Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti përkujtoi 27 martirët e Tusuzit

26 Maj, 2024

Prizren, 26 maj 2024 

Mëngjesin e sotëm, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e nisi me homazhe në qytetin e Prizrenit, duke vendosur kurora me lule tek varret e të vrarëve në masakrën e Tusuzit, në nderim dhe përkujtim të martirëve e dëshmorëve të Lagjes së Trimave.

Martirët dhe dëshmorët e kombit janë në njërën anë dëshmi e qëndresës sonë, e rezistencës së popullit, e atdhedashurisë për të jetuar në liri e në paqe në tokën stërgjyshore, por në anën tjetër janë gjithashtu edhe dëshmi e krimeve të Serbisë, e krimeve të kryera gjatë luftës, ku bëjnë pjesë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi, tha Kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti përkujtoi martirët e lagjes së Trimave-Tusuzit, që para 25 vitesh u vranë mizorisht dhe në mënyrë të pamëshirshme. “27 martirët e Tusuzit, janë sot 27 lule nga të cilët rritet liria jonë dhe gëzohet shteti ynë”, tha ai. 

“Nuk ka asnjë brez të shqiptarëve që nuk ka kaluar së paku në një luftë. Ka breza të shqiptarëve edhe me nga dy e tri luftëra. Por, duhet të angazhohemi e të punojmë për shtet, për shtëpinë e përbashkët të popullit e të shoqërisë që ta kemi atë të fortë dhe brezi i pasluftës të jetë brezi i parë i cili nuk do të përjetojë luftë. Për këtë na nevojitet shteti i drejtë, demokratik dhe i zhvilluar, me ushtri dhe me polici që na mbron. Andaj, me këtë përkushtim si Kryeministër i Republikës, por edhe si njëri nga ju, si qytetar i Kosovës së pavarur, unë shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim më të thellë për qëndresën tuaj gjatë këtyre plotë 25 viteve,” tha Kryeministri Kurti.

Në këto homazhe, teksa përkujtoi të rënët e masakrës, Kryeministri u shpreh se në lapidarin e të rënëve është i skalitur emri i Behar Abdylmexhitit, i cili atë kohë ishte vetëm 17 vjeçar, si dhe Fazile Maqkaj, e cila u dogj e gjallë në karrocën invalidore të saj. Më tej, kryeministri duke përmendur djegien e mbi 300 shtëpive, dhe dhembjen për vrasjen e 27 civilëve nga forcat armike serbe, që sot janë martirë të kombit, theksoi se nevojitet edhe drejtësia e jo vetëm pavarësia e shtetit.

Teksa foli për këtë masakër, për të cilën vetëm dy persona mbahen në burg dhe katër të tjerë ndiqen, ai shtoi se numri i ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve është shumë më i madh se kaq. Prandaj, me këtë rast ai i bëri thirrje Prokurorisë së shtetit që me fuqinë dhe dijeninë e saj të bëjë gjithçka, në mënyrë që të ketë drejtësi për më të dashurit tanë që mungojnë tash e 25 vite. “Sepse drejtësia i mbyllë plagët që kullojnë dhe sjellë paqe të qëndrueshme”, përfundoi kryeministri. 

Së bashku me Kryeministrin Kurti, për të nderuar të vrarët me homazhe, ishin deputetët nga Kuvendi i Kosovës, Artan Abrashi dhe Arbër Rexhaj dhe anëtarë të kabinetit qeveritar,  të cilët u mirëpritën nga familjarët e martirëve.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Të nderuara familje të martirëve të Tusuzit, të Prizrenit,

I nderuari Imam,

Të nderuar, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Deputetë të Kuvendit të Republikës, Artan Abrashi e Arbër Rexhaj, 

Motra dhe vëllezër,

Zonja dhe zotërinj, 

Unë jam i nderuar që jam sot në mesin tuaj, por njëkohësisht edhe ndaj bashkë me juve pikëllimin dhe dhembjen, për më të dashurit tuaj që u vranë mizorisht para 25 vjetëve.

Martirët dhe dëshmorët e kombit janë në njërën anë dëshmi e qëndresës sonë, e rezistencës së popullit, e atdhedashurisë për të jetuar në liri e në paqe në tokën stërgjyshore, por në anën tjetër janë gjithashtu edhe dëshmi e krimeve të Serbisë, e krimeve të kryera gjatë luftës, ku bëjnë pjesë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi.

27 martirët e Tusuzit, janë sot 27 lule nga të cilët rritet liria jonë dhe gëzohet shteti ynë, para së gjithash e mbi të gjitha për brezin që ka lindur pas luftës dhe për të cilin ne kujdesemi për ditë që të mos përjetojë asgjë të ngjajshme gjatë jetës së tyre, siç e bëmë ne të tjerët. 

Nuk ka asnjë brez të shqiptarëve që nuk ka kaluar së paku në një luftë. Ka breza të shqiptarëve edhe me nga dy e tri luftëra. Por, duhet të angazhohemi e të punojmë për shtet, për shtëpinë e përbashkët të popullit e të shoqërisë që ta kemi atë të fortë dhe brezi i pasluftës të jetë brezi i parë i cili nuk do të përjetojë luftë. Për këtë na nevojitet shteti i drejtë, demokratik dhe i zhvilluar, me ushtri dhe me polici që na mbron. Andaj, me këtë përkushtim si Kryeministër i Republikës, por edhe si njëri nga ju, si qytetar i Kosovës së pavarur, unë shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim më të thellë për qëndresën tuaj gjatë këtyre plotë 25 viteve. 

Në këtë lapidar këtu në Tusuz e kemi Behar Abdylmexhitin që ka qenë veç 17 vjeçar para 25 vjetëve kur u vra, por e kemi edhe Fazile Maqkajn, e cila u dogj e gjallë në karrocën invalidore të saj. Mbi 300 shtëpi u dogjën, e 27 civil u vranë, që sot i kem i martirë të kombit, e për të cilët nevojitet edhe drejtësia e jo vetëm pavarësia e shtetit. Nevojitet edhe drejtësia institucionale, vendore e ndërkombëtare.

Dy vetë mbahen në burg për këtë masakër, edhe katër të tjerë po ndiqen, mirëpo ne e dimë shumë mirë që numri i ekzekutorëve edhe i atyre urdhërdhënësve është shumë më i madh se kaq. Andaj, gjithnjë i bëjmë thirrje Prokurorisë së shtetit që të bëjë gjithçka që ka në fuqinë dhe dijeninë e saj, në mënyrë që për martirët e popullit tonë, për dëshmorët e kombit, për më të dashurit tuaj e tonë që na mungojnë tash e 25 vjet të ketë drejtësi, sepse drejtësia i mbyllë plagët që kullojnë dhe sjellë paqe të qëndrueshme.

Lavdi dëshmorëve e martirëve të Tusuzit dhe të mbarë kombit shqiptar dhe mirënjohje e përzemërt të gjithë juve që qëndroni kaq të fortë dhe na inkurajoni neve në punët e përditshme shtetërore.

Ju falemnderit!

Last modified: 26 Maj, 2024

Comments are closed.

×