Prishtinë, 12 mars 2024
Në kazermën “Adem Jashari”, sot u inaugurua Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike, ceremoni në të cilën mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandantin e FSK-së, Gjeneralejtënant, Bashkim Jashari, komandantin e Njësisë Kibernetike, Bashkim Sejdiaj, dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, Jonathan Hargreaves.
Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti tha se Qendra Shtetërore e Trajnimeve për Siguri Kibernetike i adreson shumë nga objektivat dhe parimet e politikave tona. Atë e konsideroi një platformë inovacioni dhe bashkëpunimi e cila do të na çojë drejt një të ardhmeje, ku vendi ynë do të jetë jo vetëm pjesëmarrës, por edhe kontribuues në fushën e sigurisë kibernetike.
“Trajnimet që do t’i ofrojë Qendra do t’i adresojnë objektivat qenësore për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore në sigurinë kibernetike dhe krijimin e vetëdijes kolektive për rreziqet kibernetike. Qendra do të shtyjë para parimet e gjithëpërfshirjes, partneritetit dhe të bashkëpunimit, si nga aspekti i përfituesve të trajnimeve, gjithashtu edhe nga aspekti i ofruesve të trajnimeve”, tha kryeministri duke konfirmuar se ky vend do t’i shërbejë institucioneve qeveritare e publike, por edhe entiteteve të infrastrukturës kritike në sektorin privat.
Ai tutje njoftoi se trajnimet do të mbahen nga trajnerët e brendshëm në Ministrisë së Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, por edhe nga trajnerët e jashtëm e ata ndërkombëtarë. Kësisoj, kurrikula e trajnimeve do të ofrojë një gamë të gjerë kursesh, duke filluar nga menaxhimi i incidenteve e deri te diplomacia kibernetike, kurse të cilat kanë marrë përkrahjen edhe nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar.
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se Ministria e Mbrojtjes është duke zhvilluar politikat e saj në bazë të rrethanave dhe krijimi i kësaj qendre ka qenë ndër prioritetet kryesore për këtë vit.
“Synimi ynë është që përmes kësaj qendre të trajnojmë institucionet e sigurisë që t’i bëjnë ballë çdo sulmi të kësaj natyre”, tha ministri Maqedonci, duke shtuar se Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike do të ofrojë trajnime me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet në fushën e sigurisë kibernetike, të përmirësoj aftësitë profesionale dhe të ndihmojë në ngritjen e niveleve të sigurisë kibernetike të institucioneve qeveritare, operatorëve të shërbimeve esenciale dhe ofruesve të shërbimeve digjitale për të arritur kapacitetet për mbrojtjen e infrastrukturës kritike në vend.
Krahas kësaj Qendre, është miratuar edhe Ligji për Sigurinë Kibernetik, gjersa janë hartuar edhe 10 nga 14 gjithsej aktet nënligjore që janë të domosdoshme për funksionalizimin e këtij ligji, është formuar Grupi Punues për Sigurinë Kibernetike të Infrastrukturës Kritike, dhe janë miratuar në Kuvend plotësim-ndryshimet e kodit penal dhe kodit të procedurës penale për të përfshirë në to nenet e krimeve kibernetike në bazë të Konventës së Budapestit.
Pas fjalimeve hyrëse, kryeministri së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandantin e FSK-së, Gjeneralejtënant, Bashkim Jashari dhe komandanti i Njësisë Kibernetike, Bashkim Sejdiaj, bënë përurimin e Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike, si dhe vizituan hapësirat e kësaj qendre.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuari Ejup Maqedonci, Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës,
Shkëlqesia Juaj, ambasadori Jonathan Hargreaves, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës,
I nderuari Shemsi Syla, zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes,
I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Lejtënant Bashkim Jashari,
I nderuari drejtor i NALT-it, Gjeneral Ralf Hammerstein,
Të nderuar përfaqësues nga ambasada britanike,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe Zotërinj,
Epoka digjitale ka sjellë mundësi të papara për progres dhe zhvillim, por edhe sfida të mëdha për mbarë njerëzimin. Nga sulmet kibernetike të sponzoruara nga shtetet jo demokratike, deri te rrjetet e sofistikuara të krimit kibernetik, bota ballafaqohet me situata, të cilat kanë ndikim në ekonomitë e shteteve, që cenojnë proceset demokratike dhe kërcënojnë sigurinë kombëtare. Dhe, përderisa teknologjia vazhdon të përparojë, hendeku i aftësive në fushën e sigurisë kibernetike shkon duke u zgjeruar. Trajnimi dhe edukimi i vazhdueshëm i profesionistëve dhe përdoruesve të teknologjisë, është rruga e vetme për kapërcimin e këtij hendeku, në mënyrë që ata të pajisen me njohuritë dhe mjetet që iu nevojiten për tu mbrojtur në mënyrë efektive nga kërcënimet kibernetike.
Andaj, është nder dhe kënaqësi që gjendem para jush sot këtu e bashkë me juve për të shënuar një moment të rëndësishëm në rrugën që po e ndjekë edhe Kosova drejt një hapësire kibernetike më të sigurt.
Inaugurimi i Qendrës Shtetërore të Trajnimeve për Siguri Kibernetike paraqet një angazhim e përkushtim dhe një arritje e mundësi domethënëse në këtë rrugëtim.
Viti i kaluar ka qenë vit i progresit në zhvillimin e shumë iniciativave dhe politikave tona në fushën e sigurisë kibernetike. Në shkurt e miratuam Ligjin për Sigurinë Kibernetike, që krijon bazën për siguri kibernetike në Republikën e Kosovës. Ligji parasheh themelimin e institucioneve kyçe shtetërore përgjegjëse për këtë fushë, përcaktimin e obligimeve për entitetet e infrastrukturës kritike dhe definimin e procedurave për menaxhimin e incidenteve kibernetike. Ndërkohë janë hartuar edhe 10 nga 14 gjithsej aktet nënligjore që janë të domosdoshme për funksionalizimin e këtij ligji. Ndërkaq, në muajin nëntor Kuvendi i miratoi edhe plotësim-ndryshimet e kodit penal dhe kodit të procedurës penale për të përfshirë në to nenet e krimeve kibernetike në bazë të Konventës së Budapestit.
Miratimi i Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2023-2027 në tetor të vitit të kaluar, në të njëjtën ditë kur e miratuam edhe strategjinë e e-Qeverisjes nuk ishte e rastësishme. Me këtë veprim deshëm të përçojmë mesazhin që digjitalizimi gjithëpërfshirës, të cilin e synojmë, duhet të bëhet edhe në mënyrë të sigurt. Strategjia e sigurisë kibernetike përmes objektivave të saj e thekson se kjo siguri nuk ka të bëjë vetëm me zbatimin e teknologjive moderne, por edhe me zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, ndërgjegjësimin e administratës publike e të qytetarëve, promovimin e kulturës kibernetike, krijimin e partneriteteve publiko-private dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Formimi i Grupit Punues për Sigurinë Kibernetike të Infrastrukturës Kritike, me mbështetjen e programit të USAID-it për digjitalizimin dhe qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike, është edhe një iniciativë tjetër përmes së cilës kemi theksuar qasjen tonë gjithëpërfshirëse ndaj sigurisë kibernetike. Kjo nismë dëshmon bindjen tonë se mbrojtja kibernetike është një përpjekje kolektive. Pra, do të jemi të sigurt, sepse jemi që të gjithë të sigurt e që kërkon pjesëmarrjen si të institucioneve qeveritare, ashtu edhe të sektorit privat e të akademisë.
Qendra Shtetërore e Trajnimeve për Siguri Kibernetike i adreson shumë nga këto objektiva dhe parime të politikave tona. Kjo qendër është një nga institucionet kyçe të parapara me ligjin e ri, krahas Agjencisë për Siguri Kibernetike, rregulloren për themelimin e së cilës e kam nënshkruar javën e kaluar. Trajnimet që do t’i ofrojë Qendra do t’i adresojnë objektivat qenësore për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore në sigurinë kibernetike dhe krijimin e vetëdijes kolektive për rreziqet kibernetike. Qendra do të shtyjë para parimet e gjithëpërfshirjes, partneritetit dhe të bashkëpunimit, si nga aspekti i përfituesve të trajnimeve, gjithashtu edhe nga aspekti i ofruesve të trajnimeve. Qendra do t’i shërbejë institucioneve qeveritare e publike, por edhe entiteteve të infrastrukturës kritike në sektorin privat. Trajnimet do të mbahen nga trajnerët e brendshëm në Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, por edhe nga trajnerët e jashtëm e ata ndërkombëtarë.
Kurrikula e trajnimeve të kësaj Qendre do të ofrojë një gamë të gjerë kursesh, duke filluar nga menaxhimi i incidenteve e deri te diplomacia kibernetike. Mbështetja e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar përmes DCAF-it në zhvillimin e kësaj kurrikule, së bashku me mbështetjen e vazhdueshme nga Ambasada Amerikane në krijimin e Qendrës, janë edhe një dëshmi, që në këtë rrugëtim të rëndësishëm jemi së bashku me partnerët e me aleatët tanë.
Sot, ndërsa festojmë hapjen e Qendrës Shtetërore të Trajnimeve për Siguri Kibernetike, ne rikonfirmojmë përkushtimin tonë për një Kosovë të sigurt, të qëndrueshëm dhe të gatshme për të kontribuar në sigurinë kibernetike rajonale, kontinentale e globale. Le të punojmë që kjo Qendër të jetë një platformë e inovacionit dhe bashkëpunimit, që do të na çojë drejt një të ardhmeje, ku vendi ynë do të jetë jo vetëm pjesëmarrës, por edhe kontribuues në fushën e sigurisë kibernetike.
Pra, epoka kibernetike në të cilën jetojmë gjithsesi e ka bërë botën globale si asgjë tjetër, si asnjëherë më parë, andaj edhe sigurinë duhet ta kemi të tillë dhe, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, me Komandantin e ushtrisë sonë, me partnerët tanë, ne po e dëshmojmë përmes kësaj qendre se nuk dëshirojmë që nga ky bashkëpunim vetëm të përfitojmë, por gjithashtu edhe të kontribuojmë. Duhet të ketë edhe përfitim edhe kontribut të gjithsecilit së bashku.
Në fund, më lejoni të falënderoj Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në krijimin e kësaj Qendre, si dhe Ambasadat Britanike dhe Amerikane për mbështetjen e pakursyer e të vazhdueshme në fushën e sigurisë kibernetike.
Urime e ju faleminderit!
Last modified: 12 Mars, 2024