Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti takoi deputeten finlandeze dhe Kryetaren e Grupit të Miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Finlandës, Tytti Tuppurainen

16 Shkurt, 2024

Mynih, 16 shkurt 2024

Takimin e radhës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, këtë herë së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, e zhvilloi me deputeten finlandeze dhe Kryetaren e Grupit të Miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Finlandës, Tytti Tuppurainen.

Kryeministri Kurti uroi deputeten Tuppurainen për anëtarësimin e Finlandës në NATO. Ai tha se Republika e Kosovës e konsideron NATO-n si ombrellën më të rëndësishme të sigurisë sot për demokracitë tona. Andaj, edhe synim i Republikës së Kosovës është anëtarësimi i plotë në NATO, kurse anëtarësimin në programin Partneriteti për Paqe të NATO-s, e sheh si hapin themeltar në atë drejtim, u shpreh kryeministri Kurti.

Për sa i përket zhvillimeve të fundit në vend dhe diskutimeve në lidhje me Rregulloren e re të Bankës Qendrore mbi Operacionet me Para të Gatshme, ai e njoftoi deputeten Tuppurainen me qëllimet e kësaj rregulloreje dhe kujdesin e institucioneve të vendit për të siguruar zbatim sa më të lehtë të saj. Këtu ai nënvizoi periudhën tranzitore që në fokus ka informimin dhe planin 10 pikësh të Bankës Qendrore për zbatim të lehtësuar.

Në takim, gjithashtu u fol edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri Kurti pranoi urimet nga deputetja finlandeze Tuppurainen me rastin e 16-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe përgëzime për progresin e arritur viteve të fundit të evidentuar edhe nga indekset ndërkombëtare.

Last modified: 16 Shkurt, 2024

Comments are closed.

×