Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti u takua me historianin dhe publicistin polak Adam Michnik

3 Tetor, 2024

 

Varshavë, 3 tetor 2024

Ditën e djeshme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me historianin dhe publicistin polak Adam Michnik. I mirënjohur dhe me ndikim në Poloni, Michnik kishte edhe një vëmendje të veçantë për Kosovën.

Në zyrën e Adam Michnik në Gazeta Wyborcza, Kryeministri dhe Michnik diskutuan për autorët e shquar polakë Czesław Miłosz dhe Wisława Szymborska dhe Michnik foli për konsideratën e tij për autorët shqiptarë Ismail Kadare, Fatos Lubonja si dhe intelektualët shqiptarë të Kosovës Adem Demaçi dhe Veton Surroi.

Kryeministrit Kurti kujtonte se ka lexuar çdo artikull të Michnik të përkthyer në shqip në Koha Ditore – ai veçohet si një mendimtar liberal dhe demokrat evropian frymëzues dhe i zhytur në mendime, i cili u angazhua me Kosovën dhe rajonin tonë. Nuanca e humorit të tij është ai i një të burgosuri politik.

Përgjatë bashkëbisedimit, kryeministri përshkoi historinë moderne të Kosovës, e njoftoi për progresin në Kosovë dhe e njohu z. Michnik me ngjarjet kryesore që kanë karakterizuar përpjekjet e vendit tonë për çlirim dhe pavarësim, prej kohës së shkrimeve të tij më të shumta për Kosovën, para dhe rreth luftës.

Ai diskutoi dhe mbi marrëdhëniet me fqinjin tonë verior, Serbinë, e qasjen e tyre të vazhdueshme agresore ndaj shtetit tonë.

Biseda u përqëndrua edhe te historitë, personalitetet, dhe ngjarjet që kanë ndikuar mbi historinë e Kosovës, historinë e Ballkanit dhe historinë e Polonisë. Michnik ka qenë disident, i burgosur politik dhe mendimtar e komentues i dalluar i vendit të tij polak.

Michniku kishte qenë në Prishtinë për të dhënë një ligjëratë para shumë viteve, ku të pranishëm ishin edhe komuniteti polak që jeton në Kosovë. Kryeministri e ftoi z. Michnik në Kosovë për të vazhduar bashkëbisedimin.

Last modified: 3 Tetor, 2024

Comments are closed.