Zyra e Kryeministrit

Organizohet Akademi Përkujtimore për Adriana Abdullahun në 25-vjetorin e vrasjes së saj

22 Mars, 2024

Prishtinë, 22 mars 2024
 
Në fjalën e tij dedikuar humbjes së Adriana Abdullahut, e cila sot 25 vite më parë, u vra nga të shtënat e forcave serbe në Prishtinë, Kryeministri i Republikës, Albin Kurti në Akademinë Përkujtimore të organizuar nga Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës, kujtoi talentin e saj të rrallë, përkushtimin e palëkundur për edukimin dhe kapacitetin e saj të pashoq në aktrim, vlera të cilat asaj edhe ia dhanë nofkën “Engjëlli i Dodonës”.
 
Pa provokim, pa asnjë arsye u sulmua arti i Kosovës, u sulmuan artistët tanë. Në këtë mes tragjikisht humbëm Adrianën tonë. Por jo edhe magjinë e saj. Magjia e Adrianës jeton mes nesh dhe vazhdon të na frymëzojë”, u shpreh kryeministri duke theksuar se koha, shoqëria, veprat e saj, si dhe udhëheqja politike e Republikës së Kosovës nuk do të lejojnë shuarjen e shpirtit të saj.
 
Jehonë të pazëvendësueshme, e quajti kryeministri vrasjen e padrejtë të Adrianës nga lufta e agresorit, e cila u qëllua mbi rrethanën e saj shoqërore e festive, ndonëse ajo dhe jeta e saj do të jenë përjetshëm në vendin e rezistencës dhe flakës së ndezur për jetë dhe liri në vendin tonë.
 
“Gjeneratat e reja, duhet të kenë mundësinë e njohjes së shembujve të mirë, të dëshirës dhe të dashurisë së pareshtur për të krijuar edhe në kohërat më të vështira edhe në kushtet më të rrezikshme. Ky është mësimi më i madh që na jep Adriana, ende edhe pas 25 vitesh që nuk ndodhet fizikisht me ne”, shtoi tutje ai.
 
“I përjetshëm e përherë i ri qoftë kujtimi për të!” tha kryeministri. 
 
Në emër të familjes së Adrianës, foli motra e saj, Drita Abdullahu, e cila pasi falënderoi të gjithë ata që me përkushtimin tyre po mbajnë gjallë kujtimin për Adrianën, tha se humbja e saj është një plagë, që vazhdon e kullon dhembje.
 
“Me energjinë, që e karakterizonte gjithmonë, Adriana më tregonte për teatrin “Dodona”, Teatrin Kombëtar, që ishin nën masat e dhunshme nga regjimi, udhëtimet me kolegët anekënd vendit me shfaqjet e tyre”, tha ajo, duke theksuar se sa herë fliste me Adrianën në telefon, gjithmonë i krijonte përshtypjen se i lajmërohej nga një vend plotësisht normal.
 
Në këtë akademi përkujtimore, kryeministri Kurti përmendi faktin se institucionet e Republikës së Kosovës po përkujdesen vazhdimisht dhe fuqimisht për të siguruar, që figurat tona të artit dhe kulturës të nderohen. 
 
“Ne do të angazhohemi në mënyrë sistematike që puna e tyre, që është kontribut shoqëror të dokumentohet dhe të arkivohet. Që të përkujtohet trashëgimia që kanë lënë pas, që  të zhvillohet dhe të jetë e qasshme për gjeneratat e reja, për ata që do të vijnë pas nesh”, tha ai.
 
Kjo akademi përkujtimore është organizuar nga Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës. Të pranishëm ishin familjarë e shoqëri e afërt e Adrianës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetë të Kuvendit të Republikës, udhëheqës të Teatrit Kombëtar, dhe pjesëtarë të komunitetit të gjerë artistik.
 
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
 
Të dashur familjarë të Adriana Abdullahut,
Znj. Drita Abdullahu Zaimi, dhe djemtë Uliksi e Sentoni,
Të nderuar shoqëri e afërt e Adrianës, z.Lutolli, z.Petrovci, z.Dragaj, z.Safqiu, 
E nderuar ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu,
Deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar artistë e aktorë, komunitet i gjerë artistik,
E nderuar udhëheqje e Teatrit Kombëtar, drejtorë dhe ju të tjerë,
Zonja dhe zotërinj,
 
Në këtë teatër, në Prishtinë, na ka mbledhur sot Adriana Abdullahu. Edhe 25 vjet pas vrasjes së saj, po na bashkon dashuria që ajo kishte për skenën dhe për Prishtinën.
 
Në marsin e vitit 1999, para se të largohej nga Kosova, Adriana kishte këmbëngulur që të vinte edhe një herë në Prishtinë. Në mbrëmjen e 22 marsit, pasi ishin në teatër, kishin dalur bashkë me kolegët e aktrimit në kafenenë me emrin “Magic”. Aty u vra Adriana, nga të shtënat nga forcat serbe. 
 
Pa provokim, pa asnjë arsye u sulmua arti i Kosovës, u sulmuan artistët tanë. Në këtë mes tragjikisht humbëm Adrianën tonë. Por jo edhe magjinë e saj. Magjia e Adrianës jeton mes nesh dhe vazhdon të na frymëzojë.
 
Adriana quhet “Engjëlli i Dodonës” e teatri i qytetit të saj, Ferizajt, quhet “Teatri Adriana”.
 
Sepse një shpirt si ai i Adrianës nuk mund të shuhet. Atë nuk e bën dot koha, nuk e lejon shoqëria, nuk e mundëson vepra dhe përvoja e saj njerëzore. E nuk do ta lëmë as ne, si udhëheqje politike e Republikës së Kosovës. 
 
Adriana Abdullahu njihet për talentin e rrallë, përkushtimin e palëkundur për edukimin dhe kapacitetin e saj të pashoq në aktrim. Ajo vijoi studimet në fakultet gjatë luftës, përkundër rreziqeve të përditshme. 
 
Të afërmit dhe miqtë, e përshkruajnë si një vajzë  e cila ndriçonte me buzëqeshjen dhe energjinë e saj. E këtillë ishte edhe në kohët e errëta të viteve të fundit, të dekadës së fundit, të shekullit të kaluar. Si një kometë e rrallë, që ndriçon në errësirë, që i mahnitë të gjithë që e shohin e që shkurt shfaqet në qiell. E tillë ishte Adriana. Të këtillë do ta kujtojmë, si një kometë që na rikthehet për çdo 22 mars, të secilit vit që jetojmë ne, por edhe në çdo shfaqje të teatrit tonë të rezistencës Dodona e të teatrit Adriana që mbanë emrin e saj në Ferizaj.
 
Ajo dhe jeta e saj do të jenë përjetshëm model i rezistencës dhe flakës së ndezur për jetë dhe për liri në vendin tonë. 
 
Kur e vranë, Adriana Abdullahu ishte 23 vjeҫare. Ishte një vit më e re se unë. Po të mos e vrisnin, Adriana do të ishte sot një vit më e re se unë. Mbrëmë isha në teatrin “Dodona”,  dhe aty u dha një shfaqje e ciklit “Atmospheres” të Javës së Frankofonisë. Një shfaqje e shkëlqyeshme, magjepse “B+B=BB”, për figurën e Brigitte Bardot, teksa ajo eglendisej në situatat dhe veprat e historisë moderne të kulturës dhe artit francez.
 
Shfaqjen franceze “B+B=BB”, sikur mos ta vrisnin para 25 viteve do të mund ta shikonte mbrëmë edhe Adriana Abdullahu. E vrasësi para 25 viteve nuk e ka shënjestruar Adrianën ashtu thjeshtë, vrasësi e ka urrejtur deri në vrasje një shqiptare që feston, një artiste premtuese. 
 
Nuk ka qëlluar mbi Adrianën por ka qëlluar mbi rrethanën e saj shoqërore, mbi rrethinën e saj festive. Sikur të mos vritej Adriana para 25 viteve, do të ishin të panumërta shfaqjet ku ajo tashmë ka luajtur role e çmimet me të cilat tashmë është shpërblyer.
 
Sikur të mos e vrisnin sot studentët e saj do të mund të festonin provimet që i kanë dhënë tek ajo, sikurse ajo që festonte provimet që i jepte në klasën e Faruk Begollit. 
 
Sikur të mos e vrisnin para 25 viteve, ndoshta sot do të diskutonim se cili prej fëmijëve të saj i ka përngjarë më së shumti nënës së bukur e të famshme aktorit të teatrit tonë. 
 
Padrejtësia e vrasjes së Adrianës la jehonë të pazëvendësueshme. Humbja e saj fizike asnjëherë nuk do të ngadhënjejë mbi fuqinë e saj pozitive shpirtërore. Këtë e dëshmon edhe Teatri i Ferizajt ku zhvillohen gjeneratat e reja artistësh nën ombrellën e emrit Teatri “Adriana”. 
 
E ky është vetëm një hap drejt ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore, artistike që ajo la pas vetes së saj për neve të tjerëve. 
 
Përkujtimi i sotëm është një hap tjetër modest që po e ndërmarrim së bashku, për të rikujtuar jetën dhe veprën e Adriana Abdullahut. 
 
Gjeneratat e reja, duhet të kenë mundësinë e njohjes së shembujve të mirë, të dëshirës dhe të dashurisë së pareshtur për të krijuar edhe në kohërat më të vështira edhe në kushtet më të rrezikshme. Ky është mësimi më i madh që na jep Adriana, ende edhe pas 25 vitesh që nuk ndodhet fizikisht me ne. 
 
Ajo na rikujton që arti dhe kultura ndonëse zhvillohen në kohë, nuk varen prej kohës. Na kujton që arti dhe kultura janë thelbi i rezistencës së popujve të shtypur, që duan dhe arrijnë lirinë. 
 
Institucionet tona të Republikës së Kosovës po përkujdesen vazhdimisht dhe fuqimisht për të siguruar, që figurat tona të artit dhe kulturës të nderohen. 
 
Ne do të angazhohemi në mënyrë sistematike që puna e tyre, që është kontribut shoqëror të dokumentohet dhe të arkivohet. Që të përkujtohet trashëgimia që kanë lënë pas, që të zhvillohet dhe të jetë e qasshme për gjeneratat e reja, për ata që do të vijnë pas nesh. 
 
Me dashurinë e madhe për jetën, Adriana jetonte me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë. Lufta e agresorit i preu ëndrrën për teatrin e saj e tonin. Mbi krahët e lirisë së Republikës sonë, atë po e bartin dhe jetësojnë brezat e rinj të aktrimit, bashkë me dashurinë e pashembullt për artin, për qytetarët, për teatrin, për të bukurën.
 
Lavdi jetës dhe veprës së Adriana Abdullahut!
 
I përjetshëm e përherë i ri qoftë kujtimi për të!

Last modified: 22 Mars, 2024

Comments are closed.

×