Zyra e Kryeministrit

Fillojnë punimet për modernizimin dhe përmirësimin e sistemit të ujitjes Radoniqi-Dukagjini

25 Nëntor, 2024

 

Gjakovë, 25 nëntor 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, morën pjesë sot në përurimin e nisjes së punimeve të projektit për modernizimin dhe përmirësimin e sistemit të ujitjes Radoni-Dukagjin. Projekti ka vlerë 9.15 milionë euro edhe është i financuar nga Komisioni Evropian dhe zbatohet nga Banka Botërore.

Ky projekt është dëshmi e rezultat i raportit të shëndoshë me partnerë tanë pasi që vetëm gjatë qeverisjes sonë, në sektorin e bujqësisë vlera e mbështetjes nga partneritetet ndërkombëtare është 51 milionë euro, tha kryeministri.

“Të investosh në rehabilitim dhe modernizim të strukturave të ujitjes do të thotë që 11,750 hektarëve të tokës bujqësore t’ua mundësosh rritjen e efikasitetit të menaxhimit të ujit. Njëherit përmes këtij projekti do të funksionalizohet sistemi i ujitjes Dukagjini, i cili aktualisht është jashtë përdorimit”, u shpreh më tej kryeministri në fjalën e tij.

Ai theksoi se në buxhetin e vitit 2025 që u miratua në Kuvend javën që shkoi, për fushën e bujqësisë janë paraparë 90 milionë euro, e që së bashku me projektet e financuara nga partner ndërkombëtarë kjo shifër e tejkalon vlerën e 100 milionë eurove. Ky është viti i dytë me radhë që bujqësia do të ketë buxhet vjetor mbi 100 milionë euro.

E krahas buxhetit meritor për bujqësinë, kryeministri veçoi se për bujqit dhe fermerët i kemi thjeshtësuar procedurat burokratike në procesin e aplikimit për programet mbështetëse, dhe si rezultat kemi bujq e fermerë të lumtur e të kënaqur, dhe falë punës së tyre e mbështetjes sonë vitin e kaluar sipërfaqja e përgjithshme e tokës së punuar është rritur për afër 50% në krahasim me vitin 2019, viti i parë parapandemik.

Shefi për Bashkëpunim i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Johannes Madsenn Steinbaek, duke folur në emër të Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se ky projekt është i rëndësishëm si për Kosovën ashtu edhe për Bashkimin Evropian, sepse i përgjigjet disa prej sfidave kryesore me të cilat ballafaqohet sektori i bujqësisë në Kosovës.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuar Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci,
I nderuar Shef për Bashkëpunim i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Johannes Madsen Steinbaek,
E nderuar Zëvendës Menaxhere e Bankës Botërore për Kosovë, znj. Jane Millicent–Sprouser,
I nderuari deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, z. Agon Batusha
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë që të jem në mesin tuaj sot. Së bashku po e përurojmë nisjen e punimeve përmes projektit/grantit të financuar nga Komisioni Evropian dhe zbatuar nga Banka Botërore për përmirësimin dhe rehabilitimin e sistemeve të ujitjes në Kosovë në vlerë prej 9.15 milionë euro.

Ky projekt është dëshmi e rezultat i raportit të shëndoshë me partnerë tanë pasi që vetëm gjatë qeverisjes sonë, në sektorin e bujqësisë vlera e mbështetjes nga partneritetet ndërkombëtare është 51 milionë euro.

Të investosh në rehabilitim dhe modernizim të strukturave të ujitjes do të thotë që 11,750 hektarëve të tokës bujqësore t’ua mundësosh rritjen e efikasitetit të menaxhimit të ujit. Njëherit përmes këtij projekti do të funksionalizohet sistemi i ujitjes Dukagjini, i cili aktualisht është jashtë përdorimit.

Krahas investimeve të kësaj natyre, gjatë qeverisjes sonë rreth 120,000 fermerë janë përfitues të granteve e subvencioneve në vlerë prej 300 milionë euro. Për herë të parë kemi subvencionuar plehërimin pranveror dhe naftën në vlerë prej rreth 52.7 milionë euro.

Në buxhetin e vitit 2025 të cilin e miratuam në Kuvend javën që shkoi, për fushën e bujqësisë kemi paraparë 90 milionë euro e që së bashku me projektet e financuara nga partnerë ndërkombëtarë kjo shifër e tejkalon vlerën e 100 milionë euro. Ky është viti i dytë me radhë që bujqësia do të ketë buxhet vjetor mbi 100 milionë euro, ashtu edhe siç jemi zotuar.

E krahas buxhetit meritor për bujqësinë, për bujqit dhe fermerët i kemi thjeshtësuar procedurat burokratike në procesin e aplikimit për programet mbështetëse. Si rezultat kemi bujq e fermerë të lumtur e të kënaqur, dhe falë punës së tyre e mbështetjes sonë, vitin e kaluar sipërfaqja e përgjithshme e tokës së punuar është rritur për afër 50% krahasuar me vitin e parë parapandemik që ishte viti 2019.

Siç thotë ministri i Bujqësisë, për bukën e sofrës nga toka jonë e begatë.

Ju faleminderit e punime të mbara e të shpejta.

 

Last modified: 26 Nëntor, 2024

Comments are closed.