Prishtinë, 1 dhjetor 2024
E nderuara ministre Rizvanolli,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë,
Përgjatë dy ditëve të fundit kemi ndërmarrë një sërë masash për të identifikuar dhe mbajtur përgjegjës kryerësit e sulmit terrorist e kriminal, në njërën anë, dhe për të minimizuar dëmin në infrastrukturë e për të evituar çrregullimin e furnizimit me shërbime bazë për qytetarët e Kosovës, në anën tjetër.
Pesha e pasojave të këtij sulmi po të arrinte qëllimin e tij, do të ishte marramendës.
Ky sulm kishte për qëllim të shkaktonte dëme të pariparueshme në infrastrukturën kritike të Republikës së Kosovës, duke vënë në rrezik sigurinë kombëtare dhe duke çrregulluar jetën e të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Po të arrihej qëllimi, ky sulm terrorist do të shkaktonte, potencialisht për javë të tëra:
– ndërprerje të prodhimit të energjisë nga Termocentrali Kosova B, duke lënë pa energji elektrike mbi gjysmën e popullatës së Kosovës, dhe pa ngrohje 130 mijë qytetarë të Prishtinës;
– më tej do të kishim ndërprerje të furnizimit të fabrikave të ujit në Shkabaj, Drenas, Shipol dhe Balincë, duke lënë pa ujë mbi 300 mijë qytetarë të Mitrovicës së Jugut, Skenderajt, Vushtrrisë, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit, e duke rrezikuar furnizimin për mbi 300 mijë të tjerë në Prishtinë; dhe,
– Për javë të tëra potencialisht do të ngeleshin pa energji elektrike, dhe kësisoj do të rrezikoheshin edhe shërbime të tjera kritike që varen nga energjia elektrike sikurse telekomunikimi.
Dëmet direkte financiare vetëm nga nevoja për import të furnizimit me energji do të ishin së paku 2.5 milionë euro në ditë e 100 mijë euro tjera në ditë për ujë. Dëmet direkte financiare e dëmet e cenimit të aktivitetit ekonomik do të ishin të jashtëzakonshme, por qëllimi i tyre ishte shkaktimi i dëmit që është shumë përtej edhe atij ekonomik: çrregullimi i jetës e shëndetit të qytetarëve dhe rrezikimi i sigurisë tonë kombëtare.
Pra nuk ka qenë në pyetje vetëm uji, por edhe rryma. Jo vetëm rryma, por edhe ngrohja. Jo vetëm ngrohja, por edhe telekomunikimi. Qëllim ka qenë që një pjesë e madhe e vendit tonë në dhjetor të ngelet pa ujë, në terr, në të ftohtë dhe pa komunikim.
Si në kontekstin kohor ashtu edhe në atë të vetë natyrës së aktit, ky sulm duket që ka ndërlidhje me sulmet masive ajrore të federatës ruse kundër Ukrainës. Sulme këto që ishin të orientuara pikërisht kundër infrastrukturës energjetike në Ukrainë.
Një ditë para sulmit në Varagë të Zubin Potokut, me datë 28 nëntor, forcat ushtarake ruse me 188 projektile raketash dhe dronësh sulmuan infrastrukturën kritike të energjisë në Ukrainë, duke lënë rreth 1 milion amvisëri pa energji elektrike, në prag të stinës së dimrit. Qëllimi është që popullsia të vihet përfundi kushteve jetike minimumit të ekzistencës dhe në këtë mënyrë të dëmtohet shëndeti, jeta dhe siguria e qytetarëve.
Në të njëjtën kohë pra kemi sulmin në ndërtesën e Komunës në Zveçan dhe sulmet në Ukrainë. Në Zveçan dy ditë para kësaj kishim sulmin kundër stacionit policor dhe tash së fundmi infrastruktura kritike edhe në veriun e Kosovës sikurse në Ukrainë.
Për ta bërë edhe me të dukshme këtë ndërlidhje është edhe fakti që gjatë kontrolleve të zhvilluara nga Policia e Kosovës në lokacione të ndryshme pas sulmit terrorist, përveç armëve dhe pajisjeve të shumta ushtarake, u gjetën dhjetëra emblema të njësive ushtarake ruse. Këto emblema u përkasin kryesisht njësive të specializuar për kryerjen e operacioneve të veçanta ushtarake, siç është rasti i emblemave të Forcës Desante Parashutiste të Forcave të Armatosura të Rusisë, e përveç emblemave ushtarake, gjatë kontrolleve të djeshme u gjetën dhe flamuj krahu perandorak rus, flamur ky i përdorur nga Rusia cariste e shekujve XVIII dhe XIX – pra atëherë kur merr hov të madh historik imperializmi rus.
Të gjitha këto mund t’i shihni në ekran në këtë foto. Pra një numër i madh i emblemave nga Rusia, përveç se armatim e municion e uniforma dhe pajisje të tjera të cilët janë gjetur e sekuestruar.
Serbia po i kopjon metodat ruse për të kërcënuar Kosovën dhe rajonin tonë në përgjithësi. Megjithëkëto edhe kjo përpjekje është e destinuar të dështoj, pasi Kosova mbështetet në vlerat demokratike perëndimore që na kanë forcuar neve së brendshmi dhe e kanë forcuar partneritetin tonë së jashtmi me aleatët rajonalë, strategjikë, evropianë e amerikanë.
Ky bashkëpunim dhe përkushtim i Kosovës ndaj sigurisë, paqes e stabilitetit të qëndrueshëm do të triumfojë ndaj çdo përpjekjeje për destabilizim. Kosova është një shembull për rajonin dhe më gjerë për mënyrën se si i trajton komunitetet pakicë apo joshumicë, dhe për institucionet e saj demokratike. Liria dhe demokracia që mbizotërojnë në Kosovë dëshmojnë përkushtimin tonë ndaj parimeve të barazisë dhe të drejtësisë. Nuk është e rastësishme që sipas Freedom House është pikërisht Republika jonë ajo ka shënuar avancimin më të madh në rajon, të dytin në Evropë dhe e tretin në botë për përmirësimin e të drejtave politike dhe lirive civile.
Qytetarët e Kosovës si në veri të Ibrit ashtu edhe në jug të tij, duhet t’u besojnë institucioneve të sigurisë të cilat janë të përkushtuara për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve pa dallim. Institucionet e Kosovës kanë treguar se janë të vullnetshme dhe të afta përveç se të gatshme të mbrojnë qytetarët dhe të ruajnë rendin demokratik duke përfaqësuar një sistem që funksionon në interes të të gjithëve dhe nuk lë asnjëri mbrapa.
Të dashur qytetarë,
Për tash e një kohë, vendi ynë është cak i formave të ndryshme të Luftës Hibride. Në shtator 2022 kemi pasur sulme kibernetike që për shënjestër kanë pasur webfaqet e institucioneve me qëllim defunksionalizimin e tyre. Në shtator të vitit 2023 patëm sulmin paramilitar në Banjskë që për qëllim kishte aneksimin e veriut të vendit tonë. Krahas dezinformimit të vazhdueshëm që synon uljen e besimit në institucionet publike e të sigurisë dhe çorientimin e qytetarëve, tash Luftës Hibride ndaj vendit tonë i është shtuar edhe sulmi kinetik me cak infrastrukturën kritike dhe me qëllim ndërprerjen apo vështirësimin e shërbimeve esenciale dhe çrregullimin e jetës shoqërore e qytetare, institucionale dhe ekonomike.
Megjithatë, në secilin rast ne kemi dalur fitimtar, sepse shteti ynë është edhe i fortë edhe i drejtë. Edhe në rastin të fundit, nga shteti është kërkuar reagim i shpejtë, organizim e profesionalizëm nga të gjitha institucionet e ndërmarrjet publike për të siguruar shërbime esenciale edhe për përballje me situata të këtillë emergjente. Përgjatë dy ditëve të fundit, institucionet e ndërmarrjet publike kanë dëshmuar se janë përsëri e vazhdimisht në krye të detyrës, për çfarë u jemi pafundësisht falënderues e mirënjohës.
Para se t’ia jap fjalën ministres Rizvanolli, është e qartë që qëndrimi i lirë dhe aktiv i kryekriminelit Millan Radoiçiq në Serbi është e vërteta e Serbisë e cila po përpiqet që gjithë fqinjët e saj që nuk janë anëtarë të Bashkimit Evropian, të i vë në kushte të tensionit dhe rrezikut të destabilizimit.
Liria e Millan Radoiçiq në Serbi, përveç se përbën një mbrojtje të hapur të një terroristi nga autoritetet serbe, është gjithashtu një inkurajim për të tjerët për të kryer akte terroriste dhe kriminale në Kosovë. Ky qëndrim përçon një mesazh të qartë se veprime të tilla jo vetëm që atje tolerohen, por edhe mbështeten nga shteti serb. Pas sulmit në Banjskë kanë pasuar sulme të tjera, përfshirë edhe këtë, aktin e fundit terrorist në kanalin Ibër-Lepenc në Zubin Potok dhe këto ngjarje po e dëshmojnë se Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ta parandaluar terrorizmin. Përkundrazi, veprimet e saj nxisin atë për destabilizim në rajon. Serbia vazhdon të mbështes grupet terroriste me armë, financa dhe logjistikë.
Për më tepër, përhapja e gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimet e vazhdueshme për luftë dhe kthimin e ushtrisë, krijojnë një klimë që fasiliton sulmet terroriste. Kjo strategji është një përpjekje për të mbajtur tensione të larta dhe për të minuar sigurinë e stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit.
Mirëpo, përkundër këtyre tendencave dhe synimeve të errëta, Republika e Kosovës, shteti ynë demokratik me gjithë mekanizmat shtetëror është në funksion të mirëqenies së qytetarit, të të drejtave të tij e të saj, pa dallim etnie e religjioni, e pa dallim gjeografie, pra vendbanimi.
E tash për disa prej aktiviteteve të ndërmarra gjatë këtyre 48 orëve për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve esenciale për qytetarët dhe për situatën aktuale, e ftoj ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, që të marrë fjalën.
Fjala e plotë hyrëse e ministres së Ekonomisë, Artane Rizavnolli:
I nderuar Kryeministër,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë,
Përgjatë dy ditëve të fundit, përderisa institucionet e sigurisë kanë qenë duke punuar për të sjellur para drejtësisë kryerësit e sulmit terrorist në Zubin Potok dhe duke ofruar mbrojtje të infrastrukturës kritike, fokusi i ndërmarrjeve publike, Ministrisë së Ekonomisë dhe institucioneve të tjera si Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, ka qenë në zgjidhjet emergjente për të siguruar furnizim të rregullt me energji dhe me ujë.
Me të marrë lajmin për sulmin në kanal, kemi pasur një mobilizim të menjëhershëm të të gjitha institucioneve dhe ndërmarrjeve relevante. Ekipet e “Ibër Lepencit” së bashku me Policinë e Kosovës kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe në afat rekord, vetëm shtatë orë pas sulmit, kanë zbatuar një zgjidhje të përkohshme për të mundësuar rrjedhën e ujit në kanal.
Ndërkohë, së bashku me KEK-un, kemi parë alternativat e sigurimit të ftohjes për Termocentralin “Kosova B”. Brenda pak orësh, me ndihmën e Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave (AME) dhe kompanive rajonale të ujësjellësit, në KEK kemi pasur dhjetëra cisterna uji të gatshme për të ndihmuar me furnizim shtesë për Termocentralin. Rezervat e ujit të ftohjes në KEK dhe rrjedhat e ujit në kanal janë monitoruar përgjatë gjithë natës, duke u siguruar që kemi menaxhim optimal të kapaciteteve energjetike. Ndërkohë, KEK ka siguruar kapacitete prej 120 deri në 150 MW nga Korporata Energjetike e Shqipërisë (KESH) për 12 orë, për të mbuluar nevojat në rast se situata do të përshkallëzohej dhe do të kishte nevoje për ndalje të të blloqeve të termocentralit. Pas orës dy të mëngjesit, ekipet teknike të “Ibër Lepencit” arritën të instalojnë gjashtë tuba të përkohshëm, duke filluar me rrjedhë të ujit prej 1,500 m3 në orë, që është më pak se ⅓ e kapacitetit të zakonshëm të kanalit. Me këtë rast, prioritet yni absolut ishte që të sigurohet sasia e mjaftueshme e ujit për Termocentralin “Kosova B”, ndërkohë që ishte e domosdoshme të ndalej furnizimi i fabrikave të ujit që furnizohen nga “Ibër Lepenci”, të cilat i përmendi Kryeministri më herët. Si rrjedhoje, brenda 36 orëve të para pas sulmit ka pasur reduktime të plota ose të pjesshme në komunat e rajonit të Prishtinës e Mitrovicës, të cilat i përmendi edhe Kryeministri. Për t’iu siguruar qytetarëve në ato zona ujë të pijshëm ose ujë sanitar, që në orën tre të natën e sulmit kemi pasur pasqyrën e zonave të ndikuara dhe një plan për të siguruar që në të gjitha komunat e ndikuara kemi furnizim me autobotë: nga një në Drenas, Skenderaj, Zveçan, Fushë Kosovë, Mitrovicë të Veriut dhe tre në Mitrovicë të Jugut.
Mbrëmë, rreth 24 orë pas sulmit, furnizimi me ujë në KEK ka arritur nivel optimal të furnizimin me ujë, ndërkohë që “Ibër Lepenci” ka filluar ta ngrisë gradualisht rrjedhën e ujit në kanal, gjë që ka mundësuar fillimin e furnizimit të fabrikave të ujit, së pari në Balincë e Shipol mbrëmë, e sot në orët e hershme të mëngjesit në Shkabaj dhe Drenas. Rrjedhimisht, përderisa po flasim, të gjitha fabrikat e ujit janë në funksion dhe furnizimi me ujë është rikthyer në të gjitha komunat.
Rasti i sulmit në kanalin e “Ibër Lepencit” tregoi qartë se siguria e furnizimit me ujë dhe energji është një komponent jetike i sigurisë kombëtare dhe rrezikimi i këtyre shërbimeve thelbësore, rrezikon mirëqenien e qytetarëve dhe aktivitetin ekonomik e sigurinë kombëtare.
Mirëpo, reagimi i institucioneve tona e bëri edhe një gjë tjetër të qartë, institucionet e Republikës së Kosovës dhe ndërmarrjet tona publike janë të përgatitura të përballojnë kërcënime të tilla, duke siguruar që furnizimi me ujë dhe energji të rikthehej shpejt dhe pa pasoja të gjera për qytetarët.
Me këtë rast dua t’i falënderoj thellësisht ekipet e “Ibër Lepencit”, KEK-ut, të kompanive rajonale të ujësjellësit, AME-në, ekipet e zjarrfikësve dhe sigurisht Policinë, e institucionet e sigurisë, për mobilizimin dhe angazhimin e pashoq, që na ka ndihmuar të tejkalojmë me sukses momentet kritike pas sulmit më të madh ndonjëherë ndaj infrastrukturës sonë kritike.
Ndërkohë, “Ibër Lepenci” është duke vazhduar punën me ekspertë dhe me përkrahjen Ministrisë së Mjedisit, Planifikimi Hapësinor dhe Infrastrukturës, për të bërë sanimin afatgjatë të kanalit, ndërkohë që po e monitoron së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet e sigurisë 24 orë në ditë lokacionin ku ka ndodhur sulmi dhe rrjedhën e ujit aty, për të siguruar që zgjidhja teknike emergjente që është bërë është e qëndrueshme deri në gjetjen e zgjidhjes dhe zbatimin afatgjatë.
Gjithashtu dua të falënderoj me këtë rast edhe Korporatën Energjetike Shqiptare (KESH), që në ato momente të vështira kishte gatishmërinë për të na ndihmuar.
Dhe në fund do ta përmbyll me një përkujtim, që tani më është i zakonshëm, veçanërisht gjatë muajve të dimrit. Sulmet si ky janë të jashtëzakonshme, mirë po nga ana tjetër përderisa lufta në Ukrainë vazhdon dhe situata e sigurisë dhe gjeopolitike është kaq e ndjeshme, situata e furnizimit dhe çmimeve të energjisë elektrike në treg do të jetë gjithnjë një problem potencial. Andaj sikurse gjatë muajve e viteve të kaluara, lusim qytetarët dhe bizneset që të jenë shumë të kujdesshëm në masën që është e mundshme në kursimin e energjisë elektrike dhe optimizimin e shfrytëzimit të energjisë elektrike. Çdo masë e vogël ndihmon jo vetëm në përballimin e sfidave aktuale, por edhe në forcimin e qëndrueshmërisë së vendit tonë për të ardhmen.
Ju faleminderit!
Last modified: 1 Dhjetor, 2024