Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sonte pjesë në ceremoninë solemne të organizuar me rastin e 80- vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Me këtë rast, ai theksoi se sot shënojmë një moment madhështor në historinë tonë kulturore, gjersa kjo bibliotekë është më shumë se një institucion; është një testament i qëndrueshmërisë së intelektit dhe shpirtit të popullit tonë e ku për tetë dekada është mbrojtur fjala e shkruar, kujtesa e kombit dhe e ardhmja e trashëgimisë sonë kulturore.
“Fillimisht dua të falënderoj stafin e Bibliotekës Kombëtare dhe të gjitha brezat e intelektualëve, studiuesve dhe lexuesve që kanë kontribuar në këtë udhëtim të përbashkët. Gjithashtu, një mirënjohje të thellë për organizatorët e këtij përvjetori, të cilët kanë bërë të mundur që sot të festojmë së bashku, nëpërmjet kreativitetit të tyre inspirues dhe pasionit insistues”, u shpreh ai.
Më tej, shtoi se në vitet e fundit, mbështetja e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë thelbësore në zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare. “Përmes projekteve të rëndësishme si krijimi i Qendrës së Digjitalizimit dhe pasurimi i koleksioneve me mbi 76,000 njësi të reja librash, kemi ndërtuar ura të forta mes së kaluarës dhe të ardhmes. Kjo qendër është bërë një pikë referimi për ruajtjen dhe digjitalizimin e trashëgimisë sonë, duke përfshirë mbi 873,000 objekte digjitale tashmë të qasshme për të gjithë lexuesit. Gjithashtu, rrjeti bibliotekar i Kosovës është forcuar përmes dhurimit të librave për 27 biblioteka shkollore dhe organizimit të programeve për aftësimin e bibliotekarëve”, tha kryeministri.
Kryeministri Kurti përmbylli fjalën e tij duke theksuar se Biblioteka Kombëtare e Kosovës është një monument aktiv i fjalës së shkruar dhe një dëshmi e gjallë e integritetit tonë kombëtar e në këto mure jetojnë idetë, zërat dhe ëndrrat e brezave që kanë ndërtuar vetëdijen tonë si popull.
“Teksa festojmë këtë përvjetor, le të përkushtohemi që të vazhdojmë ta forcojmë rolin e saj si një shtëpi e dijes shkencore dhe bukurisë artistike, si dhe një dritë udhëheqëse për të ardhmen”, përfundoi kryeministri.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca,
I nderuari Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku,
I nderuari Kryetar i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, profesor Bardh Rugova,
E nderuara Drejtore e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, znj. Blerina Rogova Gaxha,
I nderuari akademik, profesor, Andrija Mutnjaković, arkitekt i Bibliotekës sonë të Kosovës,
Të nderuar punonjës të Bibliotekës Kombëtare,
Të dashur dashamirës e miq të dijes, intelektualë dhe autorë, profesorë e studentë,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Sot shënojmë një moment madhështor në historinë tonë kulturore, 80 vjetorin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani.” Kjo bibliotekë është më shumë se një institucion; është një testament i qëndrueshmërisë së intelektit dhe shpirtit të popullit tonë. Për tetë dekada është mbrojtur fjala e shkruar, kujtesa e kombit dhe e ardhmja e trashëgimisë sonë kulturore.
Është një rastësi, mirëpo sapo u kthyem nga qyteti i Shtimes, ku inauguruam bibliotekën e re të komunës së Shtimes, investim ky i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. E është kënaqësi që ditën ta vazhdojmë në shtëpinë tjetër të librit e cila po shënon 80 vjetorin e aktivitetit të saj. Kjo ngjarje nuk është vetëm një përvjetor, por një histori e pasur arritjesh dhe përkushtimi. Andaj, fillimisht dua të falënderoj stafin e Bibliotekës Kombëtare dhe të gjitha brezat e intelektualëve, studiuesve dhe lexuesve që kanë kontribuar në këtë udhëtim të përbashkët.
Gjithashtu, një mirënjohje të thellë për organizatorët e këtij përvjetori, të cilët kanë bërë të mundur që sot të festojmë së bashku, nëpërmjet kreativitetit të tyre inspirues dhe pasionit insistues. E me këtë rast më lejoni që t’iu falënderoj e t’iu përgëzoj edhe për këtë logo të qëlluar që edhe e ka brenda simbolin e bibliotekës sonë kombëtare, këtë spiralen antike ilire, që shënon 80-vjetorin e bibliotekës sivjet, por njëkohësisht edhe duket si pa kufi, pra si infiniti, si diçka që është tash e panumëruar dhe e panumërueshme.
E në vitet e fundit, mbështetja e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë thelbësore në zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare.
Përmes projekteve të rëndësishme si krijimi i Qendrës së Digjitalizimit dhe pasurimi i koleksioneve me mbi 76,000 njësi të reja librash, kemi ndërtuar ura të forta mes së kaluarës dhe të ardhmes. Kjo qendër është bërë një pikë referimi për ruajtjen dhe digjitalizimin e trashëgimisë sonë, duke përfshirë mbi 873,000 objekte digjitale tashmë të qasshme për të gjithë lexuesit. Gjithashtu, rrjeti bibliotekar i Kosovës është forcuar përmes dhurimit të librave për 27 biblioteka shkollore dhe organizimit të programeve për aftësimin e bibliotekarëve.
Ne jemi të nderuar të kemi mes nesh akademikun Andrija Mutnjaković, arkitektin vizionar të kësaj ndërtese ikonike, e cila qëndron si një simbol i përhershëm i identitetit tonë. Për herë të parë në historinë e saj 80 vjeçare, ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare do të futet së shpejti në renovim të tërësishëm. Hartimi i projektit arkitektonik është shumë afër përfundimit dhe marrjes së pëlqimeve nga institucionet përkatëse të trashëgimisë kulturore. Pjesë e këtij procesi ka qenë edhe vetë akademiku z. Mutnjaković, me të cilin janë konsultuar edhe intervenimet e nevojshme në këtë ndërtesë e për këtë ndërtesë. I falënderohemi kontributit të tij, dhe jemi shumë mirënjohës për praninë e tij në Kosovë gjatë këtyre ditëve.
Në mbrëmje, Filarmonia e Kosovës do të sjellë një koncert që mishëron harmoninë mes artit edhe kulturës, duke përforcuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet muzikës dhe letërsisë. Ekspozita retrospektive mbi 80 vitet e Bibliotekës Kombëtare dhe botimet e saj na japin mundësinë të reflektojmë mbi rrugën e kaluar dhe vizionin për të ardhmen.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës është një monument aktiv i fjalës së shkruar dhe një dëshmi e gjallë e integritetit tonë kombëtar. Në këto mure jetojnë idetë, zërat dhe ëndrrat e brezave që kanë ndërtuar vetëdijen tonë si popull. Teksa festojmë këtë përvjetor, le të përkushtohemi që të vazhdojmë ta forcojmë rolin e saj si një shtëpi e dijes shkencore dhe bukurisë artistike, si dhe një dritë udhëheqëse për të ardhmen.
Të nderuar të pranishëm,
Faleminderit të gjithëve për angazhimin dhe kontributin që kanë bërë të mundur këtë sukses të jashtëzakonshëm. Ju uroj një mbrëmje të këndshme, të përbashkët dhe frymëzuese!
Last modified: 25 Nëntor, 2024