Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mirëpriti Kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik të Sanxhakut, Uglanin

14 Nëntor, 2024

 

Prishtinë, 14 nëntor 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës Saranda Bogujevci dhe zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Avni Zogiani, mirëpriti sot Sulejman Uglanin, Kryetar i Partisë për Veprim Demokratik të Sanxhakut (SDA), i shoqëruar me dy deputetët e partisë së tij në Parlamentin e Serbisë, Minela Kalender dhe Ahmedin Shkrijel. Bashkë me z. Uglanin ishin edhe dy anëtarë të partisë së tij, Esad Salihoviq, Kryetar i Bordit Ekzekutiv dhe Merfid Kameshçanin, Sekretar.

Kryetari Uglanin e njoftoi kryeministrin lidhur me betejën, të cilën partia e tij e zhvillon për Sanxhakun dhe liritë e të drejtat e njeriut. I njëjti theksoi që sundimi i ligjit dhe barazia e të gjithëve para ligjit janë themelet e kësaj beteje. Ai tha se qeverisja në Kosovë duhet të merret si model i mirë për shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke marrë parasysh këtu qëndrimet e qarta të qeverisë në raport me ruajtjen e paqes, të drejtave të njeriut dhe demokracisë.

Kryeministri Kurti falënderoi z. Uglanin dhe tërë delegacionin për vizitën. Ai tha që ka shumë hapësirë për më shumë aktivitete e bashkëpunim ndërmjet popullit shqiptar dhe boshnjak. Me këtë rast u theksua kontributi që mund ta jap mbështetja financiare për Sandaxhun, që parashihet në buxhetin e vitit 2025, por edhe njoftimi i Republikës së Kosovës, që qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës do të mund të udhëtojnë me letërnjoftime në drejtim të Kosovës, duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Kryeministri Kurti përshëndeti betejën e drejtë për respektim të lirive dhe të drejtave të njeriut nën udhëheqësin e Kryetarit Uglanin, të ngritur mbi bazën e barazisë dhe pacenueshmërisë.

Last modified: 14 Nëntor, 2024

Comments are closed.