Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti zhvilloi një darkë pune me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

13 Maj, 2024

Prishtinë, 13 maj 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari-Lila, zhvilloi sonte një darkë pune me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Kjo darkë u zhvillua me ftesë të kryeministrit Kurti. Temë qendrore e diskutimit ishte mbarëvajtja e punës së Kuvendit dhe përmbushja e agjendës legjislative në Kuvend për sesionin pranveror, përkatësisht votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Janë 13 marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë në pritje për t’u votuar, e për çka nevojiten 2/3-tat e deputetëve në Kuvend.

Kryeministri theksoi se me 224 ligje të votuara në dy lexime deri më tani, legjislatura e dalë nga zgjedhjet e shkurtit 2021 ka shënuar rekord të ri të ligjeve të votuara që prej pavarësisë së vendit. Ky numër mund të rritet edhe më tej, por që për çështje të caktuara, sikurse marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligje të caktuara nevojitet edhe mbështetja dhe kontributi i partive tjerat parlamentare.

Krahas kësaj, u diskutua edhe për aktualitetin politik, ecjen e Republikës së Kosovës në integrimet ndërkombëtare, dhe për mundësitë për zgjedhjet e reja në të ardhmen e afërt, teksa Qeveria ka hyrë në vitin e fundit të mandatit të saj.

Kryeministri Kurti falënderoi udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës, kryetarin Memli Krasniqi dhe kryetarin e Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri, që ju përgjigjen pozitivisht ftesës për një darkë pune sonte. Ai është i gatshëm dhe i interesuar që të takojë edhe përfaqësuesit e partive tjera parlamentare për të zhvilluar diskutime të ngjashme me ato të sontshme.

Pyetjet dhe pergjigjet për media:

Pyetje: Z. Krasniqi insiston që të bëhet mocioni dhe ju të rrëzoheni. A jeni ju pro kësaj, a u pajtuat. Ai insiston që Bedri Hamza do të duhej të jetë pasardhësi i juaj?

Kryeministri Kurti: Ata e kanë përcaktuar kandidatin e tyre për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme. Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por janë çështje të muajve, andaj edhe unë jam i interesuar që ta diskutoj me PDK-në, me LDK-në me AAK-në, se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës. E dimë që në përgjithësi është pranvera ose vjeshta. Kjo nuk do të thotë që nuk do të mund të mbahen edhe në dimër e në verë, por më mirë është në pranverë ose në vjeshtë. Nëse shkon mandati deri në fund i bije që zgjedhjet e radhës do të do të jenë diku në dimër. Andaj, le ta diskutojmë a është më mirë t’i mbajmë në pranverë ose në vjeshtë, por unë nuk dua që për këtë ta imponojë vullnetin tim ose të them vetëm kështu se nuk mundet ndryshe, edhe për shkak se kjo është një çështje për të cilën nuk do të duhej që të bënim debat. Le ta bëjmë debatin në kuadër të fushatës zgjedhore, ndërkohë që jemi pajtuar se kur do të jenë zgjedhjet. Na nevojitet edhe LDK-ja dhe AAK-ja që ta kemi…

Pyetje: A keni ndonjë datë të preferuar?

Kryeministri Kurti: E di që keni pak durim sepse darka ka zgjatur shumë, por nuk jemi takuar kaherë edhe kishim shumë gjëra për të diskutuar.

Pyetje: A është mesi i korrikut data e preferuar për juve?

Kryeministri Kurti: Duhet të diskutojmë me të gjitha subjektet politike dhe ta shohim se cila është data për të cilën pajtohemi më së shumti. Unë do të isha dakord për këtë gjë.

Pyetje: A do të ketë lëvizje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe a do të dërgoni drafstatutin në Kushtetuese?

Kryeministri Kurti: Nuk kam asgjë të re t’ju them për këtë aspekt, për shkak se i kemi plotësuar të gjitha kushtet. Tash unë besoj që fjalën nuk e kemi ne por e ka Këshilli i Evropës, përkatësisht Këshilli i Ministrave, i cili mban mbledhje me 16 dhe 17 maj, pra është çështje ditësh brenda kësaj jave.

Pyetje: Kur planifikoni t’i takoni partitë tjera për të diskutuar për datën e zgjedhjeve?

Kryeministri Kurti: Unë i kam ftuar që të gjitha partitë sonte. E falënderoj udhëheqjen e PDK-së që është përgjigjur pozitivisht. Unë do të insistoj që të takohem edhe me të tjerët. Nuk është synimi im të përjashtoj askë dhe besoj që marrëveshjet ndërkombëtare që kanë nevojë për 80 vota e bëjnë të domosdoshme bashkëpunimin. Unë kam marrë shumicën në zgjedhjet e kaluara dhe në Kuvend të republikës. Me 22 mars të vitit 2021 jam zgjedhur me 67 deputetë, mirëpo ju e dini që për marrëveshjet ndërkombëtare nevojiten 80 deputetë. Unë nuk besoj që kjo legjislaturë nuk ka qenë e mirë, përkundrazi 224 ligje janë votuar në të dy leximet tash që po flasim. Do të mund të votohen edhe të tjera, ndërkohë që rekordin e ka mbajtur legjislatura, e cila i patë votuar 220 ligje në të dy leximet. Pra ende pa përfunduar mandatine kemi rekordin e ligjeve të kaluara në mandat.

Pyetje: Pjesa tjetër e opozitës thonë se është takim i vonuar. A keni përgjigje?

Kryeministri Kurti: Jemi takuar edhe në vitin 2021, në vitin 2022. Tash janë disa rrethana të reja të cilat besoj që kërkonin takime të këtilla më të gjata, dhe në vend se të takohemi në zyra e ku do të na duhej që të porosisim kafe për herën e katërt thamë më mirë të takohemi për darkë edhe bisedojmë më shtruar, më gjatë….

Pyetje: A ka Vetëvendosja vota për shpërbërje të Kuvendit dhe a ka gjasa që me u ndërru agjenda në këtë javë për Këshillin e Evropës?

Kryeministri Kurti: Për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten 80 vota. Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka, por njëkohësisht unë nuk do të preferoja që të shpërndahet Kuvendi edhe me dy parti, mbase edhe me tri parti. Pse të mos jemi që të gjithë bashkë?. Është në natyrën e opozitës që të kërkojë zgjedhje, ndërkohë që unë jam në vitin e fundit të mandatit dhe qeverisja ime në këtë mandat nuk mund të zgjasë më shumë se sa disa muaj. Për mua nuk është thelbësore a do të qeverisim në këtë mandat edhe dhjetë muaj, tetë apo gjashtë muaj apo tre muaj. Është e rëndësishme që të kemi një konsensus sa më të gjerë, të jemi sa më gjithëpërfshirës për muajin, datën e zgjedhjeve dhe më pastaj debatin ta bëjmë politik e ideologjik për katër vitet e ardhshme.

Pyetje: A po tentoni që të shkoni në zgjedhje para administratës së re në Amerikë ku sondazhet e nxjerrin Trump-in fitues, a ka të bëjë kjo ndonjë gjë?

Kryeministri Kurti: Jo për besë, ju e dini shumë mirë çka ka ndodh në vitin 2020 dhe 2021. Unë besoj që duhet të nxjerrën mësimet edhe nga ajo kohë. Ne marrëdhëniet me Shtete e Bashkuara të Amerikës nuk i bazojmë mbi atë se a janë në pushtet Republikanët apo Demokratët, dhe këtu tek ne, edhe ne i kemi dallimet ideologjike dhe ato janë kryesoret. Unë besoj që për qeverisjen e mirë në Kosovë dhe për të ardhmen e shtetit tonë duhet të shohim dallimet në mes partive tona e jo partive në Amerikë, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati, partneri ynë, miku ynë kryesor dhe i pazëvendësueshëm.

Pyetje: Kryeministër a do të bëni përpjekje që t’i takoni edhe kërkoni takim edhe me liderët e tjerë të opozitës apo këtu ka përfunduar?

Kryeministri Kurti: Jo nuk ka përfunduar. Ka përfunduar kjo darkë, s’do të kemi edhe një darkë sonte. Por unë jam i interesuar që ky bashkëbisedim të vazhdojë edhe me të tjerët, sepse duam që këto marrëveshje ndërkombëtare dhe situata e përgjithshme politike për shtetin e Kosovës që i tejkalon edhe qëndrimet e partive e opinionet e deputetëve, të diskutohet më shtruar, më gjatë dhe me gjithëpërfshirje sa më të madhe. Unë nuk mund ta përcaktojë datën e zgjedhjeve vet, besoni edhe po ta kisha mundësinë që unë ta përcaktojë datën e zgjedhjeve, nuk do të ishte në rregull që unë ta përcaktoja.

Kryeministri Kurti: Nuk shpërndahet Kuvendi me shumicë të thjeshtë, nevojiten së paku 80 deputetë, pra nevojitet edhe opozita. Prandaj, ne nuk jemi opozita, por edhe PDK-ja nuk është e vetmja opozitë. Do të na duhet ta vazhdojmë këtë bashkëbisedim.

Pyetje: Nëse PDK-ja inicion mocion, a i bashkoni votat për seancën për shpërndarjen e Kuvendit?

Kryeministri Kurti: Më lejoni që të shohim pak edhe diskutimin me dy partitë tjera opozitare.

Pyetje: Kur do t’i ftoni?

Kryeministri Kurti: Edhe njëherë po theksoj, diskutimet, polemikat që i kemi më njëri-tjetrin nuk besoj që do të duhej të ishin për datën e zgjedhjeve.

Pyetje: Kur do t’i ftoni dy partitë e tjera që nuk kanë ardh sonte?

Kryeministri Kurti: Menjëherë unë prej këtu kam takim në zyrë tash. Pra nuk po shkoj në shtëpi, kam takim me Telekomin e Kosovës dhe me ministren Artane Rizvanolli, se si t’ia bëjmë me Telekomin që të zhvillohet edhe më shumë e të mos na e dëmtojnë akterët e faktorët të cilën po përpiqen që ta vazhdojnë zhvatjen e dikurshme që e ka ndërpre menaxhmenti i ri.
Faleminderit shumë!

Last modified: 15 Maj, 2024

Comments are closed.

×