Zyra e Kryeministrit

Thirrja e kryeministrit Kurti për regjistrim në javën e fundit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave

13 Maj, 2024

Bashkë me ministrin Nenad Rashiq, sot ishim në Kamenicë. Të dhënat më të fundit na tregojnë se banorët e kësaj komune i janë përgjigjur pozitivisht e pa hezitim thirrjes sonë për regjistrim. Kamenica është një nga shembujt më të mirë të bashkëjetesës ndëretnike dhe integrimit të komunitetit serb në Kosovë. Kjo po vërtetohet edhe me përqindjen e lartë të pjesëmarrjes së qytetarëve tanë të komunitet serb në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Të dashur qytetarë,

Tashmë jemi në javën e fundit të procesit të regjistrimit të popullsisë. Deri tani janë regjistruar mbi 1,420,000 qytetarë në Republikën e Kosovës.

Dua të falënderoj secilin regjistrues e mbikëqyrës për punën shembullore. Kjo punë është vlerësuar edhe nga ekipet mbikëqyrëse të Kombeve të Bashkuara, nga Komisioni Ekonomik për Evropë, UNECE, dhe nga Fondi për Popullsi, UNFPA. I inkurajoj që të vazhdojnë punën me përkushtim deri në përmbyllje të procesit.

Regjistrimi i popullsisë, i secilit prej nesh, nuk është thjesht evidentim për statistika, por do të na shërbejë për politika të drejta e orientim të saktë në vendimet e masat, projektet e investimet që do të ndërmarrim në 10 vjetët në vijim. Regjistrimi juaj është jetik për ju e për vendin, për planifikimin e të ardhmes sonë.

Ju bëj thirrje edhe një herë, në Kosovë e diasporë, juve të cilëve ende nuk jeni regjistruar, që ta shfrytëzoni këtë javë të fundit deri me 17 maj, për t’u regjistruar dhe kësisoj ta përmbyllim këtë proces sa më mirë.

Ju faleminderit!

Last modified: 13 Maj, 2024

Comments are closed.

×