Zyra e Kryeministrit

Lansohet platforma dhe këndi “Made in Kosova”

14 Maj, 2024

 

Bërnicë, 14 maj 2024

Në ambientet e TechPark Prishtina, sot u përuruan këndi dhe platforma më e re “Made in Kosova”, që vjen si rezultat i bashkëpunimit  ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe agjencisë amerikane USAID. “Made in Kosova” apo MIK synon të jetë dritarja e parë digjitale institucionale e cila do të përmbush interesimin e njerëzve për të mësuar më shumë për realitetin e potencialin ekonomik, kulturor e turistik të vendit tonë.

Në fjalën e tij hyrëse, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shprehu se ky projekt prezanton potencialin, kreativitetin dhe veprimtarinë e vendit tonë, drejt një njohje të gjerë e një tregu ndërkombëtar përmes misioneve tona diplomatike e konsullore. 

“Platforma “Made in Kosova” nuk është simbolike, por përmban informata të detajuara mbi dhjetë sektorët kyç të vendit tonë, me shifra të cilat jo vetëm iu shërbejnë investitorëve potencial por që tregojnë transparencën me të cilën qeveriset vendi ynë”, tha ai.

“Nëse hyn te sektori i verërave për shembull, ke mundësi ta shohësh saktësisht sa hektarë vreshta janë në Rahovec, Suharekë e Malishevë. Ndërsa te përpunimi i drurit figuron që industria në fjalë kishte 1 miliardë euro qarkullim në 5 vitet e fundit. Gjithashtu, platforma krijon mundësi të komunikimit direkt, të kërkesës për vizitë, të cilën MPJD-ja e lidhë me departamentin përkatës. Kështu që “it got lost in the mail” nuk vlen më as për dërguesit e porosisë e as për të cilët e pranojnë atë”, shtelloi më tej ai.

Tutje shtoi se platforma krijon mundësi edhe të komunikimit direkt, të kërkesës për vizitë, të cilën Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e lidhë me departamentin përkatës. 

Ndërkaq, këndi fizik i “Made in Kosova” mundëson që prodhuesit, artistët dhe sipërmarrësit tanë të shfaqen në çdo mision diplomatik. Sipas kryeministrit Kurti, synimi i platformës dhe këndit MiK është të ndërtojë një imazh të fuqishëm dhe të besueshëm të Kosovës, duke shtrirë mundësitë për bizneset vendore për të hyrë në tregje të reja dhe për të tërhequr drejtpërdrejtë investime të huaja. 

Gjersa po jetësohen këto iniciativa, kryeministri kujtoi mungesën e një platforme të tillë deri më sot, ku si pasojë Kosova qëndroi e izoluar për shumë vite jashtë vëmendjes që pothuajse të gjitha shtetet evropiane e gëzojnë. “Sot, ne shpalosim vendin ku mund të shihet potenciali dhe puna e vendit tonë. E me emrin e kësaj platforme, ne nderojmë miqësinë kosovare dhe të gjithë ata që shërbyen si diplomatë të vendit tonë, para se të kishte ministri të punëve të jashtme e aq më pak ambasadorë”, tha ai.

Zëvendëskryeministrja Gërvalla, në fjalën e saj hyrëse, u shpreh se Platforma MIK do të ofrojë informata rreth industrive kryesore të Kosovës, të bërit biznes në Kosovë, turizmit, eksportit, ngjarje të ndryshme, si dhe informata tjera relevante për mërgatën dhe të interesuarit për biznesin, kulturën dhe turizmin në Kosovë.

“Ambasadat, konsullatat dhe misionet tona gjithandej botës, angazhohen edhe në promovimin e bizneseve tona vendore, në rritjen e eksportit dhe rrjetëzimit të bizneseve tona me atë të diasporës dhe me bizneset e huaja. Platforma MIK do të jetë një ndihmesë e madhe edhe në këtë drejtim. Kështu ne rrisim ekonominë tonë, kështu rrisim punësimin, ndalim migrimin e të rinjve, marrim përvoja të reja dhe fuqizojmë imazhin tonë në botë”, tha ajo.

Duke qenë fryt i bashkëpubimin me USAID, me rastin e lansimit të platformës sot, si një nga folësit kryesor ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Në fjalën e tij, krahas rëndësisë edhe potencialit të sektorin privat në Kosovë, ai foli edhe për bashkëpunimin rreth krijimit të platformës “Made in Kosova”, për të cilën ai tha se do të krijojë hapësirë për diçka shumë të rëndësishme siç është diplomacia komperciale, duke i ofruar investitorëve potencialë të dhëna praktike rreth Kosovës dhe mundësitë për investime.

Ndërkaq, zëvendësministrja Liza Gashi teksa falënderoi të gjithë hisedarët që kanë ndihmuar në këtë platformë, dha detaje rreth idesë, zhvillimit dhe punës deri në krijimin dhe lansimin e saj sot. Ajo foli për zanafillën e projektit të bazuar në analiza dhe të dhëna që kanë treguar për nevojën për një platformë që i përgjigjet interesimit të vizitorëve të shumtë në misionet tona diplomatike.  

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti: 

E nderuara znj. Donika Gërvalla Schwarz, Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës,

Shkëlqesia Juaj, z. Jeffrey Hovenier, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës,

Shkëlqesi ambasadorë dhe diplomatë të tjerë të vendeve mike të akredituara në Kosovë,

Përfaqësues e drejtues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare,

E nderuara znj. Liza Gashi, Zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës,

I nderuari z. Kreshnik Ahmeti, Zëvendësministër në Ministrinë e Jashtme dhe Diasporës,

Të nderuar zëvendësministra të tjerë, deputetë të Kuvendit të Republikës, përfaqësues, drejtues të organeve, mekanizmave, institucioneve të Republikës sonë,

I nderuari z. Leart Zogjani, Skins Agency,

Të nderuar kryetarë të Komunave të Kosovës,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Jam i lumtur që të ju prezantoj një hap të rëndësishëm bashkë me Zëvendëskryeministren Gërvalla Schwarz, në rrugën tonë drejt një të ardhmeje gjithnjë e më afër e që pa dyshim e meritojmë të gjithë së bashku. Sot jemi mbledhur për përurimin e dy iniciativave: këndit dhe platformës MiK, apo “Made in Kosova”. Ky projekt paraqet potencialin, kreativitetin dhe veprimtarinë e vendit tonë, drejt një njohje të gjerë e një tregu ndërkombëtar përmes misioneve tona diplomatike e konsullore.  

Hapa si ky për të cilin jemi mbledhur sot janë hapa përpara. E çdo hap përpara shton dritë, ndriçon rrugën që na pret. 

Kosova ka përjetuar një errësirë simbolike, por edhe me pasoja materiale duke qëndruar e izoluar për shumë vite jashtë vëmendjes që pothuajse të gjitha shtetet evropiane e gëzojnë. Për një kohë të gjatë, bukuria, pasuria natyrore, kultura dhe mirësia e njerëzve tanë kanë qenë të fshehura për shumë sy dhe veshë. Për shumë kohë, tingëllonte i vërtetë vargu i Ismail Kadaresë në poezinë “Mall”, “të zgjuarit janë bashkë në këtë botë, kurse të fjeturit janë veç”. Bukuria e Kosovës e fjetur në mendjen e shumë njerëzve. E tani, në vitin jubilar të çlirimit të vendit tonë, është koha t’i ndajmë me të tjerët ato që nga shumë mot i kemi çmuar si dhuratat e popullit dhe vendit tonë.

Në mungesë të një platforme sikur kjo që e përurojmë sot, bukuritë dhe vlerat e Kosovës janë shpërndarë përmes një nga tipareve më të mira të njerëzve tanë: miqësisë. Nëpërmjet miqësisë së shumë njerëzve është komunikuar se çfarë ka Kosova për të ofruar. Sot, ne vijmë në fund të mungesës së kësaj platforme. Sot, ne shpalosim hapësirën ku mund të shihet potenciali dhe puna e vendit tonë. E me emrin e kësaj platforme, ne nderojmë miqësinë e vendit tonë dhe të gjithë ata që shërbyen si diplomatë të vendit tonë, para se të kishte ministri të punëve të jashtme e aq më pak ambasadorë. Sot, shpalosim platformën MIK, që jo rastësisht nënkupton edhe “Made in Kosova”.

Platforma “Made in Kosova” nuk është simbolike, por përmban informata të detajuara mbi dhjetë sektorët kyç të vendit tonë, me shifra të cilat jo vetëm iu shërbejnë investitorëve potencial por që tregojnë transparencën me të cilën qeveriset vendi ynë. Kjo platformë synon të jetë dritarja e parë digjitale institucionale për shumë miq jashtë vendit, si dhe për shumë njerëz të tjerë kureshtarë të cilët do të na bëhen miq të interesuar të mësojnë më shumë për realitetin e potencialin ekonomik, kulturor e turistik të shtetit tonë, si hap që paraprinë bashkëpunimin.  

Nëse hyn te sektori i verërave për shembull, ke mundësi me pa saktësisht sa hektarë vreshta janë në Rahovec, Suharekë e Malishevë. Ndërsa te përpunimi i drurit figuron që industria në fjalë kishte 1 miliardë euro qarkullim në 5 vitet e fundit. Gjithashtu, platforma krijon mundësi të komunikimit direkt, të kërkesës për vizitë, të cilën MPJD-ja e lidhë me departamentin përkatës. Kështu që “it got lost in the mail” nuk vlen më as për dërguesit e porosisë e as për të cilët e pranojnë atë.

Sot po ashtu e lansojmë iniciativën e këndit fizik, Made in Kosova. Në këtë kënd, prodhuesit, artistët dhe sipërmarrësit tanë do të shfaqen në çdo mision diplomatik. Synimi i platformës dhe këndit “Made in Kosova” është të ndërtojë një imazh të fuqishëm dhe të besueshëm të Kosovës, duke shtrirë mundësitë për bizneset vendore për të hyrë në tregje të reja dhe për të tërheqë drejtpërdrejtë investime të huaja.

Në tre vitet e fundit kemi dyfishim të eksporteve. Për shembull, në janar të vitit 2022, eksporti i produkteve të Kosovës tregoi një rritje prej 62.3% krahasuar me vitin 2020. E megjithatë, vlera e eksporteve tona, në raport me vlerën e importeve, përfaqësoi vetëm 18% të vlerës totale të importeve që tregon se ende vazhdon të jetë i lartë deficiti tregtar i vendit tonë. Kjo tregon që iniciativat që ne shpallim sot janë një hap ekonomik në drejtimin e duhur. Kjo është edhe një moment për shtetin tonë, kur diplomacia jonë bëhet një shtyllë gjithnjë e më e rëndësishme e zhvillimit ekonomik.

I falënderoj të gjithë ata në MPJD në bashkëpunim me USAID që kanë ndërtuar këtë iniciativë.

Për Kosovën dhe “Made in Kosova”. Gëzuar!

Last modified: 14 Maj, 2024

Comments are closed.

×