Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti uron Festën e Mbretit belg

17 Nëntor, 2023

Prishtinë, 17 nëntor 2023

Me ftesë të Ambasadës së Belgjikës në Kosovë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e 157-vjetorit të Festës së Mbretit belg.

Kjo festë ka filluar së shënuari nga viti 1866 dhe është një ditë ku nderohet Mbreti i belgëve dhe historia e Mbretërisë së Belgjikës dhe popullit të saj.

Në adresimin e tij para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se Belgjika mbanë një vend dhe rol të veçantë për popullin tonë, duke qenë shtëpi e qindra e mijëra atdhetarëve, të cilët kanë punuar pandërprerë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

E në këtë përpjekje për liri, Belgjika u shfaq si një aleat i palëkundur. Ajo ishte njëra nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe mbështetja e saj vazhdon edhe sot e kësaj dite, teksa punojmë bashkë për përmbushjen e synimeve të vendit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, veçoi kryeministri.

15 vjet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, kryeministri tha se po dëshmojmë thellim të lidhjeve politike, kulturore, ekonomike, e sigurisë, teksa nënvizoi se Belgjika ka qenë mbështetës krucial i Kosovës në integrimin ekonomik, duke kontribuar në finalizimin, me sukses të procesit të liberalizimit të vizave dhe dhënë asistencë të vlefshme për procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës.

Si shembull të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, kryeministri e mori avancimin e prezencës së saj diplomatike në Kosovë. Në shtator të këtij viti, Belgjika ka hapur ambasadën e plotë në Kosovë dhe ka emëruar Gregoire Cuvelier si ambasadorin e saj të parë në Republikën e Kosovës.

Krahas lidhjeve diplomatike, kryeministri Kurti foli edhe për bashkëpunimin ekonomik dhe partneritetin ndërmjet bizneseve belge dhe ato nga Kosova, të cilat po japin rezultate premtuese.

Për fund, ne këtë ditë të shënuar për Mbretërinë e Belgjikës, ai i shprehu urimet e tij Mbretit Philippe, Mbretëreshës Mathilde, Princeshës Elisabeth, Princit Gabriel, Princit Emmanuel dhe Princesësh Eleonore.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia juaj, Ambasador Gregoire Cuvelier, Ambasador i Belgjikës,
E nderuara zonja Cuvelier,
Shkëlqesia juaj, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Donika Gërvalla-Schwarz,
Të nderuar ambasadorë të pranishëm,
Të nderuar ministra të Qeverisë dhe deputetë,
Të nderuar të ftuar,
Zonja dhe zoterinj,

Është një nder dhe në të njëjtën kohë kënaqësi e madhe të flas këtu sot me rastin e festës së Mbretit, ditën kur festojmë Mbretin e Belgjikës dhe të popullit belg, një nga miqtë e ngushtë dhe shumëvjeçarë të Kosovës dhe aleatët.

Festa e Mbretit, që festohet në Belgjikë që nga viti 1866, është një ditë që nderon Mbretin e Belgjikës, si dhe historinë e Mbretërisë së Belgjikës, dhe, përmes kësaj, në mënyrë të pashmangshme, historinë e popullit belg.

Kosova dhe njerëzit e saj mund të lidhen me këtë traditë, pasi ne e kuptojmë shumë mirë se sa e rëndësishme është të kujtojmë dhe kultivojmë të kaluarën dhe të vlerësojmë institucionet që ndihmojnë në ndërtimin e shoqërisë dhe shtetit, duke ndihmuar në rritjen dhe zhvillimin e saj për të arritur ambicien e saj më të lartë.

Miqtë tanë belgë me të drejtë mund të krenohen me pozicionin e dalluar të vendit të tyre si një anëtar themelues i Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Qyteti i Brukselit qëndron si një simbol i Evropës dhe aleancës euroatlantike, duke dëshmuar shekuj të rolit qendror të Belgjikës në politikën, ekonominë dhe kulturën evropiane. Belgjika shërben jo vetëm si një spirancë historike, por edhe si një udhërrëfyes vizionar për të ardhmen evropiane që Kosova e ndjek me zjarr.

Belgjika ka një vend të veçantë në zemrat tona edhe sepse ofroi një shtëpi për qindra e mijëra patriotë që punuan pa u lodhur për lirinë dhe pavarësinë tonë gjatë kohës së mërgimit.

Në kërkimin tonë për liri, Belgjika u shfaq si një aleat i palëkundur – një komb që mbrojti lirinë dhe vlerat demokratike që na qëndruan pranë gjatë betejave të çlirimit, luftës dhe viteve pasuese të rindërtimit. Belgjika ishte ndër të parat që njohu pavarësinë e Kosovës, duke shfaqur mbështetjen e palëkundur që vazhdon edhe sot e kësaj dite, ndërsa ne punojmë drejt përmbushjes së aspiratave tona për anëtarësim në BE dhe NATO. Ndërsa kemi një udhëtim përpara nesh, ne kemi besim se, të bashkuar me Belgjikën dhe aleatët tanë perëndimorë, ne do t’i arrijmë qëllimet tona.

Kam kënaqësinë të raportoj se marrëdhëniet diplomatike mes dy kombeve tona po lulëzojnë. Teksa festojmë 15-vjetorin e lidhjeve tona diplomatike, jemi dëshmitarë të një lidhjeje të thelluar në politikë, kulturë, ekonomi, siguri dhe fusha të tjera. Belgjika ka qenë një mbështetëse thelbësore e procesit tonë të integrimit evropian, duke kontribuar në përfundimin e procesit tonë të liberalizimit të vizave dhe duke ofruar ndihmë të çmuar për anëtarësimin tonë në Këshillin e Evropës dhe synimet tona strategjike për anëtarësimin në BE dhe NATO.

Në planin dypalësh, bashkëpunimi ynë po zgjerohet, me disa marrëveshje të rëndësishme dypalëshe tashmë të vendosura dhe të tjera në progres. Diaspora e integruar në Belgjikë, duke kontribuar pozitivisht në të gjitha aspektet e jetës belge, forcon më tej lidhjen midis kombeve tona. Për më tepër, bashkëpunimi ekonomik dhe partneriteti ndërmjet bizneseve belge dhe kosovare po japin rezultate premtuese.

Duke parë drejt së ardhmes, kam kënaqësinë të njoftoj se Belgjika ka demonstruar përkushtimin e saj duke përmirësuar praninë e saj diplomatike në Kosovë. Që nga shtatori, ne kemi mirëpritur hapjen e një Ambasade me të drejta të plota, dhe Shkëlqesia e Tij Gregoire Cuvelier është emëruar si ambasadori i parë i Mbretërisë së Belgjikës në Republikën e Kosovës. Ky zhvillim i rëndësishëm ngjall besimin se marrëdhënia jonë do të vazhdojë të lulëzojë në vitet e ardhshme.

Dhe nga përvoja ime dhe përvoja e politikanëve të tjerë këtu në Kosovë, ne e ndiejmë Brukselin si një kryeqytet të trefishtë: si kryeqytet i Mbretërisë së Belgjikës, por edhe kryeqytet i NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Sa herë që shkoj në Bruksel për takimet e nivelit të lartë të Dialogut të Normalizimit, sigurohem që paraprakisht të provoj disa çokollata belge, e më pas ndonjë belge.

Si përfundim, ndërsa i shprehim urimet tona më të ngrohta Mbretit Philippe, Mbretëreshës Mathilde, Princeshës Elisabeth, Princit Gabriel, Princit Emmanuel dhe Princeshës Eleonore, le të ngremë një gotë për nder të tyre.

Qofshin të patundur shëndeti dhe begatia e tyre dhe të vazhdojnë të lulëzojnë lidhjet e miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës!

Gëzuar!

Last modified: 20 Nëntor, 2023

Comments are closed.

×