Prishtinë, 7 shkurt 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në zyrën e tij rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, profesorin Qerim Qerimi, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Në prag të shënimit të 54-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, bisedë e diskutimit ishin arritjet dhe sfidat me të cilat përballet ky institucion. Rektori Qerimi e njoftoi Kryeministrin Kurti se me draft statutin e ri për Universitetin, përveçse dokument i rëndësishëm për institucionin, ai synon të sjellë ndryshime të nevojshme në ngritjen e standardeve të institucionit në tërësi, jo vetëm në vend por edhe më gjerë.
Ndryshimi i këtij statuti, i cili tani është për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, vjen pas plot 11 vitesh. Rektori Qerimi e falënderoi Kryeministrin Kurti për ndihmën që Qeveria ka dhënë përmes skemës së bursave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, STEM, për vajza, e të cilat ai i cilësoi si investim i kthyeshëm për vendin.
Kryeministri Kurti e falënderoi rektorin Qerimi për kontributin e tij drejt përmirësimit të cilësisë në arsimin e lartë, e kësisoj edhe zhvillimit të shoqërisë në shtetin tonë. Ai gjithashtu shprehu përkrahjen e plotë të Qeverisë drejt avancimit dhe fuqizimit të Universitetit të Prishtinës.
Gjatë takimit u potencua edhe nevoja për angazhim shtesë rreth çështjes së profileve deficitare. Universiteti i Prishtinës deri më tani ka marrëveshje bashkëpunimi me 500 institucione akademike ndërkombëtare. Për të shtuar shkëmbimin e përvojave me shtetet e tjera, Universiteti i Prishtinës është duke krijuar programe të tjera alternative edhe në gjuhë angleze për studentë nga jashtë, si dhe programe të përbashkëta studimi në nivel të doktoratës dhe masterit.
Last modified: 7 Shkurt, 2024