Paris, 11 nëntor 2023
Në Paris, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me Zëvendës Sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien.
Duke folur mbi progresin ekonomik e demokratik të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti theksoi se dëshmitë e shumta të raporteve e indekseve ndërkombëtare tregojnë se vendi ynë ndodhet në trajektoren e duhur.
Ai theksoi se Republika e Kosovës i përket familjes evropiane e demokracive perëndimore dhe mbetet e përkushtuar maksimalisht në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe NATO si objektiva kryesorë strategjik.
Vendi ynë mbetet i angazhuar dhe në rrugën drejt tranzicionit të gjelbër të energjisë, ku dhe po zbatohet Programi i Kompaktit në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Gjithashtu, Kryeministri Kurti foli dhe mbi projektet ekzistuese e të ardhshme për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga energjia solare dhe e erës.
U fol dhe mbi procesin e dialogut, ku Kryeministri Kurti veçoi faktin se Kosova ka qenë e vazhdon të jetë palë konstruktive, e dedikuar dhe angazhuar për hapa të rëndësishëm tutje në proces. Nënshkrimi i marrëveshjeve do të nënkuptonte pranim, e për rrjedhojë edhe garanci për zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues.
Në përfundim, Zëvendës Sekretari O’Brien konfirmoi përkrahjen e vazhdueshme të ShBA-ve ndaj Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti e falënderoi atë për takimin, bisedën e frytshme dhe miqësinë e partneritetin mes dy vendeve tona.
Last modified: 11 Nëntor, 2023