Zyra e Kryeministrit

Lansohet Masa e Punësimit për gratë viktima të dhunës në familje

7 Dhjetor, 2023

Prishtinë, 7 dhjetor 2023

Në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, sot u lansua Masa e Punësimit për gratë viktima të dhunës në familje, nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

“Vitin e kaluar në kuadër të skemës “Qeveria për Familjet” u siguruam që secila familje në Kosovë të ketë një bazë të të ardhurave me qëllim rritjen e mirëqenies shoqërore. Përfituan 2377 familje të cilat nuk e kishin askënd të punësuar. Kësaj skeme po i shtojmë një veçori të re, që ka cak punësimin e të mbijetuarave të dhunës në familje e kjo vjen krahas përmirësimit të qasjes në shërbime sociale dhe rritjes së mbështetjes për strehimoret e të mbijetuarave të dhunës në familje.” tha Kryeministri Kurti.

Me këtë masë të re, tashmë të gjitha gratë të cilat janë viktima të dhunës në familje mund të drejtohen për regjistrim në Zyrën e Punësimit në komunën e tyre përkatëse, me ç ‘rast ato ndërmjetësohen në bizneset e regjistruara të cilat ofrojnë pozita të lira të punës. Pas fillimit të punës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të subvencionojë 70% të pagës të të punësuarave për gjashtë muaj me radhë.

“Kur gratë janë në gjendje të sigurojnë veten financiarisht, ato kanë më shumë mundësi të largohen nga marrëdhënia e dhunshme dhe të fillojnë një jetë të re normale”, u shpreh kryeministri Kurti.

Fjalën e tij kryeministri e përmbylli duke fuqizuar mesazhin se “Bashkërisht do të vazhdojmë punën për të eliminuar pabarazitë sociale që pengojnë pavarësimin ekonomik të grave dhe vajzave në Republikën tonë.”

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi se ky aktivitet që u zhvillua sot është njëri nga më të rëndësishmit i cili ndërlidhet me fuqizimin ekonomik dhe punësimin e të mbijetuarave të dhunës në familje, duke pasur parasysh që sfida më e madhe e tyre është mungesa e një vendi të punës dhe strehimi.

Në anën tjetër, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se avancimi i rolit të gruas në shoqëri dhe pavarësia e tyre ekonomike janë thelbësore për një shoqëri më të drejtë dhe më të avancuar, prandaj që në fillim të mandatit qeverisës kemi ndërmarrë hapa që kanë dhënë kontributin e tyre në avancim e i cili mund të dëshmohet edhe në numra.

Pavarësia ekonomike e grave u përkrah fuqishëm nga Qeveria e Republikës së Kosovës me punësim e vetëpunësim, sidomos në kohën e pandemisë kur rastet e dhunës në familje morën hov. Subvencionimi i pagave për çdo punëtore grua të punësuar në biznese, kreditë investive për gratë sipërmarrëse, skema “Qeveria për Familjet” dhe tashmë Masa e Punësimit për viktimat e dhunës në familje, janë disa nga pakot e masave dhe politikave të cilat kanë objektiv pavarësinë financiare dhe rritjen e mirëqenies shoqërore.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuara përfaqësuese e përfaqësues të strehimoreve për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës mbi bazë gjinore,
E nderuara znj. Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë,
I nderuari z. Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve,
E nderuara znj. Dafina Gexha Bunjaku, zëvendësministre e Shëndetësisë,
I nderuari z. Fejzullah Rexhepi, kryetar i Gjykatës Supreme,
I nderuari z. Gazmend Hoxha, drejtor i Policisë së Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Pavarësia ekonomike e grave është një shkallë e rëndësishme drejt zhvillimit dhe lirisë individuale, sikurse edhe e sigurisë dhe mirëqenies.

Për këtë, kemi hartuar e zbatuar një pako masash e politikash. Në kohën e pandemisë, kur rastet e dhunës në familje morën hov, Qeveria u sigurua që bizneseve t’ua subvencionojë pagën për çdo punëtore grua të punësuar. Ndërsa, grave sipërmarrëse iu ofruam kredi investive, ashtu që ta kenë sa më të lehtë operimin në tregun e Kosovës. Përkrahëm punësimin e vetëpunësimin në një kohë izolimi e pasigurie.

Vitin e kaluar në kuadër të skemës “Qeveria për Familjet” u siguruam që secila familje në Kosovë të ketë një bazë të të ardhurave me qëllim rritjen e mirëqenies shoqërore. Përfituan 2377 familje të cilat nuk e kishin askënd të punësuar.
Kësaj skeme po i shtojmë një veçori të re, që ka cak punësimin e të mbijetuarave të dhunës në familje e kjo vjen krahas përmirësimit të qasjes në shërbime sociale dhe rritjes së mbështetjes për strehimoret e të mbijetuarave të dhunës në familje.

Nga sot, të gjitha gratë të cilat ishin viktima të dhunës në familje do të mund të jenë përfituese të kësaj skeme. Ajo çfarë duhet të bëjnë është të drejtohen në Zyrën e Punësimit në komunën e tyre përkatëse. Pas regjistrimit, këshilltarët e punësimit do të sigurohen se ato ndërmjetësohen në bizneset e regjistruara, të cilat ofrojnë pozita të lira të punës.
Pasi që të bëhet ky ndërmjetësim e të fillojnë punën, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të subvencionojë 70% të pagës të të punësuarave për gjashtë muaj me radhë.

Duke u dhënë mundësinë për të punuar dhe një burim të të ardhurave, atyre u jepet një shans i ri për të rimarrë kontrollin e jetës së tyre. Kur gratë janë në gjendje të sigurojnë veten financiarisht, ato kanë më shumë mundësi të largohen nga marrëdhënia e dhunshme dhe të fillojnë një jetë të re normale.

Të nderuar të pranishëm,

Unë ju falënderoj për angazhimin e përbashkët. Sikurse sot këtu, bashkërisht do të vazhdojmë punën për të eliminuar pabarazitë sociale që pengojnë pavarësimin ekonomik të grave dhe vajzave në Republikën tonë. Që ta shpijmë përpara barazinë në shoqëri dhe zhvillimin në shtetin tonë.

 

Last modified: 7 Dhjetor, 2023

Comments are closed.

×