Zyra e Kryeministrit

Mbahet Kampionati Evropian i Xhudos në Prishtinë – “European Championships Open”, Kosova fiton katër medalje

16 Dhjetor, 2023

Prishtinë, 16 dhjetor 2023

Kosova për herë të parë ishte nikoqire e Kampionatit Evropian të Xhudos, “European Championships Open”, i cili u zhvillua në dy kategori peshash (femra: -57 kg, meshkuj: -73 kg) dhe mblodhi mbi 40 xhudistë nga 26 shtete.

Të pranishëm në këtë organizim të këtij kampionati ishin Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministri i Republikës së Kosovës, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, presidenti i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, zëvendëspresidenti i Federatës Evropiane të Xhudos, Otto Kneitinger, përfaqësues të federatave sportive, ambasadorë të akredituar në Kosovë, ministra dhe deputetë.

Në hapje të ceremonisë së këtij kampionati, Kryeministri Kurti theksoi se Kosova është shtet i xhudos dhe shtet evropian, e kështu është plotësisht e natyrshme që Kampionati Evropian i Xhudos po mbahet në Kosovë. Ai falënderoi të gjitha ekipet e shteteve pjesëmarrëse, dhe njëkohësisht falënderoi kampionen tonë olimpike Majlinda Kelmendi, mjeshtrin dhe trajnerin e xhudos, Driton Kuka dhe zëvendëspresidenti i Federatës Evropiane të Xhudos, Otto Kneitinger.

Presidentja Osmani tha se Kampionati Evropian i Xhudos “Prishtina 2023”, përbën një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme sportive dhe shënon një hap të rëndësishëm për afirmimin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare të sportit.

Ministri Çeku, Kampionatin Evropian të Xhudos e ka vlerësuar si një ngjarje shumë të rëndësishme jo vetëm për sportin dhe xhudon, por edhe për shtetin tonë, teksa falënderoi Union Evropian të Xhudos për besimin e organizimit të kësaj ngjarje. Ministri ka se gjithë kjo pjesëmarrje në këtë kampionat është dëshmia më e mirë se jo vetëm që dimë të organizojmë ngjarje të mëdha sportiv, por tregon se e duam sportin dhe xhudon.

Presidenti i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, tha se kjo është ngjarja më e madhe sportive që është organizuar deri më tani në vendin tonë. Ndërkaq zëvendëspresidenti i Federatës Evropiane të Xhudos, Otto Kneitinger, falënderoi Kosovën për organizimin e këtij kampionati, duke thënë se është i befasuar për të mirë, për të potencuar se kjo po dëshmon se Kosova është shtet i xhudos.

Kineitinger në emër të Federatës Evropiane të Xhudos u ndau mirënjohje dhe dhurata presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti, ministrit Hajrulla Çeku, presidentit të FXhK-së, Agron Kuka dhe kampiones botërore të xhudos, Majlinda Kelmendit.

Kosova në këtë kampionat u paraqit me katër garues dhe fitoi katër medalje. Medaljen e artë e fitoi xhudisti Akil Gjakova, ndërkaq tri medalje të bronzta i fituan Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe Dardan Cena.

Medaljet në konkurrencën e meshkujve u ndanë nga kryeministri Kurti, ndërkaq ato për vajzat i ndau presidentja Osmani.

Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos, “European Championships Open” u organizua në kuadër të programit shtetëror, “Kosova, shtet i xhudos” nga Federata e Xhudos e Kosovës, dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federata Evropiane e Xhudos.

 

Last modified: 18 Dhjetor, 2023

Comments are closed.

×