Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministrja Rexhepi priti na takim nënkryetaren e komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq

13 Mars, 2024

Prishtinë, 13 mars 2024

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, priti në takim nënkryetaren e komunës së Zveçanit, znj. Natasha Tomaniq për të diskutuar çështje kyçe që prekin komunitetin lokal.

Temë e këtij takimi ishte sulmi ndaj pronës së nënkryetares Tomaniq, të cilin Zëvendëskryeministrja Rexhepi, e dënoi ashpër duke e cilësuar si sulm qyqar ndaj një gruaje të guximshme që thjesht dëshiron të punojë dhe jetojë në vendin e saj.

“Ky akt është jo vetëm i padrejtë por edhe i papranueshëm në një shoqëri që kërkon drejtësi dhe solidaritet. Dhuna nuk duhet të ketë vend në shoqërinë tonë, dhe së bashku duhet të rezistojmë çdo formë ndaj dhunës”, tha ajo.

Duke folur për projektet në këtë komunë, Zëvendëskryeministrja Rexhepi tha se mbështet fuqishëm projektet kyçe që kanë rëndësi jetike për të gjithë qytetarët e komunës së Zveçanit. Rikonstruksioni i lumit si masë parandaluese kundër rrjedhjes dhe përmbytjeve do të ketë ndikim të gjatë në sigurinë e bashkëqytetarëve tanë. Ndërtimi i tregut qendror, stacionit të autobusëve, dhe shërbimit taksi, si dhe vendosja e pengesave të ngadaltë pranë shkollave, paraqesin hapat themelore drejt ndërtimit të një bashkësie lokale të qëndrueshme dhe funksionale.

Poashtu në këtë takim u bisedua edhe për rëndësinë që ka mbështetja e aktiviteteve sportive, veçanërisht turizmit dimëror dhe kampingu, për të cilat u vlerësua se jo vetëm që inkurajojnë zhvillimin ekonomik, por ofrojnë edhe mundësi të reja për rekreacion dhe bashkëpunim ndër qytetarë.

“Sporti ka fuqinë të bashkojë dhe të ndërtojë bashkësinë, dhe krijimi i infrastrukturës do të mbështesë aktivitetet sportive të ndryshme dhe do të mundësojë qasje të barabartë për të gjithë”, tha zëvendëskryeministrja Rexhepi.

Zëvendëskryeministrja Rexhepi me këtë rast u shpreh se Komuna e Zveçanit do të ketë mbështetjen e saj të fortë në realizimin e të gjitha këtyre iniciativave, duke punuar së bashku për të krijuar kushte të mira për jetën e të gjithë qytetarëve, për të promovuar zhvillimin e komunës dhe për të luftuar së bashku kundër dhunës dhe pasigurisë.

Last modified: 14 Mars, 2024

Comments are closed.

×