Zyra e Kryeministrit

Prezantohet platforma e re për Dialog Publiko – Privat dhe plani i Agjencisë për Investime dhe Eksport

24 Nëntor, 2023

 

Prishtinë, 24 nëntor 2023

Zyra e Kryeministrit, me mbështetjen e Qeverisë zvicerane dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka organizuar sot Konferencën për Dialogun Publiko-Privat, gjatë të cilës u prezantua ‘Forumiks’, platforma e dialogimit midis sektorit privat dhe qeverisë, si dhe plani për Agjencinë e re për Investime dhe Eksport, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Në këtë konferencë, mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Në fjalën e tij ai tha se u mblodhën sot këtu me një slogan fort frymëzues “Fuqizimi i Progresit Nëpërmjet Dialogut”, duke u shprehur optimist se kërkesat dhe nevojat do të mund të hasin në mirëkuptim, pikërisht duke e shtuar dialogun e institucioneve publike, shtetërore e qeveritare me sektorin privat që paraqet themelin e rritjes së zhvillimit dhe progresit ekonomik e shoqëror të Republikës së Kosovës.

Ky lloj dialogimi, tha më tej kryeministri bëhet nëpërmjet katër shtyllave kryesore, (1) Sektori Privat, (2) Institucionet Publike, (3) Organizatat Ndërkombëtare dhe (4) Organizatat Jo-Qeveritare. Të katër këto shtylla nëpërmjet dialogut publiko-privat projektojnë vizonin më të mirë të mundshëm mbi konkurrueshmërinë dhe bashkëpunimin për prosperitetin e vendit dhe të qytetarëve tanë.

“Qytetarët e këtij vendi, bashkëkombësit tanë nëpër botë, dhe aleatët tanë ndërkombëtarë duhet ta kemi së bashku një synim të vetëm: Ta bëjmë Kosovën me ekonomi dhe sektor privat super-konkurrues”, potencoi kryeministri.

Konkurrueshmëria, siç tha ai, sjellë më shumë prodhim dhe eksport, më shumë vende pune, më shumë mirëqenie, më shumë të hyra për shtetin, që pastaj investohen në arsim e në shëndetësi dhe kësisoj vazhdon cikli virtuoz ku rezultatet qojnë në një zinxhir vetë forcues të zhvillimit të shpejtë të qëndrueshëm të pakthyeshëm.

Kryeministri u shpreh i bindur që me vullnetin e mirë që ekziston tek bizneset dhe shoqatat e tyre, tek qeveria, dhe të gjithë akterët në ekosistemin e sektorit privat e publik bashkë të gjithë do të mund t’i shndërrojmë idetë në realitet dhe vizionin për zhvillim në arritje konkrete.

Në këtë konferencë, shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, prezantoi planin për Agjencinë për Investime dhe Eksport dhe platformën e re për Dialog Publiko-Privat. Ai tha se forcë shtytëse e bizneseve është konkurrueshmëria përmes rritjes së cilësisë dhe sasisë së prodhimit dhe eksportit.

Në konferencë prezantuan gjithashtu drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Sergiy Maslichenko dhe udhëheqësi i Sekretariatit të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, Artan Mehmeti, respektivisht për rëndësinë, rolin dhe metodologjinë e punës së kësaj platforme dialoguese.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti

Shkëlqesi Ambasadorë,
Të nderuar ministra dhe kolegë të institucioneve të shtetit,
Të nderuar përfaqësues të bizneseve, shoqatave të biznesit, organizatave ndërkombëtare e të mediave,
Të dashur pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,

Jemi mbledhur këtu me një slogan fort frymëzues “Fuqizimi i Progresit Nëpërmjet Dialogut”. Natyrisht që këtu nuk e kemi fjalën për atë dialogun politik e diplomatik që zhvillohet jashtë vendit, por për dialogun publiko-privat brenda vendit tonë. Është themel i progresit të mëtutjeshëm meqenëse dialogu nënkupton që i flasim njëri-tjetrit, por teksa e dëgjojmë njëri-tjetrin. Dhe unë jam shumë optimist se kërkesat dhe nevojat do të mund të hasin në mirëkuptim, pikërisht duke e shtuar dialogun e institucioneve publike, shtetërore e qeveritare me sektorin privat që paraqet themelin e rritjes së zhvillimit dhe progresit ekonomik e shoqëror të Republikës së Kosovës.

Ky lloj dialogimi bëhet nëpërmjet katër shtyllave kryesore, (1) Sektori Privat, (2) Institucionet Publike, (3) Organizatat Ndërkombëtare dhe (4) Organizatat Jo-Qeveritare. Të katër këto shtylla nëpërmjet dialogut publiko-privat projektojnë vizonin më të mirë të mundshëm mbi konkurrueshmërinë dhe bashkëpunimin për prosperitetin e vendit dhe të qytetarëve tanë. Pra, konkurrencën dhe bashkëpunimin ne duam t’i shohim bashkë me njëra-tjetrën. Bashkëpunimi pa konkurrencë lëngon për nga gjallëria, ndërkaq konkurrenca pa bashkëpunim rrezikon të bëhet rivalitet shterues, andaj na duhen të dyja, edhe konkurrenca edhe bashkëpunimi.

Qytetarët e këtij vendi, bashkëkombësit tanë nëpër botë, dhe aleatët tanë ndërkombëtarë duhet ta kemi së bashku një synim të vetëm: Ta bëjmë Kosovën me ekonomi dhe sektor privat super-konkurrues. Konkurrueshmëria sjellë më shumë prodhim dhe eksport, më shumë vende pune, më shumë mirëqenie, më shumë të hyra për shtetin, që pastaj investohen në arsim e në shëndetësi dhe kësisoj vazhdon cikli virtuoz ku rezultatet qojnë në një zinxhir vetë forcues të zhvillimit të shpejtë të qëndrueshëm të pakthyeshëm.

Kush më mirë se sa kompanitë konkurrente e dinë këtë gjë se si duhet të zhvillohen sektorët e ndryshëm, se si ata bëhen komplementarë e se si efektet janë sinergjike.

Firmat që janë zhvilluar përmes shumë sakrificave e sidomos ato tek ne, janë ato të cilët kanë arritur të eksportojnë dhe të konkurrojnë në tregun global pavarësisht vështirësive e pengesave që edhe i kanë pasur por edhe siç e dimë dhe vazhdojnë t’i kenë. Por në anën tjetër tek qeveria e Republikës së Kosovës i gjithë sektori privat e ka të garantuar aleatin dhe partnerin në mënyrë që ta ndihmojmë njëri tjetrin, për këtë synim të përbashkët pra përmes politikave, kornizave ligjore, mekanizmave implementues publikë, dhe në përgjithësi mjedisit më të mirë të të bërit biznes më të suksesshëm, të rriten ato biznese, të prodhojmë e të eksportojmë më shumë, ta reduktojmë informalitetin maksimalisht dhe përfundimisht ta forcojmë konkurrueshmërinë e vendit tonë.

Andaj, dialogimi ynë është aq i rëndësishëm saqë vendimtar, saqë i pa-alternativë, dhe përveç që duhet të jemi konsistent, ne duhet të jemi në këtë dialog publiko privat edhe mirë të strukturuar, në mënyrë që mundësitë edhe sfidat – si dhe ‘rruga’ për t’i realizuar apo zgjidhur ato – të definohet sa më saktë dhe takimet tona të mos jenë biseda që përsëriten por planifikime për më shumë dhe raportime për rezultatet e arritura.

Unë jam i bindur që me vullnetin e mirë që ekziston tek bizneset dhe shoqatat e tyre, tek qeveria, dhe të gjithë akterët në ekosistemin e sektorit privat e publik bashkë të gjithë do të mund t’i shndërrojmë idetë në realitet dhe vizionin për zhvillim në arritje konkrete. Me këtë rast vitet e fundit me siguri që janë shpresëdhënëse.

Për këto dy vite e gjysmë kemi dyfishim edhe të investimeve të huaja direkte edhe të eksporteve ndërkaq ekonomisë së vendit i është shtuar mbi 1 miliard secilin vit, që paraqet një rritje të paprecedent jo vetëm për vendin tonë pas luftës por edhe për rajonin dhe më gjerë. Kjo rritje e padyshimtë ekonomike është rezultat i ndërmarrësisë së sektorit privat edhe i mësimeve të nxjerra nga e kaluara që bëhen udhërrëfyese për të ardhmen. Andaj le ta ngrisim në një nivel të ri dialogun publiko privat si katalizatorë që na shtynë drejt konkurrueshmërisë më të lartë e në këtë mënyrë na ndihmoni që t’ju ndihmojmë e po ju ndihmojmë që të na ndihmoni.

Faleminderit shumë.

Last modified: 24 Nëntor, 2023

Comments are closed.

×