Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti organizoi pritje për fundvit për stafin e Zyrës së Kryeministrit

28 Dhjetor, 2023

Prishtinë, 27 dhjetor 2023

Në vigjilje të festës së Vitit të Ri 2024, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, organizoi dhe mirëpriti për një koktej rasti, stafin e Zyrës së Kryeministrit, për të shprehur falënderimin e tij për punën dhe angazhimin e secilit zyrtar përgjatë gjithë vitit 2023.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Më lejoni t’ju falënderoj të gjithëve, secilën e secilin për punën, angazhimin, rolin, kontributin që e keni dhënë gjatë vitit 2023.

Fakti që po e festojmë 2024 ende pa filluar viti 2024, pra në ditët e fundit të vitit 2023, tregon që jemi të gëzuar edhe për vitin 2023. Mirëpo, njëkohësisht duam që vitin 2024 të jetë vit edhe më i mirë, shumë më i mirë se ky vit, që ngadalë dhe sigurt po e lëmë pas.

Atje në ndërtesën e qeverisë jemi të renditur vertikalisht, përpjetë, 11 kate, unë jam në pozitën më të lartë eventuale politike, institucionale e ndërkaq fizike është Ministria e Financave qysh e dimë të gjithë. Këtu e kemi shansin që të takohemi bashkë që të gjithë, jo vetëm në grupet e vogla nëpër zyra apo atëherë kur lëvizim me shpejtësi nëpër ashensorë e korridore dhe është një lloj vazhdimësie e atyre takimeve të Ballkonit të Hapur, që nuk mund t’i bëjmë tani për shkak të stinës së dimrit, e të cilat me siguri që do t’i vazhdojmë në pranverë.

E di që keni pas shumë sfida e beteja të jashtme e të brendshme. Nganjëherë ende nuk dihet a kanë qenë të jashtme a të brendshme, por ajo që është e rëndësishme është dija në punën që e bëni, guximi për vendimet që i merrni dhe gjithashtu puna e palodhshme, e pavarësisht pengesave që ju dalin. Pra dije, guxim edhe punë është trekëndëshi i shtyllave që mban funksionet e secilit prej nesh prej zyrtarit, i cili rri te hyrja e deri tek unë si kryeministër i Republikës së Kosovës. Ndoshta ndonjëherë nuk kemi arritur që t’ua lehtësojmë punën, sa kemi dashur edhe sa kemi mundur, mirëpo na besoni që kemi bërë gjithçka me qëllimin e mirë, duke mos kursyer aftësitë dhe as kohën që e kemi pasur, që shpeshherë edhe nuk e kemi pasur.

Unë ju falënderoj krejt edhe për punën jashtë orarit, për krejt angazhimin që e keni bërë dhe jashtë kompetencës në mënyrë që Republika e Kosovës të lulëzojë, qytetarët të kenë të drejta dhe mirëqenie, imazhi ynë ndërkombëtar të përmirësohet sa më shumë dhe shpresa e popullit tonë të rritet për një të ardhme të ndritshme, e cila nuk duhet ta lë asnjërin mbrapa.

Faleminderit të gjithëve edhe njëherë e urime e gëzuar 2024-ta.

Last modified: 29 Dhjetor, 2023

Comments are closed.

×