Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vendosi lule të freskëta te varri i Sami Frashërit në Stamboll

1 Qershor, 2024

Stamboll, 1 qershor 2024

Në ditën e parë të qëndrimit në Stamboll, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi dje dhe vendosi lule të freskëta te varri i Sami Frashërit, pikërisht në datën e lindjes së tij, më 1 qershor. Pranë pushojnë gruaja, Emine Veliye dhe djali i tij, Ali Sami Yen.

Herën e fundit për vizitë dhe homazhe te varri i Sami Frashërit, kryeministri Kurti ishte në vitin 2019. Sivjet, me 18 qershor, bëhen 120 vjet nga vdekja e rilindasit, Sami Frashëri, si dhe 125 vjet nga vepra e tij monumentale “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”, për të cilën kryeministri Kurti në Ankara, gjatë vizitës në Qendrën Kulturore Shqiptare atje që mban emrin e Samiut, tha se është një gjë shumë e rrallë që një vepër, e cila ka një shekull e një çerek shekulli, të jetë aq aktuale kushdo që e lexon, dhe se si e tillë, ajo duhet të lexohet e rilexohet, mësohet e studiohet nga të gjithë shqiptarët.

Kryeministri ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi dhe Ambasadori i Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi.

Last modified: 2 Qershor, 2024

Comments are closed.

×