Zyra e Kryeministrit

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në seancën solemne për 25-vjetorin e Çlirimit të Republikës së Kosovës

12 Qershor, 2024

 

Prishtinë, 12 qershor 2024

Në kuadër të agjendës shtetërore për shënimin e 25-vjetorit të Çlirimit të vendit tonë, sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, mbajti një seancë solemne, në të cilën morën pjesë krerët e shtetit, deputetë të Kuvendit të Republikës dhe personalitete, mysafirë të ftuar, udhëheqës e delegacione të shumta të institucioneve vendore e ndërkombëtare.  

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia Juaj, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,

Shkëlqesia Juaj, z. Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë,

I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,

E nderuara Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj. Lendita Nikolla, 

I nderuari Lord George Robertson, ish Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s,

Shkëlqesia Juaj, z. Stjepan Mesić, ish President i Republikës së Kroacisë,

Shkëlqesia Juaj, znj. Micheline Calmy-Rey, ish Presidente e Konfederatës së Zvicrës,

Shkëlqesia Juaj, z. Mate Granić, ish Ministër i Punëve të Jashtme dhe i Çështjeve Evropiane i Republikës së Kroacisë,

I nderuari ambasador William Walker, ish udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë,

I nderuari baca Rifat Jashari,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Zëvendëskryeministra e ministra të Qeverisë,

I nderuari Komandat i ushtrisë sonë, Gjeneral-lejtnant Bashkim Jashari,

Shkëlqesi ambasadorë dhe miq e mysafirë ndërkombëtarë,

Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të nderuar udhëheqës përfaqësues të institucioneve shtetërore, kryetarë të komunave,

Të nderuar prijës fetarë,

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm, 

Në rrjedhën e pandërprerë të kohës si përditshmëri, vijnë disa ditë të veçanta, sikur dita e sotme, kur është shumë e rëndësishme të përqendrohemi në të tashmen për të reflektuar mbi rrugën që e kemi kaluar deri këtu. Të bashkohemi fizikisht e shpirtërisht siç jemi bashkuar sot këtu në Kuvendin e Republikës, dhe më pas në sheshet e qyteteve mes qytetarëve tanë, për ta shënuar një ngjarje historike që na e ka sjellë të tashmen dhe na e ka përcaktuar të ardhmen. Sot, është pikërisht një nga ato ditë, meqë është Dita e Çlirimit të Kosovës.

12 qershori i vitit 1999, është fiksuar si Dita e Çlirimit të Kosovës, sepse atë ditë, dhjetëra mijëra trupa ushtarake të NATO-s, filluan ta kalojnë kufirin dhe të futën si trupa këmbësorie në territorin e Kosovës. Kjo erdhi pas një fushate 78-ditore të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, në përpjekje për ta ndaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin që shteti serb po e kryente mbi shqiptarët në Kosovë. Por vetëm disa orë më herët, befasisht dhe tradhtisht, një kontigjent prej rreth 200 ushtarësh rusë i shkëputur nga misioni SFOR në Bosnje dhe Hercegovinë, kishte arritur në mesnatë në qendër të Prishtinës. 

Kështu, mes 11 dhe 12 qershorit 1999, Kosova dhe veçanërisht zona e Prishtinës, u bë arenë zhvillimesh që morën vëmendje globale. Në njërën pjesë të qytetit, forcat ushtarake dhe policore serbe dhe jugosllave ende nuk ishin tërhequr plotësisht nga Prishtina; në pjesën tjetër, në verilindje të Prishtinës, njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Zona Operative e Llapit, kishin hyrë në qytet duke e ngritur flamurin kombëtar shqiptar në shkollën “Zenel Hajdini” dhe në rrugën e Bledit; më tej, pasi kishin kaluar nëpër Prishtinë, trupat ruse shkuan dhe u stacionuan në aeroportin e Prishtinës në Sllatinë, duke e pushtuar dhe bllokuar atë; ndërkohë, mijëra ushtarë britanikë po përparonin drejt Prishtinës. Përballje mes palëve, çfarëdo trajte që mund të merrte, dukej e pashmangshme. 

Skenarët eventualë të asaj situate, ishin sa të paparashikueshëm aq edhe të frikshëm. Nga rreziku i dështimit të zbatimit të marrëveshjes së Kumanovës, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave të armatosura jugosllave e serbe nga Kosova para 20 qershorit, por që nuk parashihte asnjë involvim trupash ruse, dhe, deri te një përplasje luftarake që mund të kishte trajtën e një lloj Lufte të Tretë Botërore, e thënë kjo kushtimisht. Dukej sikur zaret tashmë ishin hedhur, por NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po luanin me zare. Si Komandanti i NATO-s, Gjenerali amerikan Wesely Clark ashtu edhe Komandanti i KFOR-it, Gjenerali britanik Michael Jackson, ishin të vendosur ta realizonin në plotni misionin e marrë përsipër nga drejtuesit politikë të NATO-s, nga Presidenti amerikan, Bill Clinton dhe nga Kryeministri britanik, Tony Blair. Përtej teknikaliteteve ushtarake dhe të së drejtës ndërkombëtare, rezultati de facto i atij misioni ishte çlirimi i Kosovës nga trupat serbe. 

Detajet e mëtutjeshme dhe faktet e regjistruara të ngjarjeve të atyre ditëve, i takojnë historisë dhe historianëve. Por pikërisht nga kjo histori duhen nxjerrë mësime, siç edhe kemi bërë nga atëherë e deri më sot. Dhe kjo kuptohet më së miri nga rreshtimi gjeopolitik dhe gjeostrategjik i vendeve tona sot. Sikur atëherë edhe tani, Serbia rri e rreshtuar prapa Rusisë, ashtu siç Rusia qëndron prapa shumë veprimeve të Serbisë. Kurse shteti ynë Kosova, dhe populli i saj bashkë me Shqipërinë, në vazhdimësi ka shkuar duke i forcuar lidhjet dhe aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Britaninë e Madhe, me Gjermaninë dhe Turqinë, me Francën dhe Italinë dhe me vendet e tjera partnere perëndimore. Bashkimi Evropian është familja jonë e synuar politike, kurse NATO-ja është destinimi ynë ushtarak.    

Andaj sot po e shënojmë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, duke qëndruar bashkë me aleatët tanë, njësoj si më 12 qershor dhe njësoj si në ditët e para të çlirimit. Që nga fillimi i vitit 2023 dhe deri në mes të këtij viti, ditë pas dite, për aq sa ka zgjatur lufta e Kosovës, i kemi përkujtuar në 25 vjetorët e tyre dëshmorët e luftëtarët e lirisë dhe betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; i kemi përkujtuar të vrarët dhe viktimat e gjithë atyre masakrave; i kemi përkujtuar të zhdukurit me dhunë, viktimat e përdhunimit e torturës, të burgosurit dhe pengjet e luftës; i kemi kujtuar dëmet dhe shkatërrimet, plaçkitjet dhe djegiet; i kemi përkujtuar dhe denoncuar krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, spastrimin etnik dhe gjenocidin që Serbia e kreu në Kosovë.  

Pikërisht pse kemi vuajtur dhe humbur kaq shumë, tash ne duam që në Republikën demokratike të Kosovës të gjithë qytetarët të gëzojnë e të fitojnë, shumica shqiptare bashkë me pakicat serbe, boshnjake, turke, me ashkalinjtë, romët, egjiptasit, por edhe me kroatët e malazezët. Duan marrëdhënie të mira fqinjësore evropiane, me njohje reciproke e bashkëpunim të shumanshëm në gjithë rajonin tonë, pa sulme dhe agresione, pa diskriminime e shfrytëzime. 

Sot, me vetëdijen më të lartë politike dhe me kujtesën më të kthjelltë kolektive, po e kujtojmë 12 qershorin e vitit 1999, ditën e çlirimit të Kosovës. 

Nga ajo ditë dhe deri sot, janë mbushur gjithsej 25 vjet, pra një epokë prej një çerekshekulli në historinë moderne të Kosovës, të një kohe gjatë të cilës populli i Kosovës ka jetuar në liri më shumë dhe më cilësisht se sa në cilëndo epokë tjetër historike. Kurrë më të lirë dhe më të pavarur nuk kemi qenë dhe kurrë më të vendosur se sot nuk kemi qenë për ta mbrojtur lirinë dhe pavarësinë tonë: me çdo kusht, me gjithçka, me çdo gjë, çdonjëri. 

Urime 25-vjetori i çlirimit të Kosovës! Nderime dhe mirënjohje e thellë secilit person dhe grup të çdo gjenerate, secilës organizatë dhe secilit luftëtar; secilit shtet dhe aleat, që ndër dekada kanë kontribuar për ditën e çlirimit të Kosovës më 12 qershor 1999 dhe për popullin e saj, për të ardhmen tonë të përbashkët kombëtare, evropiane, dhe progresiste, për liri dhe paqe, për Republikën e Kosovës, për sot, për jetë e mot.

Gëzuar e ju faleminderit!

 

Last modified: 12 Qershor, 2024

Comments are closed.

×