Zyra e Kryeministrit

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët për media me zëvendëskryeministren dhe ministren e punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz pas mbledhjes së 180-të të Qeverisë, të fundit për vitin 2023

27 Dhjetor, 2023

Prishtinë, 27 dhjetor 2023

Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë të Republikës,

Mirë se po takohemi në këtë konferencë të rregullt për media për këtë vit, për këtë fundvit, pas mbledhjes së 180-të të Qeverisë sonë.

Në 2023 i kemi mbajtur gjithsej 62 mbledhje, në të cilat, duke llogaritur tash edhe vendimet që sapo i morëm, janë miratuar 564 vendime, prej të cilave 78 projektligje; 66 emërime; 18 koncept-dokumente; 5 nisma legjislative; 23 projekt-rregullore; 8 udhëzime administrative; dhe 366 vendime të tjera.
Në adresimin që e kisha në mbledhjen e Qeverisë paraqita një rezyme të vendimeve kryesore që janë marrë në mbledhjet përgjatë këtij viti. Por, ato paraqesin vetëm një pjesë të punës, sepse qeverisja është më shumë, shumë më shumë sesa vetëm vendimet që i marrim.

Ka shumë politika e rezultate që kanë ndodhur për herë të parë gjatë qeverisjes tonë. Edhe viti 2023 ka qenë i tillë në këtë drejtim, e në çdo fushëveprimtari të qeverisë.

Përmes Ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve, lansuam platformën SuperPuna, nëpërmjet së cilës janë punësuar rreth 8500 të reja e të rinj nën moshën 25 vjeç. Krijuam Skemën Pensionale Parciale Kontributive për pensionistët, që u patën përjashtuar nga puna gjatë viteve të 90-ta, si rezultat i masave të dhunshme atë botë. Dhe, për herë të parë filluam procesin e regjistrimit të ndërmarrjeve sociale, që ofrojnë shërbime për grupet e cenueshme apo punësojnë mbi 30% të stafit nga këto grupe.

Në fushën e drejtësisë, këtë vit u finalizua pakoja e vettingut, u themelua me ligj Instituti për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, si dhe u miratua Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Byroja do ishte funksionalizuar deri në fund të këtij viti, për ta filluar punën e saj të madhe në vitin tjetër, por të gjithë e dimë se opozita e paralizoi këtë ligj duke e dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila e ka në trajtim prej muajit shkurt, pra qe 10 muaj dhe ende pa përgjigje.

Në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, këtë vit për herë të parë u organizua Festivali i Këngës në RTK, Kosova u shpall nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030, dhe u anëtarësua në Organizatën Ndërkombëtare Shoqata Evropiane e Kartës Rinore.

Pas pilotimit të suksesshëm të arsimit dual vitin e kaluar, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e zgjeroi këtë vit me programet në 12 profile, pra nga 4 në 12 në gjithsej 21 shkolla dhe 14 komuna në Kosovë. Ndërkohë e filloi edhe rishikimin e teksteve shkollore të lëndës së gjuhës shqipe dhe matematikës për klasat 1-9, si dhe organizoi për herë të parë konferencën ndërkombëtare STEMinist, përmes së cilës promovohet avancimi profesional i grave dhe i vajzave në fushat STEM. Janë 4630 bursa gjithsejtë për vajza në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë që ka bërë që në vendin tonë sot, 50 për qind të studentëve STEM të jenë vajza dhe gra

shëndetësi krahas investimeve, shtuam shërbime të reja për qytetarët, që ofrohen në institucionet publike si Sedacioni Inhalator në stomatologji; Ultrazëri endoskopik; Shërbimi falas për rikonstruktimin e gjirit për pacientët e prekur nga kanceri, dhe tash së fundmi me pajisjen e re në Klinikën e Oftalmologjisë edhe diagnostikimi i retinopatisë të foshnjat e lindura parakohe (ROP). Njëkohësisht, me ligjin e ri të Pagave, mjekët tanë për herë të parë kanë pagë të dinjitetshme, teksa këtë vit është trefishuar numri i inspektorëve në këtë fushë.

Sa jemi te inspektorët, sivjet është shënuar numri më i lartë ndonjëherë i inspektimeve në historinë e Inspektoratit Qendror të Tregut, mbi 3000 sosh, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Kemi miratuar për herë të parë që nga shpallja e Pavarësisë, dhe ka hyrë në fuqi, Strategjia për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030. Po ashtu, kemi nënshkruar marrëveshjen për përfshirjen e Kosovës në njërin nga programet më të mëdha të BE-së, në vlerë prej 4.2 miliardë euro që i dedikohet sektorit të bizneseve.

Ministria e Ekonomisë për të parën herë e lansoi skemën për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për energji, për bizneset, pas skemave paraprake të cilat kanë qenë të dedikuara për ekonomitë familjare. Këtë vit po ashtu, kjo ministri hapi ankandin e parë solar me kapacitet prej 100 megavatë, i cili do të ndërtohet në tokë publike në fshatin Kramovik të Rahovecit tashmë janë ndarë 365 hektarë prej të cilave përzgjedhen 120 sosh për kapacitet 100 megavatë me panele solare. Sivjet u arritë edhe mbulushmëria e plotë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me internet të shpejtë.

Për bujqit dhe fermerët, në vitin 2023 kishim buxhetin më të lartë ndonjëherë, me mbi 100 milionë. Po e përfundojmë vitin e po hymë në vitin e ri pa obligime dhe borxhe ndaj tyre, që është rezultat i drejtpërdrejt i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Kurse për zhvillimin e mëtejmë të këtij sektori të rëndësishëm, për herë të parë e kemi miratuar Programin Kombëtar për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2023-2027.

Sivjet Ministrisë së Mbrojtjes ia ndamë buxhetin më të lartë ndonjëherë, 200 milionë euro, apo më shumë se 2% e BPV-së që është kriter i NATO-s. Ushtrinë e fuqizuam edhe më shumë duke u pajisur për herë të parë me Dronë Luftarakë Bayraktar. Kurse bashkëpunimin bilateral e ndërkombëtar në këtë e fushë e thelluam dhe zgjeruam përmes akreditimit për herë të parë të atasheve të mbrojtjes në Holandë, në Kanada dhe në Slloveni.

fushën e sigurisë dhe çështjeve të brendshme, Republika jonë ka vendosur zyrtarin ndërlidhës në EUROPOL. Kemi qenë vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor, me të cilin EUROPOL-i nuk ka pasur marrëveshje bashkëpunimi dhe rrjedhimisht nuk ka pasur as mundësi të shkëmbimit të informacioneve, me qëllim të luftimit të krimit të rëndë dhe atij të organizuar. Ky vit ka qenë sfidues, sidomos në pjesën veriore të vendit. Jemi sulmuar, por kemi ngadhënyer. Ky vit ka qenë i rëndë sepse sulmet të cilat janë zhvilluar një herë kanë qenë për të bllokuar qarkullim e më pastaj edhe për të goditur personelin tonë të sigurisë. Policia e Kosovës këtë vit ka arritur të identifikojë dhe sekuestrojë armatim dhe mjete shpërthyese në katër (4) depo në komunat veriore të vendit tonë.

Krahas luftimit të bandave kriminale, që u shndërruan në grupe paramilitare, këtë vit, në komunat në veri të vendit janë shënuar edhe disa arritje të tjera, që përmirësojnë jetën e qytetarëve. Pas më shumë se dy dekadave, janë hapur Zyret Kadastrale Komunale në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan e në Zubin Potok. Ndërkohë që pas po aq vitesh, ka filluar rindërtimi dhe renovimi i shtëpive të shqiptarëve që ishin dëmtuar në periudhën 1998-99. Këto dyja falë angazhimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Për komunitetet joshumicë janë kujdesur Ministria për Komunitete dhe Kthim dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Kemi ndarë fond të veçantë prej 3 milionë euro për të mbështetë bizneset e vogla, fermerët e organizatat jo-qeveritare nga radhët e komuniteteve joshumicë, me qëllim punësimin dhe fuqizimin e tyre. Kemi mundësuar ndertimin dhe renovimin e shtëpive të komuniteve joshumicë në komuna përmes një programi të veçantë që do të vazhdojë edhe në vitin tjetër. Dhe sot e miratuam Strategjinë për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre 2023-2027, të cilën e prezantoi ministri Rashiq e që është dokumenti më i rëndësishëm për bindjen tonë i dekadës së fundit për sa i përket komuniteteve.

Për më shumë zhvillim rajonal, Ministria e Zhvillimit Rajonal ka organizuar për herë të parë Forumin me temën: “Mundësitë e bashkëpunimit rajonal Kosovë-Shqipëri”, i cili ka dalë edhe me propozime konkrete për projekte të përbashkëta. Gjithashtu janë nënshkruar një mori marrëveshjesh bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare dhe institucione publike me qëllim zhvillimin socio-ekonomik të rajoneve tona, sidomos të zonave të cilat janë neglizhuar në të kaluarën.

Për fund, në fushën e punëve të jashtme dhe Diasporës, po e veçoj vetëm një arritje, meqë me neve është zëvendëskryeministrja dhe ministrja Donika Gërvalla Schwarz e cila do të flasë shumë më gjatë e më mirë, më hollësisht, për punët dhe sukseset e saj. Ajo është vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Kjo ka qenë një arritje si rezultat i një ndërmarrjes së gjerë të Qeverisë dhe padyshim që arritje e përbashkët.

Besoj që po e përmbyllim vitin 2023 me suksese për të cilat unë si kryeministër bashkë me zëvendëskryeministren jemi krenar si për angazhimin, ashtu edhe për sukseset.

Faleminderit!

 

Last modified: 27 Dhjetor, 2023

Comments are closed.

×