Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti u takua me Kryeministrin e Islandës, Bjarni Benediktsson

25 Shtator, 2024

New York, 25 shtator 2024
Qëndrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, vijoi me takimin e radhës me Kryeministrin e Islandës, Bjarni Benediktsson.
Kryeministri Kurti e falënderoi shtetin e Islandës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur ndaj Kosovës në etapat shtetndërtuese. Gjithashtu shprehu mirënjohjen për përkrahjen mbi liberalizimin e vizave me vendet e zonës Shengen dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës.
Palët biseduan mbi rëndësinë e zhvillimit edhe më tej të marrëdhënieve bilaterale përmes rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, në kuadër edhe të EFTA-s, si një platformë e mirë për bashkëpunim konkret ekonomik.
Duke shprehur orientimin pro perëndimor të Republikës së Kosovës dhe qëllimin kyç të vendit për anëtarësim në NATO, ku Islanda është edhe një nga anëtaret themeluese, Kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen e Islandës për aderimin në këtë organizatë.
Përgjatë takimit u bisedua dhe për mbështetjen në rihapjen e hapësirës së ulët ajrore, e ku kryeministri kërkoi po ashtu edhe përkrahjen e Islandës për anëtarësimin tonë në organizata si ICAO, EASA dhe Eurocontrol.
Teksa theksoi edhe njëherë gatishmërinë dhe vullnetin për thellimin e bashkëpunimit të dyanshëm, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për takimin dhe bisedën e frytshme.

Last modified: 25 Shtator, 2024

Comments are closed.