Zyra e Kryeministrit

Përurohen renovimet në Klinikën e Urologjisë, investim në vlerë prej 1.2 milion euro

10 Korrik, 2024

Prishtinë, 10 korrik 2024

Mëngjesin e sotëm, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, të shoqëruar nga deputetët Haxhi Avdyli dhe Fitore Pacolli, vizituan Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht Klinikën e Urologjisë, me rastin e përurimit të renovimeve në këtë klinikë.
Gjatë vizitës, kryeministri Kurti pati mundësinë të shoh nga afër hapësirat e transformuara në këtë klinikë. Renovimet të cilat kapin vlerën prej 1.2 milion euro janë investime që ndikojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve për pacientët dhe në të njëjtën kohë lehtësojnë punën e palodhshme që bëhet nga ana e stafit shëndetësor të cilët e japin me përkushtimin e tyre maksimal.

Tash, secila dhomë e ka klimatizimin qendror, ka furnizimin me oksigjen dhe ka të instaluar sistemin për ta thirrur në çdo kohë infermieren prej shtratit ku ndodhet pacienti. Klinika e rinovuar po ashtu ka nyje sanitare me kushte dhe standarde moderne dhe një banjo për persona me aftësi të kufizuara, si dhe dyer të zgjeruara të pacientëve sipas standardit për shtretër të pacientëve – në të kaluarën, meqë dyert kishin përmasa më të vogla se shtretërit e pacientëve, ishte e nevojshme që pacientët të zhvendoseshin me çarçafë deri në shtratin e tyre.

Duke falënderuar dhe shprehur mirënjohjen e thellë për të gjithë doktorët dhe infermierët për punën e palodhshme e të pakursyer që bëjnë, kryeministri tha se si Qeveri e kanë për obligim që t’ua krijojnë kushtet edhe personelit shëndetësor, por edhe pacientëve që marrin trajtim.

Në lidhje me këto investime foli edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tha se ky renovim sot vjen pas takimit që ka pasur me stafin e Klinikës së Urologjisë, e të cilët e kishin njoftuar se Klinika e Urologjisë në bllokun operativ, është klinika me kushtet më të këqija, në të cilën nuk ishte investuar për gati 20 vjet.

Ai falënderoi të gjithë profesionistët shëndetësorë, pa dallim në këtë klinikë, mjekë, specialistë e infermierë, duke theksuar se ky rezultat sot është meritë e kërkesave dhe punës së tyre, dhe paralajmëroi se javën tjetër do të hapen edhe sallat operative të Urologjisë dhe në këtë mënyrë Klinika e Urologjisë nga klinika më problematike në aspektin infrastrukturor në bllokun operativ, po bëhet klinika model në QKUK.
Në Klinikën e Urologjisë, kryeministri Kurti u mirëprit nga Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, Drejtori i Urologjisë, Petrit Nura, si dhe personeli shëndetësor.

Rikujtojmë se muajin e kaluar u bë përurimi i investimeve prej rreth 5.5 milionë euro në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.

Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Mirëmëngjes të gjithëve dhe faleminderit që na jeni bashkuar në këtë përurim të rëndësishëm të transformimit të Klinikës së Urologjisë, me rreth 1.2 milion euro investim, pasi që përreth 20 vjet nuk ka pasur investime, por ka pasur vetëm degradim të kushteve si për pacientët ashtu edhe për mjekët e për infermierët.

Unë duke ju falënderuar drejtorit të Klinikës, Petrit Nura, kisha kënaqësinë që të shoh se si këto nëntë dhoma me nga tre shtretër i kanë kushtet moderne, gjë që është tejet vendimtare si për shërimin e pacientëve ashtu edhe për kujdesin profesional të cilët e japin me përkushtimin e tyre maksimal të gjithë mjekët dhe infermierët. Secila dhomë e ka klimatizimin qendror, e ka furnizimin me oksigjen dhe e ka mundësinë për ta thirrur në çdo kohë infermieren prej shtratit ku ndodhet pacienti dhe në të njëjtën kohë ka edhe riparim tejet të rëndësishëm të tualeteve, me ç‘rast e kemi edhe një shtesë për personat me aftësi të kufizuara.

Pra, nuk mjafton spitali, klinika të jenë godina, ato duhet të jenë vende që japin shpresë për pacientët për shërim të shpejtë dhe të plotë.

E falënderoj ministrin Arben Vitia, Drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizin, dhe dy deputetët të cilët na janë bashkangjitur sot, Dr. Haxhi Avdylin dhe Fitore Pacollin. Pra, jemi këtu që të shprehim falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë juve doktorë, infermiere e infermierë, për punën e palodhshme, të pakursyer që bëni dhe ne e kemi për obligim që t’ua krijojmë kushtet edhe juve, por edhe pacientëve në mënyrë që ata të cilët janë detyruar të vijnë këtu të dalin sa më të gëzuar e sa më parë.

Faleminderit shumë!

 

 

Last modified: 10 Korrik, 2024

Comments are closed.