Zyra e Kryeministrit

Hapet Qendra Komunitare “Concordia” në Gjakovë

28 Qershor, 2024

Gjakovë, 28 qershor 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës mori pjesë në hapjen solemne të Qendrës Komunitare “Concordia”, në lagjen Ali Ibra, në Gjakovë, e cila është rinovuar dhe funksionalizuar plotësisht me investimin nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Fjalën e tij, kryeministri Kurti e nisi me thënien e shkrimtarit francez Viktor Hygo, “Të hapet një shkollë është të mbyllët një burg”, duke shtuar se Qendra Komunitare e hapur sot është një nga dëshmitë e angazhimit tonë për mbështetjen e komuniteteve në arsim dhe në edukim.

“Ne kemi ngritur shumën e ndarë sivjet nga 200 mijë euro në 250 mijë euro, e që me qendrat siç është kjo në Lagjen Ali Ibra, fëmijë – siç janë edhe këta këtu me neve sot së bashku – do të keni përkrahjen e duhur për të vijuar shkollat e shtetit, të zgjerojnë dijen, të zhvillojnë aftësitë e talentet, dhe të arrijnë maksimumin që të bëhen shembuj brenda familjes, lagjes, komunitetit, por edhe për Kosovën e më gjerë”, shprehu kryeministri.

Për të pranishmit, ai përmendi vizitën në Qendrën Mësimore të Concordias në Prizren, dhe se aty kishte parë kontributin në komunitet. Ai vlerësoi se Concordia është unike në Kosovë, si e vetmja organizatë që është e licencuar edhe nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për shërbime arsimore, por edhe nga Ministria e Drejtësisë për shërbime sociale.

Duke theksuar mbështetjen e Qeverisë për arsimin, me thirrjen kryesore për të mësuar, kryeministri Kurti iu tha nxënësve se do ta kenë mbështetjen në secilën fazë të arsimit e edukimit. Në kuadër të saj, përmendi 500 bursat që ofrohen në shkollat e mesme për studentët e komuniteteve joshumicë, dhe 100 bursa të tjera që ofrojmë në universitetet publike.

Si nismë mbështetëse, ai veçoi edhe iniciativën “Kosovo Generation Unlimited” e cila ofron praktika me pagesë, si hap i parë në tregun e punës për të rinjtë prej moshës 16 deri në 24 vjeç. Po ashtu, shtoi se Qeveria është kujdesur edhe për punësimin e komuniteteve, duke krijuar bazën ligjore për konkurse të rezervuara për komunitetet, në mënyrë që të mund të arrihet kuota e 10% të vendeve të punës në institucionet qendrore.

“Ju bëjë thirrje juve nxënës, të mësoni sa më shumë, sepse leximi asnjëherë nuk është i tepërt, mirëpo gjithmonë mund të jetë i mangët. Shfrytëzoni këto qendra mësimore për të filluar hapat e parë drejt zhvillimit të karrierës dhe të ardhmes. Mbështetja jonë ndaj jush nuk do të mungojë, e në veçanti do të jemi kurdoherë bashkë për të krijuar kushte më të mira për arsim dhe edukim dhe punësim mandej”, tha kryeministri Kurti në përfundim të fjalës së tij.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sylejman Elshani, Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku, Shef i Zyrës Ndërlidhëse të Rumanisë në Prishtinë, Alin Ciocanea, Mirela Lavric, Drejtore Ekzekutive Concordia Projekte Sociale dhe përfaqësues të tjerë institucional.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Më lejoni që fillimisht të ju falënderoj për këtë mikpritje të ngrohtë, jo vetëm për shkak se jetojmë në kohën e diellit të fortë, por para se gjithash për shkak se qysh në hyrje të kësaj mbledhje kishte bukë, kripë dhe zemër.

I nderuari z. Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit dhe Pushtetit Lokal,
I nderuari z. Ardian Gjini, Kryetar i Komunës së Gjakovës,
I nderuari z. Sylejman Elshani, Zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
I nderuari z. Ali Tafarshiku, Zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal,
E nderuara znj. Mirela Lavric, Drejtore Ekzekutive e Projekteve Sociale Concordia,
I nderuari z. Alin Ciocanea, Shef i Zyrës Ndërlidhëse të Rumanisë në Prishtinë,
I nderuari z. Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Ipeshkisë së Kosovës,
I nderuari z. Valon Myrta, Kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Agon Batusha dhe Fridon Lala,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

“Të hapet një shkollë është të mbyllët një burg” – kështu thotë shkrimtari francez Viktor Hygo. Kemi pasur mjaft me burgje – edhe unë personalisht si i burgosur politik në mesin e shumë mijëra sosh, por edhe në kuptim që të gjithë ne në Kosovë, jemi lodhur e mërzitur me kufizimet fizike, por edhe ato mendore. Sivjet, me liberalizimin e vizave, kemi thyer disa zinxhirë që na kanë kufizuar nga ana gjeografike, por çlirimi më i thellë, më i vërtetë, më i qëndrueshëm është ai mendor, dhe kjo vjen vetëm me zgjerimin e mundësive për arsim. Ju që po hapni një qendër mësimor këtu, jeni duke i mbyllur burgjet e analfabetizmit, në mënyrë që të mund të mbyllen edhe burgjet e varfërisë. Dhe ky është rast për shumë festime së bashku.

Në fillim të kësaj jave, pra më 24 qershor, një nga komunitetet të cilat jetojnë në këtë lagje ka shënuar datën e tyre memoriale. E, ne sot, po marrim pjesë në hapjen e kësaj qendre mësimore në Ali Ibra të Gjakovës, për të përmbyllur këtë javë më së miri, me hapje të një shtëpie të re për arsim dhe edukim.

Unë kisha mundësinë që të vizitoj qendrën mësimor të Concordias në Prizren, dhe aty kam parë kontributin në komunitet. Concordia është unike në Kosovë, si e vetmja organizatë që është e licensuar edhe nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për shërbime arsimore, por edhe nga Ministria e Drejtësisë për shërbime sociale. Është kënaqësi të shoh se si një organizatë e tillë po zgjerohet në bashkëpunim me partnerët qendror e lokal dhe ata ndërkombëtar, kjo tregon çka mund të arrihet kur të gjithë punojmë së bashku.

Investimi për renovimin dhe funksionalizimin e plotë të kësaj qendre nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Arsimit, është një nga dëshmitë e angazhimit tonë për mbështetjen e komuniteteve në arsim dhe në edukim.

Mbështetja për qendrat mësimore është një mënyrë si dëshmojmë angazhimin tonë si qeveri për arsim cilësor për të gjithë. Ne kemi ngritur shumën e ndarë sivjet nga 200 mijë euro në 250 mijë euro, e që me qendrat siç është kjo në Lagjen Ali Ibra, fëmijë – siç janë edhe këta këtu me neve sot së bashku – do të keni përkrahjen e duhur për të vijuar shkollat e shtetit, të zgjerojnë dijen, të zhvillojnë aftësitë e talentet, dhe të arrijnë maksimumin që të bëhen shembuj brenda familjes, lagjes, komunitetit, por edhe për Kosovën e më gjerë.

Investimi në edukim do të ishte i pjesshëm pa investimet tjera dhe krijimin e kushteve të mira infrastrukturore. Ju kujtohet se për një kohë të gjatë në këtë lagje, ka pasur një deponi ilegale të mbeturinave, e cila ka rrezikuar çdo ditë jetën e banorëve të kësaj lagje. Kanë mjaftuar 250 mijë euro investim nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, dhe është larguar deponia ilegale e mbeturinave, është vendosur ndriçimi publik dhe asfaltuar një pjesë e kësaj lagje nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe komuna e Gjakovës së bashku. Pra, kjo zonë nuk do të lihet më anash, sepse do të investojmë edhe më shumë, ashtu që qytetarët të jetojnë të barabartë dhe me dinjitet.

Bashkë me punën e qendrave mësimore, po punojmë edhe në një fushë tjetër me kontributin e çmuar sërish të Concordias dhe stafit të saj. Grupi Punues Ndërinstitucional që kemi krijuar për Raportimin dhe Parandalimin e Martesave të Hershme punon për të siguruar që çdo vajzë ka mundësi për arsim, pa shkëputjen e potencialit të saj, dhe pa rrezik ndaj shëndetit të saj e të fëmijëve të saj eventual, si rezultat i një martese të hershme.

Ne jemi me juve në udhëtimin e përbashkët prej rrugicave të Ali Ibrës drejt shkollës fillore, por pastaj edhe në shkollën e mesme e në universitet, nëse ju vendosni për një gjë të tillë – përmes 500 bursave që ofrojmë në shkollat e mesme për studentët e komuniteteve joshumicë, dhe përmes 100 bursave të tjera që ofrojmë në universitetet publike për studentët e komuniteteve.

Dhe nëse jo përmes udhës në universitet, atëherë ne jemi me juve në rrugën që të punësoheni me dinjitet. Përmes iniciativës “Kosovo Generation Unlimited” që ofron praktika me pagesë, si bashkëpunim mes Ministrisë së Financave dhe UNICEF-it, mbështesim hapat e para në tregun e punës për të rinjtë prej moshës 16 deri në 24 vjeç. Pra kushdo që shkon në universitet duhet të ketë vend pune, por edhe ata që nuk e zgjedhin universitetin duhet të kenë punë me dinjitet. Gjithashtu, për punësimin e komuniteteve e kemi krijuar edhe bazën ligjore për konkurset e rezervuara për komunitetet, që të mund të arrihet kuota 10% e vendeve të punës në institucionet qendrore, për punonjësit e komuniteteve, siç e kërkon edhe ligji. Tash ka edhe vende pune, edhe ka mënyra se si të ju qasni atyre.

Ne kemi besim te ju – stafi i Concordias për gjithçka që mund të kontribuoni në jetën e banorëve të Lagjes Ali Ibra, por kemi besim edhe te ju që jeni banorë të kësaj lagjeje, qofshi prindër apo fëmijë.

Unë ju bëjë thirrje juve nxënës, të mësoni sa më shumë. Asnjëherë leximi nuk është i tepërt, mirëpo gjithmonë mund të jetë i mangët. Shfrytëzoni këto qendra mësimore për të filluar hapat e parë drejt zhvillimit të karrierës dhe të ardhmes. Mbështetja jonë ndaj jush nuk do të mungojë, e në veçanti do të jemi kurdoherë bashkë për të krijuar kushte më të mira për arsim dhe edukim dhe punësim mandej.

Gëzohemi që ju do t’i keni mundësitë e reja tash, dhe uroj do t’i shfrytëzoni sa më shumë e sa më mirë.

Urime qendrën e re dhe ju faleminderit!

Last modified: 28 Qershor, 2024

Comments are closed.

×