u siguruam që nuk ka pensione nën vlerën 100 euro, ndërsa sivjet siguruam buxhet që pensionet të rriten për 20%. Nga muaji tetor, përfituesit e skemave pensionale invalidore dhe të aftësive të kufizuara, kanë marrë këtë pension me rritje prej 20%.
Veprimet tona, për mirëqenie në të sotmen, janë edhe investim për të ardhmen. Kur largojmë barrierat përmes politikave arsimore dhe skemave të mbrojtjes sociale, përveçse te individët, efekti përhapet edhe te familjet dhe komunitetet, dhe përfitues jemi të gjithë. Sepse nuk mund të jemi disa mirë e shumë mirë në shoqëri kur disa nuk janë mirë e ata disa pavarësisht sa janë duhet të jenë mirë që e gjithë shoqëria jonë ta ketë edhe kohezionin e brendshëm por njëkohësisht ta ketë edhe të ardhmen e ndritshme.
E si Qeveri e Republikës së Kosovës, jemi të përkushtuar që të drejtat e njeriut të avancojnë në shtetin tonë dhe respektimi i tyre të bëhet plotësisht.
Të drejtat e njeriut e bëjnë bashkë barazinë dhe universalitetin. Andaj në frymë të partneritetit ndërmjet Qeverisë, organizatave të shoqërisë civile, e aktivistëve të të drejtave të njeriut, vazhdojmë të kemi diskutim të hapur e bashkëpunim, për barazi dhe për dinjitet.
Ju shpreh mirënjohjen të gjithëve për punën dhe përkushtimin tuaj për të drejtat e njeriut, për ndryshimin progresiv e pozitiv të shoqërisë dhe të shtetit tonë, e në vitin e ri 2025, le t’i shtojmë përpjekjet për një të ardhme me mundësi më të mëdha për secilin dhe secilën.
Ju faleminderit.
Last modified: 9 Dhjetor, 2024