Zyra e Kryeministrit

Adresimet e plota të kryeministrit Kurti dhe minsitrit të Financave, Murati në konferencën e përbashkët për media

29 Tetor, 2024

 

Prishtinë, 29 tetor 2024

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuara media,
Të dashur qytetarë,

Për këto katër vite qeverisje kemi arritur që të bëjmë transformime rrënjësore që janë në të mirë të qytetarit. Njëri nga këto transformime është edhe buxheti i shtetit.

Përgjatë qeverisjes sonë, kemi arritur që të rrisim të hyrat buxhetore si asnjëherë më parë. Teksa po përgatisim buxhetin për vitin 2025, të hyrat buxhetore të projektuara janë 3.3 miliardë euro. Kjo është për 90% më e lartë sesa niveli në vitin 2020, para qeverisjes sonë, apo nëse e krahasojmë me vitin para-pandemik 2019, është 74% më e lartë.

Të hyrat më të larta na kanë mundësuar edhe buxhet më të lartë, pa e ngarkuar arkën e shtetit me deficit buxhetor apo me borxh publik. Për vitin 2025, buxheti i planifikuar për shpenzim shënon nivelin mbi 3.6 miliardë euro, që krahasuar me vitin 2020 është për 60% më i lartë.

Këtë rritje nuk e arritëm duke rritur shkallët tatimore e duke ngarkuar qytetarët me më shumë tatim. Madje, tatimin edhe e zvogëluam duke e liruar pagën minimale nga tatimi në të ardhura personale, ku si rezultat secili i punësuar, qoftë në sektorin publik qoftë në atë privat, në fund të muajit ka edhe pak më shumë para në xhep.

Rritjen e të hyrave buxhetore e kemi arritur duke luftuar kontrabandën e duke shtrënguar kontrollin e kufijve tanë. Rritjen e të hyrave e kemi arritur duke e shtrirë barrën tatimore edhe tek ata që në të kaluarën konsideroheshin si më të fortë se shteti, e shteti nuk guxonte t’u shkonte te dera për t’ua kërkuar tatimin.

Por më së shumti, rritjen e të hyrave e kemi arritur duke mbështetur rritjen e qëndrueshme të ekonomisë së vendit tonë. Në njërën anë, duke mbështetur bizneset e prodhuesit që ata të krijojnë vende të reja të punës, ndërkaq në anën tjetër duke rritur mbështetjen për familjet që ato të rrisin aktivitetin ekonomik dhe të përforcojnë edhe më tej qarkun ekonomik të shtimit të vendeve të reja të punës, sepse më shumë kërkesë e më shumë aktivitet rezulton në nevojë për më shumë vende pune.

Për këto katër vjet qeverisje, Bruto Produkti Vendor është rritur aq sa për herë të parë sivjet do të tejkalojë shifrën prej 10 miliardë eurove, kurse për vitin e ardhshëm pritet të shkojë përtej 11 miliardë euro. Pra, po vazhdon trendi ku me qeverinë tonë ekonomisë së Kosovës i shtohen nga 1 miliard euro në vit. Në vitin 2020 Bruto Produkti Vendor ishte vetëm 6.7 miliardë, e në vitin para-pandemik 2019, ishte vetëm 7 miliardë euro. Sivjet po e kalojmë 10 miliardëshin, e vitin e ardhshëm do ta kalojmë 11 miliardëshin.

Kjo rritje ekonomike ka qenë edhe gjithëpërfshirëse, sepse për herë të parë kemi edhe shtimin konsistent të vendeve të punës krahas rritjes ekonomike. Pra, për secilin vit të qeverisjes, kemi shtim pozitiv të vendeve të reja të punës dhe deri më tani janë mbi 75 mijë vende të reja pune të regjistruara sipas shifrave zyrtare.

Pra, jemi munduar që paratë e mbledhura në buxhet, përsëri t’i kthejmë te qytetari, qoftë në shërbime më efikase publike, qoftë si mbështetje shtesë për familjet. E kjo pastaj na është kthyer në më shumë rritje të ekonomisë, e rrjedhimisht edhe në më shumë buxhet.

Prandaj edhe jemi të përkushtuar që ta vazhdojmë këtë formulë të suksesit, ku buxheti vihet në shërbim të qytetarit, e jo të një grupi të vogël interesi siç rëndom ndodhte në të kaluarën.

Dy muaj më parë, për 3 vjetorin e lansimit të programit të shtesave për fëmijë, prezantuam edhe skemën e ridizajnuar, e cila dyfishon e në rastet me tre e më shumë fëmijë edhe trefishon të ardhurat për familjen nga shtesat. Kjo e sjell totalin vjetor të mbështetjes për familjen në 120 milionë euro, apo 60 milionë euro më shumë se që ishte tre muaj më parë.

Në fillim të këtij muaji, prezantuam edhe rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë për së paku 20%, që përkthyer në vlerë monetare i bie 100 milionë euro në vit më shumë për pensionistët tanë.

Dhe tani, teksa po e finalizojmë ligjin e buxhetit për vitin e ardhshëm, kemi edhe një lajm të mirë për të gjithë punonjësit e sektorit publik.

Me hyrjen në fuqi të ligjit të pagave në sektorin publik, në vitin 2023 kemi pasur rritjen më substanciale në dekadën e fundit, duke e shtuar buxhetin e pagave për 114 milionë euro. Edhe në vitin 2024 aplikuam rritjen e koeficientit duke e ngritur atë nga 105 në 110 euro. Ndërsa tani në vitin 2025, do të jetë viti i tretë që i rrisim pagat radhazi.

Pra, përderisa në të kaluarën pagat rriteshin vetëm një herë brenda mandatit, dhe atë vetëm në fushatë, me qeverisjen tonë të mirë e demokratike po rriten në secilin vit që nga hyrja në fuqi e ligjit të pagave, ashtu siç e parasheh edhe ligji.

Një gjë duhet theksuar, që rritjen për secilin vit, e kemi bërë dhe po vazhdojmë ta bëjmë në përputhje me atë që e parasheh ligji për financat publike. Pra rritja e pagave duhet të jetë në linjë me rritjen ekonomike, sepse përndryshe financat e shtetit mund të hyjnë në shtegun e paqëndrueshmërisë në afatgjatë, dhe kjo do të ishte një papërgjegjësi.

Por fatmirësisht, gjatë këtyre viteve në qeverisje ne edhe e kemi dëshmuar që dijmë të sillemi me nikoqirllëk me paranë publike, por edhe e kemi rritur ekonominë. Këto të dyja bashkë, na kanë mundësuar që edhe për vitin e ardhshëm të bëjmë një rritje substanciale të pagave në sektorin publik, gjithnjë duke ruajtur qëndrueshmërinë afatgjatë të buxhetit, si dhe duke qenë në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.

Tani, te tema që të gjithë e presin, sa do të jetë koeficienti.

Duke pasur parasysh nevojën për të mbështetur më së shumti ata që kanë paga më të ulëta, sidomos në këto kohë kur i gjithë globi po përballet me kosto të rritur të jetës, ne kemi shkuar në maksimumin e lejuar të rritjes buxhetore për pagat, dhe njëkohësisht kemi vendosur që të mos e rrisim vlerën e koeficientit, por ta rrisim koeficientin për një njësi, për secilin punonjës të sektorit publik.

Pra, vlera e një koeficienti mbetet 110 euro, mirëpo rritet sasia e koeficientëve për një njësi, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm për 0.5 njësi, pra për gjysmë njësie, dhe pastaj nga korriku i vitit të ardhshëm edhe për 0.5 njësi të tjera. Me fjalë tjera, dikush që e ka koeficientin 5.6, në janar i bëhet 6.1, kurse në korrik koeficienti i bëhet 6.6. Ngjashëm edhe për dikë që ka koeficientin 10.5, nga janari i bëhet 11.0, kurse nga korriku i bëhet 11.5.

Shprehur në vlerë monetare, i bie që të gjithë të punësuarit në sektorin publik, pagat për ta do të rriten për 55 euro duke filluar nga janari, dhe për 110 euro nga muaji korrik i vitit të ardhshëm 2025.

Në këtë mënyrë, rritjen buxhetore e shpërndajmë mbi-proporcionalisht tek ata që kanë pagat më të ulëta, duke zvogëluar kësisoj edhe më tej hendekun në mes të pagës më të lartë dhe asaj më të ulët.

Pra, për mësuesin, policin, ushtarin, infermierin, zjarrfikësin, rritja në përqindje do të jetë rreth 18-20%, kurse për pozitat më të larta rritja në përqindje do të jetë 6-7%.

Kostoja e plotë vjetore e kësaj rritjeje do të jetë rreth 120 milionë euro, e që bashkë me rritjen që kemi bërë për pensionet dhe për shtesat e fëmijëve, e sjell totalin në 280 milionë euro më shumë para në xhepat e qytetarëve vetëm nga këto 3 masa.

Si qeveri për të gjithë, do të vazhdojmë të punojmë edhe më tej, që buxhetin e shtetit ta shfrytëzojmë në të mirë të të gjithë qytetarëve.

Ju faleminderit!

Fjala e plotë e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati:

Është kënaqësi të jem sot me ju këtu dhe para jush, media të nderuara, para të gjithë qytetarëve si dhe para punonjësve të sektorit publik, për të cilët kryeministri sapo dha lajmin e mirë, që nga janari parashihet rritja e pagave, por jo siç ka qenë rëndom pra që të rritet vlera e koeficientit dhe proporcionalisht te përfitojnë te gjithë. Kësaj radhe, kemi vendosur që buxheti i maksimalizuar për rritjen e pagave, pra kemi shkuar ne maksimumin e lejuar sipas ligjit e falë rritjes ekonomike edhe kemi pasur hapësirë te mjaftueshme, dhe atë buxhet që e kemi pasur në vend që ta shpërndajmë proporcionalisht, pra tek të gjithë me përqindjen e njëjtë, kemi vendosur që ta shpërndajmë në vlerë absolute, ku pastaj nëse përkthehet në përqindje i bie për disa pozita që kanë paga më të ulëta, rritja në përqindje do të jetë shumë e lartë, ndërsa për pozitat e larta drejtuese rritja mund të jetë 5, 6 apo 7% varësisht nga niveli i koeficientit.

Kësisoj edhe po e ruajmë qëndrueshmërinë fiskale por edhe po sigurohemi që ata që janë kontribuesit më të mëdhenj për funksionimin e vazhdueshëm të administratës publike, të shërbimeve publike si mësuesit, zjarrfikësit, policët, ushtarët, administrata publike, pra profesionistët që punojnë këtu, të përfitojnë më së shumti nga kjo rritje. Gjithsesi, edhe në diskutimet që kemi pasur me partnerët tanë ndërkombëtarë, saktësisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka qenë një negocim i vazhdueshëm që ata t’i bindim, dhe falë disiplinës fiskale dhe maturisë sa i përket politikave fiskale qe kemi treguar në katër vitet e fundit, ka qene më e lehtë që të binden që të shkojmë me këtë version.

Rritja pra bëhet në dy faza (dy hapa), në mënyrë që të mundësohet përfshirja edhe brenda për brenda kufirit buxhetor. Pra fillimisht rritja do të bëhet me gjysmë njësie të koeficientit nga janari, nga pagat e janarit, apo përkthyer në vlerë monetare 55 euro bruto për të gjithë të punësuarit. Kurse nga korriku hyn në fuqi edhe pjesa e dytë e rritjes, gjysma tjetër e koeficientit, për të rezultuar në një koeficient të plotë, pra 110 euro shtesë për secilin të punësuar në sektorin publik, rritje e pagës.

Në vazhdim mund të shohim disa shembuj të disa prej pozitave kyçe. Pra mund ta shihni sa është koeficienti tash dhe sa rezulton paga bazë pa shtesat e përvojës se punës dhe shtesat tjera që mund të parashihen, dhe sa do të duket paga me koeficientin e ri si dhe rritja e shprehur në përqindje.

Siç e shihni ka rritje prej 17. 85% për mësuesin dhe ushtarin e deri në 20% për policët, zjarrfikësit, infermierët. Duhet të kemi parasysh që ka edhe pozita me koeficientin 4, përkatësisht punëtorët teknikë, për të cilët rritja e shprehur në përqindje do t’i bie mbi 25%. Do me thonë, kemi dashur dhe jemi siguruar që ato para që i kemi pasur në dispozicion që kanë rezultuar si rezultat i mirëmenaxhimit të buxhetit për këto katër vjet dhe e rritjes së qëndrueshme ekonomike, t’i shpërndajmë sa më shumë tek ata që kanë pagat më të ulëta në mënyrë që edhe në vazhdim të zvogëlojmë hendekun në mes të pagës më të lartë dhe asaj më të ulët në sektorin publik. Pra, nga 1 janari 2025 shtohet 0.5 njësi koeficienti për të gjithë të punësuarit, kurse nga korriku i vitit 2025 shtohet edhe 0.5 njësi koeficienti tjetrë – në tërësi një koeficient për secilin të punësuar në sektorin publik.

Pra, kjo është çfarë kemi arritur të bëjmë dhe besoj që është lajm tepër i mirë për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, sepse kemi dëgjuar kohëve të fundit që ka pasur premtime të paqëndrueshme dhe të pasakta e që nuk përkojnë as me realitetin buxhetor e as me ligjshmërinë dhe kornizën ligjore. Mirëpo kësisoj, ne po arrijmë që duke ndryshuar formulën e kalkulimit dhe formulën e rritjes, rritja të shpërndahet me tepër tek ata që kanë paga më të ulëta, si përqindje pra edhe mbi 20% deri në 25 apo 30% për disa raste specifike.

Faleminderit që ishit sot këtu.

Last modified: 30 Tetor, 2024

Comments are closed.