Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në Akademinë Përkujtimore në nder të Heroit, Selim Berisha

20 Mars, 2024

Prishtinë, 20 mars 2024

Të bashkuar për të kujtuar veprimtarinë e intelektualit dhe heroit, Selim Berisha, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore në praninë e familjes Berisha, si dhe invalidëve, veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Profesori shqiptar i historisë përballë policit armik të Serbisë”, është epiteti me të cilin kryeministri Kurti e vlerësoi heroin Selim Berisha, duke përmendur para të pranishmëve frymëzimin dhe trimërinë e tij, vlera me të cilat mëshironte edhe narracionet historike e shpjegimet para nxënësve.

Në vitin i cili shënon 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, kryeministri veçoi se kjo periudhë kohore do të pasohet me përkujtime për shumë dëshmorë e martirë të rënë në beteja, si dhe viktima civile të vrara gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1999, përfshirë edhe këtë akademi të sotme në nder të dëshmorit, Selim Berisha.

“Deri sot, dëshmorit Selim Berisha i janë njohur të gjitha meritat dhe i janë akorduar të gjitha mirënjohjet dhe titujt nga shoqëria dhe nga shteti: që nga ai i “Dëshmori të Kombit” më 2017 dhe deri te urdhri “Hero i Kosovës” më 2019”, u shpreh kryeministri.

Më tej, ai tha se historia dhe kontributi i profesorit Berisha, janë përcjellë gjithmonë nga fryma kombëtare, deri në 20 marsin e 1999-ës kur u gjend i pozicionuar dhe i armatosur në katin e dytë të shtëpisë së tij, duke pritur policët të afroheshin dhe duke qëlluar e qëndruar me aq municion sa kishte, derisa ra dëshmor si një profesor e edukator brezash për histori, dhe si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në kuadër të aktiviteteve përkujtuese, u promovua edhe libri monografik i cili përmbledh shumë artikuj gazetash, profile biografike, faksimile dokumentesh dhe fotografi të ndryshme të mbledhura dhe kuruara nga autori Zymer Mehani, me titull “Dëshmori Selim Berisha: Profesori që frymëzonte brezat”.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara familje Berisha,
Të nderuar miq e shokë të dëshmorit Selim Berisha,
Të nderuar invalidë dhe veteranë dhe familje të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar profesorë e akademikë,
Të dashur studentë,
Të nderuar punonjës shkencorë të Institutit Albanologjik në Prishtinë,
Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër, të nderuar të pranishëm,

Sivjet, teksa po i afrohemi muajit qershor kur mbushet një çerek shekulli prej kur Kosova është çliruar nga Serbia okupatore e pushtuese, jemi në një vit kur do të përkujtohen në 25 vjetorin e tyre, shumë dëshmorë dhe martirë: luftëtarë të rënë në beteja dhe viktima civile të vrara gjatë luftës, gjatë vitit 1999, pranverës së tragjedive të mëdha njerëzore dhe çlirimit popullor të Kosovës. 25 vjetori i çlirimit të vendit tonë do të shënohet në mes të këtij viti, pra është përvjetor i një periudhe që ka krijuar distancën kohore të mjaftueshme për të reflektuar mbi atë se çfarë ndodhi me vendin dhe me popullin tonë në kohën e luftës së fundit. Me këtë ndjesi reflektimi e mora edhe ftesën tuaj për të ju bashkangjitur kësaj akademie përkujtimore në 25-vjetorin e rënies së dëshmorit, profesor Selim Berishës.

Deri sot, dëshmorit Selim Berisha i janë njohur të gjitha meritat dhe i janë akorduar të gjitha mirënjohjet dhe titujt nga shoqëria dhe nga shteti: që nga ai i “Dëshmori të Kombit” më 2017 dhe deri te urdhri “Hero i Kosovës” më 2019. Më vjen mirë të kuptoj që sivjet, në 25 vjetorin e rënies së Selim Berishës, shumë artikuj gazetash, profile biografike, faksimile dokumentesh dhe fotografi të ndryshme janë mbledhur dhe kuruar nga autori Zymer Mehani, në librin “Dëshmori Selim Berisha: Profesori që frymëzonte brezat (Kumtesa e materiale nga shtypi ditor)”. Historinë e dëshmorit Selim Berisha e kam të lexuar pikërisht në artikujt e shtypit, por edhe e kam të dëgjuar nga miq që u ka qëlluar ta kenë profesor e ta kenë kolegë në shkollën “Ali Kelmendi” në Barilevë, e të cilët më kanë thënë se Profesori Selim, e shpjegonte lëndën historisë gjithmonë në frymë kombëtare. Dhe jo vetëm që e shpjegonte por edhe e besonte atë narracion historie prej të cilës frymëzohej dhe trimërohej, ashtu që sa herë që qëllonte të vinte policia serbe në shkollë, ai dilte i pari para tyre dhe në mbrojtje të nxënësve. Profesori shqiptar i historisë përballë policit armik të Serbisë.

Me sa duket, kjo frymë dhe kjo bindje e përcolli Profesor Selimin deri në ditën e 20 marsit 1999, kur refuzoi ta lëshonte shtëpinë e tij në Drenovc: rezistoi me armë derisa ra dëshmor. Atë ditë, kur njësitë policore të Serbisë po i dëbonin banorët e fshatrave Drenovc, Barilevë, Prugovc e të zonës përreth, Selim Berisha u kërkoi familjarëve të largoheshin, ndërsa vet qëndroi në shtëpi i vendosur të rezistonte. Duke u pozicionuar i armatosur në katin e dytë të shtëpisë së tij, ai i priti policët të afroheshin dhe pastaj qëlloi e qëndroi me aq municion sa kishte. Selim Berisha ra dëshmor si një profesor dhe edukator brezash për histori dhe si pjesëtar, luftëtar i paepur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lavdi Profesor Selim Berishës dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit të rënë për lirinë e Kosovës.

Ju faleminderit.

 

 

Last modified: 20 Mars, 2024

Comments are closed.

×