Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës

26 Nëntor, 2024

Prishtinë, 26 nëntor 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP), bashkë edhe me nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, dhe ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli.

Në adresimin e tij para të pranishmëve, kryeministri veçoi se kjo është një ditë për të reflektuar mbi rrugëtimin e ARKEP-it, dhe për të festuar sukseset që janë arritur në avancimin e fushës së komunikimeve elektronike e shërbimeve postare, të cilat i rregullon ky rregullator.

“Sot Kosova është një prej liderëve në rajon për shërbimet e internetit brezgjërë. Edhe në telefoninë mobile, përkatësisht 4G e 5G, edhe në lokacione fikse, pra, në amvisëritë e në bizneset tona. Shërbimet postare në Kosovë kanë njohur hov të lartë të zhvillimit, shpejtësi, kudondodhje dhe cilësi”, theksoi ai.

Kryeministri tha edhe se ARKEP-i ka luajtur një rol kyç në transformimin e komunikimeve elektronike e postare në vendin tonë. Me këtë rast, kryeministri veçoi disa nga arritjet më të spikatura të viteve të fundit.

“Me rimëkëmbjen e operatorit publik dhe kujdesin e veçantë për aplikim të teknologjive të sigurta e me origjinë nga vende mike, si Qeveri i kemi dhënë sinjale të qarta dhe pozitive këtij sektori. Të dy operatorët e telefonisë mobile po e zgjerojnë shtrirjen e rrjetit të shërbimeve 5G, përfshirë këtu edhe veriun e vendit tonë. Të dy këta bashkë, me shërbimet e tyre, do të jenë të dobishëm për publikun, qytetarët, bizneset dhe institucionet e Kosovës”, shtoi kryeministri, duke theksuar se Kosova e ka përqindjen më të lartë të shtrirjes së rrjetit dhe penetrimit të shërbimeve të internetit në amvisëri e biznese.

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë rrugëtim nga ekipi i ARKEP-it e deri te profesionistët e palodhur, zyrtarët, administratën, Ministrinë e Ekonomisë, dhe partnerët tanë zhvillimorë. “Falë vizionit pasionant dhe punës suaj të pandalshme, sot mund të themi se Kosova është duke u bërë një rast suksesi në sektorin e komunikimeve elektronike dhe postare”, përfundoi ai.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës,

I nderuari Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi,

E nderuara ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli,

Të nderuar anëtarë të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare,

I nderuari kryesues në ardhje i BEREC, z. Mišmaš,

Të nderuar përfaqësues të rregullatorëve nga rajoni, z. Bako nga ARKEP i Shqipërisë, z. Akiku, nga AEK-u i Maqedonisë së Veriut, z. Darko Grgurovic, nga EKIP i Malit të Zi,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Të nderuar zëvendësministra,

Të nderuar operatorë të rrjetit të shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe të shërbimeve postare,

Përfaqësues e drejtues të institucioneve të shtetit e të ndërmarrjeve publike,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Jemi mbledhur këtu për të shënuar një moment të rëndësishëm, 20 vjetorin e themelimit të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP). Kjo është një ditë për të reflektuar mbi rrugëtimin e ARKEP-it, dhe për të festuar sukseset që janë arritur në avancimin e komunikimeve elektronike e shërbimeve postare.

ARKEP-i ka luajtur një rol kyç në transformimin e komunikimeve elektronike e postare në vendin tonë, andaj le të ndalemi dhe ta vlerësojmë atë për të gjitha këto arritje të spikatura sidomos të këtyre viteve të fundit.

Sot Kosova është një prej liderëve në rajon për shërbimet e internetit brezgjërë. Edhe në telefoninë mobile, përkatësisht 4G e 5G, edhe në lokacione fikse, pra, në amvisëritë e në bizneset tona. Shërbimet postare në Kosovë kanë njohur hov të lartë të zhvillimit, shpejtësi, kudondodhje dhe cilësi.

Me ndarjen e resurseve të duhura frekuencore nga ana e ARKEP-it dhe politikave të Qeverisë, është hapur rrugë për fillimin e zhvillimin e hovshëm të shërbimeve 5G në vendin tonë. Në shkallë regjioni, Kosova e ka përqindjen më të lartë të shtrirjes së rrjetit dhe penetrimit të shërbimeve të internetit në amvisëri e biznese.

Me rimëkëmbjen e operatorit publik dhe kujdesin e veçantë për aplikim të teknologjive të sigurta e me origjinë nga vende mike, si Qeveri i kemi dhënë sinjale të qarta dhe pozitive këtij sektori. Të dy operatorët e telefonisë mobile po e zgjerojnë shtrirjen e rrjetit të shërbimeve 5G, përfshirë këtu edhe veriun e vendit tonë. Të dy këta bashkë, me shërbimet e tyre, do të jenë të dobishëm për publikun, qytetarët, bizneset dhe institucionet e Kosovës.

Me përkushtimin e institucioneve tona, iniciativës private e me mbështetjen e partnerëve, ku duhet nënvizuar projekti “KODE” i Bankës Botërore, Kosova sot ka mbulueshmëri të internetit mbi 99.8%. Kjo është një prej shkallëve më të larta të mbulueshmërisë në Evropë, dhe një dëshmi e qartë e përkushtimit tonë që në rrugëtimin tonë të transformimit digjital të mos e lëmë askënd prapa.

Nga ky zhvillim, Kosova po hyn në hartën botërore të shërbimeve të internetit. Muajin e kaluar ishte ARKEP që i lëshoi autorizimin për të ofruar shërbime në vendin tonë të operatorit global të internetit me satelit – StarLink.

Do të vazhdojmë me përkrahjen e zhvillimit të këtyre dy sektorëve në vendin tonë mbi parimin e tërësisë territoriale e në të mirë të bizneseve, institucioneve e secilit qytetar, pa dallim. Në këtë rrugë të zhvillimit më nuk do të pranojmë kushte e varësi nga monopolet e së kaluarës, apo ato me pronësi shtetërore e që vijnë nga shtete jo-mike.

Komunikimet elektronike e shërbimet postare janë e drejtë e secilit qytetar dhe mundësi e të bërit biznes për kompanitë tona e investitorët privat, të ditur e të dëshmuar.

Një zhvillim i rëndësishëm i kohëve të fundit është edhe zgjerimi i rrjetit të operatorëve mobil dhe shërbimeve postare edhe në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. Është përmirësuar ndjeshëm cilësia dhe disponueshmëria e shërbimeve edhe në këtë pjesë të vendit tonë, që për më shumë se 20 vjet ka vuajtur sa nga mungesa e rendit dhe ligjit, poashtu edhe nga mundësitë e kufizuara në fushën e komunikimeve elektronike e postare.

Në vitin 2022, me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, ARKEP zbatoi Sistemin Nacional të Monitorimit të Spektrit Frekuencor (SNMS). Ky sistem i rëndësishëm garanton mbikëqyrjen 24/7 të frekuencave në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe kontribuon në sigurinë kombëtare të vendit tonë.

Me moton “Konsumatori në Qendër”, ARKEP ka ndërmarrë hapa konkretë për fuqizimin e të drejtave të konsumatorëve, duke krijuar një departament të dedikuar pikërisht për këtë qëllim. Nga informimi i qytetarëve deri te cilësia e shërbimeve të qasjes në internet dhe thirrjeve, ARKEP është angazhuar në përmirësimin e përvojës së përdoruesve.

Në sektorët e tregjet që i rregullon ARKEP ka padyshim sfida të nivelit të lartë të kompleksitetit, por dhe vështirësi të trashëguara. Të parat janë të ngjashme në shumicën e vendeve anembanë globit, ndërkaq të dytat janë prodhuar nga shumë faktorë këtu brenda nesh. Duhet përgjigje dhe zgjidhje pa hezitim a vonesa për secilën prej tyre.

Që nga pandemia Covid-19 në nivel global, deri te lufta në Ukrainë e lufta hibride që burim e ka Federatën Ruse, e kemi të gjithë të qartë se sektori i komunikimeve elektronike u kthye në sektorin ku arritjet e mendjeve briliante të shoqërisë njerëzore po përdoren për të sulmuar pandershëm shtete demokratike, komunitete e grupe qytetarësh e politike nga struktura të shteteve autoritare.

Platforma mediatike po ashtu u prekën nga i njëjti problem. Sot më shumë se kurrë për të mbrojtur shumëçka në vendin tonë pritet një bashkëpunim i rritur midis ARKEP dhe Komisionit të Pavarur të Mediave si dhe institucioneve të sigurisë. Ky bashkëpunim duhet të ketë në qendër mbrojtjen e qytetarëve dhe jo rrallë herë edhe të shtetit e sigurisë së tij. Këto funksione në shtetin tonë i kryejnë pikërisht vetëm këto institucione e si të tilla kërkohet nga të gjithë që të jenë në krye të detyrës.

Nga secili rregullator pritet po ashtu të krijojë sinergji me rregullatorët e tjerë për të avancuar nivelin e mbikëqyrjes e të rregullimit të sektorëve. Si dhe për të krijuar mbrojtje nga konkurrenca e pandershme që dëmton bizneset e ndershëm dhe qytetarët e Republikës.

Tashmë në kushtet tona krijimi i kësaj sinergjie është më shumë se e nevojshme. Qeveria dhe agjencitë e saj ligjzbatuese do të qëndrojnë në krah tuajin dhe do t’ju mbështesin sipas rolit që u takon. Por, ju i prini dhe nga ju pritet që të ndihmoni e mbroni si qytetarët ashtu edhe shtetin, ashtu edhe konkurrencën fer e të lirë në sektorin tuaj.

Konkretisht këtë bashkëpunim intensiv është mirë ta shtrijmë e forcojmë në këto dy drejtime. Së pari, për të krijuar plotësisht kushtet për sektorë që japin shërbime duke mundësuar vlerë të shtuar, shtrirje e gjithëpërfshirje, dhe atë me cilësi e ndershmëri njëkohësisht. Dhe së dyti, duke vendosur koordinatat sido që të jetë e ardhmja në këtë sektor, për të cilën duhet sa më parë të nisë puna.

Në fund, dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë rrugëtim dy dekadash – ekipin e ARKEP-it, profesionistët e palodhur, zyrtarët, administratën, pastaj Ministrinë e Ekonomisë, dhe partnerët tanë zhvillimorë. Falë vizionit pasionant dhe punës suaj të pandalshme, sot mund të themi se Kosova është duke u bërë një rast suksesi në sektorin e komunikimeve elektronike dhe postare.

Urime 20 vjetorin dhe iu dëshiroj të arritura të tjera, të reja dhe të vazhdueshme edhe për shumë vite e dekada në vijim. Ju falemnderit.

 

Last modified: 27 Nëntor, 2024

Comments are closed.