Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministri Bislimi u takua me Sekretarin e Shtetit të Departamentit Federal për Punë të Jashtme të Zvicrës (FDFA), Alexandre Fasel

1 Maj, 2024

Bern, 1 maj 2024

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u takua ditën e djeshme gjatë qëndrimit në Zvicër me Sekretarin e Shtetit të Departamentit Federal për Punë të Jashtme të Zvicrës (FDFA), Alexandre Fasel.

Në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi perspektivën evropiane të vendit tonë, objektivat e synimet e rrugëtimit në proceset e integrimit evropian dhe zhvillimin e progresin e vendit tonë. U nënvizua se përmes programit tonë qeveritar dhe politikave të ndërmarra, kemi dëshmuar përkushtimin e fuqishëm për qeverisje demokratike dhe bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, për rritje ekonomike të qëndrueshme, me shpërndarje të drejtë e të barabartë tek të gjithë qytetarët.

Më tej, u diskutua dhe rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi vlerat demokratike të shtetit tonë dhe synimin e përafrimit me bashkësinë evropiane, ku një hap i rëndësishëm është dhe anëtarësimi në këtë organizatë.

Në mesin e temave të trajtuara ishin dhe situata në vend dhe rajon si dhe procesi i dialogut. Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi z. Fasel për mikpritjen, bisedën e çmuar dhe pikëpamjet e shkëmbyera, duke theksuar dhe rëndësinë e vazhdimit të fuqizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona.

Last modified: 1 Maj, 2024

Comments are closed.

×