Suharekë, 16 shtator 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, mbrëmjen e sotme qëndroi për vizitë në Komunën e Suharekës, me rastin e hapjes solemne të përurimit të Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi”. Atje u mirëpritën nga Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj si dhe familjarë të familjes Bytyçi. Në këtë ceremoni e pranishme ishte presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu.
E veçanta e këtij përurimi të Shtëpisë së Kulturës, është se po bëhet pikërisht në prag të shënimit të përvjetorit të 22-të të rënies së ish kryetarit të Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçit, dhe vetëm dy muaj pas ditëlindjes së 69-të të tij.
E ndërtuar në mënyrë që t’i shërbejë komunitetit artistik dhe rinisë, kjo shtëpi është një tregues i angazhimit të madh për të kultivuar prodhimin e kulturës në Republikën e Kosovës, si dhe synimi saj është ofrimi i kushteve sa më të mira infrastrukturore dhe mjedis të përshtatshëm.
“Kjo Shtëpi e Kulturës që do të shërbejë si shtëpi e artit dhe kulturës, do të jetë në dispozicion për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në pasurimin e jetës kulturore dhe shoqërore të Suharekës”, u shpreh kryeministri Kurti.
Funksionalizimi i kësaj hapësire të re ka sjellë në jetë një ndërtesë që tashmë është një prej qendrave më të mira në Kosovë për nga hapësira, funksioni, dhe mundësitë që i ofron komunitetit artistik të komunës së Suharekës dhe jo vetëm.
Falë investimit dy pjesësh në shumën prej afër 4 milionë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në njërën anë, dhe më bashkëpunimin e Komunës së Suharekës në anën tjetër është arritur që të finalizohen hapësirat e bollshme të Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi”, të cilat për të gjithë artdashësit do të ofrojnë mundësi për të akomoduar aktivitetin e institucioneve të kulturës edhe aktivitetet e artistëve dhe organizatave nga skena e pavarur kulturore.
Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti potencoi se ky është një shembull pozitiv dhe i duhur i bashkëpunimit të institucioneve qendrore dhe atyre lokale për të mirën e qytetarëve tanë.
“Në futboll: Ballkani e Suhareka; në basketboll: Golden Eagle Ylli; gjatë verës qytet i Karnavalit; pa dashur t’i përmendi zërat e bukur të këngës që dalin nga ky vend, më duhet ta them se nuk kishte se si të mos e ndërtonim këtë hapësirë kaq të madhe e kaq të bukur, për këtë qytet përplot gjallëri, e talentë në Suharekën tuaj, në Suharekën tonë.”, ishin fjalët e kryeministrit Kurti, në përurimin e Shtëpisë së Kulturës.
Në përmbyllje ai i përgëzoi dhe i uroi të gjithë pjesëmarrësit dhe qytetarët e Komunës së Suharekës, për ndërtesën re, e veçanërisht artistët, krijuesit dhe publikun e artit e të kulturës nga Suhareka dhe më gjerë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës,
I nderuari z. Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
I nderuari z.Bali Muharremaj, kryetar i Komunës së Therandës,
E nderuara znj. Kymete Bytyçi, bashkëshortja e Ukë Bytyçit,
E nderuara familje Bytyçi,
Të nderuar deputetë të Kuvendit dhe kolegë të tjerë nga Qeveria,
Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Motra dhe vëllezër,
Zonja dhe zotërinj,
Sot është një ditë e mirë dhe e gëzuar e një mbrëmje e këndshme për qytetarët e Suharekës, e veçanërisht për artistët, krijuesit dhe publikun e artit e të kulturës nga Suhareka dhe më gjerë. Po e përurojmë Shtëpinë e Kulturës ‘’Ukë Bytyçi’’, një ndërtesë e re, e nisur që në vitin 2017, me bllokime e ngërçe shumëvjeçare, por që sonte merr epilogun e duhur dhe të shumëpritur nga të gjithë ne. Kjo Shtëpi e Kulturës, përurohet dy muaj pas ditëlindjes së 69-të të Ukë Bytyçit, e një muaj para përvjetorit të 22-të të vrasjes mizore të tij.
Kjo ndërtesë që do t’i shërbejë komunitetit artistik dhe rinisë, nuk është vetëm një hapësirë e re. Është tregues i angazhimit tonë për të kultivuar prodhimin e kulturës në Republikën tonë dhe për ofrimin e kushteve sa më të mira infrastrukturore me mjedis të përshtatshëm. Nga tani, kjo Shtëpi e Kulturës që do të shërbejë si shtëpi e artit dhe kulturës, do të jetë në dispozicion për të gjithë ata të cilët dëshirojnë të kontribuojnë në pasurimin e jetës kulturore dhe shoqërore të Suharekës, e që rrjedhimisht, bashkërisht kontribuojmë në ndërtimin e një shoqërie më të pasur intelektualisht dhe shpirtërisht.
Në futboll: Ballkani e Suhareka; në basketboll: Golden Eagle Ylli; gjatë verës qytet i Karnavalit; pa dashur t’i përmendi zërat e bukur të këngës që dalin nga ky vend, më duhet ta them se nuk kishte se si të mos e ndërtonim këtë hapësirë kaq të madhe e kaq të bukur, për këtë qytet përplot gjallëri, e talentë në Suharekën tuaj, në Suharekën tonë.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nëpërmjet investimit dy pjesësh në shumën prej afër 4 milionë eurosh, ka sjellë në jetë një ndërtesë që është një prej qendrave më të mira në Kosovë për nga hapësira, për nga funksioni, dhe për nga mundësitë që i ofrohen komunitetit artistik të komunës së Suharekës dhe përtej. Hapësirat e bollshme të Shtëpisë së Kulturës ofrojnë shanse për të akomoduar edhe aktivitetin e institucioneve të kulturës edhe aktivitetet e artistëve dhe organizatave nga skena e pavarur kulturore.
Komuna e Suharekës në krye me kryetarin Bali Muharremaj, kanë qenë bashkëpunues në gjithë procesin e realizimit të projektit. Ky është një shembull pozitiv dhe i duhur i bashkëpunimit të institucioneve qendrore dhe atyre lokale për të mirën e qytetarëve tanë.
Të dashur qytetarë të Suharekës, e gëzofshi hapësirën e re, dhe mos u ndalshin punët e mira e të mbara.
Ju faleminderit.
Last modified: 16 Shtator, 2024