Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi kompaninë për prodhimin e tubave të letrës “DG PACK”

8 Mars, 2024

Prishtinë, 8 mars 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në gjatë ditës së sotme ka vizituar kompaninë për prodhimin e tubave të letrës “DG PACK SHPK”, me pronare Doruntina Kuka-Gashi.

Duke vlerësuar lart punën që bëhet në këtë kompani, kryeministri Kurti tha se kjo është një kompani e suksesshme me rreth 20 punëtorë, e cila është e certifikuar edhe sa i përket standardit të cilësisë, por gjithashtu edhe standardit CE.

“Andaj, po arrin që përveçse të plasojë në tregun e brendshëm të Kosovës, edhe të eksportojë në vende sikurse Shqipëria dhe Gjermania”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se lëndën e parë, përkatësisht letrën dhe ngjitësin e marrin nga Italia, Greqia dhe Turqia dhe gjithashtu nga grantet që kanë përfituar e kanë modernizuar teknologjinë dhe e kanë shtuar prodhimtarinë.

Ai e uroi znj. Doruntina edhe 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Grave, dhe për suksesin e madh të kompanisë së saj.

Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, pasi uroi 8 Marsin të gjitha grave të Kosovës, inkurajoi ato për hapjen e bizneseve, sepse siç tha ajo, do ta kenë edhe përkrahjen e Qeverisë, përmes granteve, certifikimit, standardizimit, përmirësimit të makinerisë si dhe trajnimeve, por edhe për t’iu ofruar sa më shumë hapësirë për të bërit biznes në Republikën e Kosovës.

E themeluar në vitin 2018, kjo kompani është e specializuar në prodhimin e tubave të kartonit në formë spirale me trashësi që shkon nga 2mm deri në 16mm. Këto tuba shfrytëzohen në industrinë e lehtë dhe të rëndë për paketimin e produkteve. Përveç tubave, kompania është e përfshirë edhe në prodhimin dhe parapaketimin e fletëve prej alumini dhe fletëve plastike transparente.

Kompania kishte filluar punën me 2 punonjës, ndërsa pas rritjes së kërkesës për produkte, angazhimit të fortë për punë profesionale, ka mundësuar që kompania në fjalë të rrisë produktivitetin dhe numrin e punonjësve, ku aktualisht numëron 20 punonjës, një numër që rritet edhe më shumë gjatë sezonit veror.

DG PACK SH.P.K. ka arritur të operojë me sukses në tregun lokal dhe të eksportojë produktet e tyre edhe në tregun e ndërkombëtar.

Deklarimi i kryeministrit Kurti pas vizitës:

Sot me 8 Mars, vizituam një biznes këtu jo larg kryeqytetit, në Lapnasellë, ku pronare është një grua, Doruntina Kuka Gashi, e cila që nga viti 2018 e ka ngritur dhe udhëhequr kompaninë “DG Pack”, që prodhon tuba të letrës apo fytëza të letrës, siç quhet ndryshe, të profileve të ndryshme mbi 35 lloje, me trashësi nga 2 milimetra deri në 15 milimetra, po sipas kërkesës mund të shkojnë edhe më shumë se kaq. Ndërkaq, me dimensione deri në FI 500, apo gjysmë metri.

Është një kompani e suksesshme me rreth 20 punëtorë, e cila është e certifikuar edhe sa i përket standardit të cilësisë, por gjithashtu edhe standardit CE.

Andaj, po arrin që përveçse të plasojë në tregun e brendshëm të Kosovës, edhe të eksportojë në vende sikurse Shqipëria dhe Gjermania.

Lëndën e parë, përkatësisht letrën dhe ngjitësin e marrin nga Italia, Greqia dhe Turqia dhe gjithashtu nga grantet që kanë përfituar e kanë modernizuar teknologjinë dhe e kanë shtuar prodhimtarinë.

Unë e uroj dyfish sot zonjën Doruntina edhe për 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Grave edhe për suksesin e madh të kompanisë së saj.

Last modified: 8 Mars, 2024

Comments are closed.

×