Prishtinë, 2 nëntor 2023
Në 34-vjetorin e rënies së dy heronjve, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, të shoqëruar nga ministrat e kabinetit qeveritar si dhe deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bënë nderime te Varrezat e Heronjve në lagjen “Velania” të Prishtinës.
Duke i kujtuar me mall e krenari dy dëshmorët e kombit, kryeministri Kurti tha se Afrimi dhe Fahriu janë sinonim i asaj shprehjes së mirënjohur jo vetëm të popullit tonë, “deri në frymën e fundit’’.
“Punuan bashkë, vepruan bashkë për çlirim e për bashkim, për liri e për drejtësi deri në frymën e fundit dhe porsi Rexhep Mala e Nuhi Berisha pesë vjet para tyre, dhanë jetën për Kosovën, për kombin shqiptar”, tha kryeministri Kurti.
Deklarimi i plotë për media i kryeministrit Kurti:
Së bashku me Kryeparlamentarin Glaukun, me vëllain e dëshmorit, Fadilin, me ministrat e Qeverisë e me deputetë të Kuvendit, erdhëm të bëjmë nderime para dy dëshmorëve të kombit, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, sot, me rastin e 34-vjetorit të rënies së tyre heroike.
Edhe para Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne e kemi pasur çlirimtaret, edhe para dëshmorëve të fundit të luftës së fundit, ne kemi pasur dëshmorë të kombit, të cilët kanë qenë paravajtës të qershorit të vitit 1999.
Afrimi dhe Fahriu janë sinonim i asaj shprehjes së mirënjohur jo vetëm të popullit tonë, “deri në frymën e fundit”.
Punuan bashkë, vepruan bashkë për çlirim e për bashkim, për liri e për drejtësi deri në frymën e fundit dhe porsi Rexhep Mala e Nuhi Berisha pesë vjet para tyre, dhanë jetën për Kosovën, për kombin shqiptar. Andaj, ne sot i kujtojmë me shumë mall dhe krenari.
Lavdi, Afrimit, Fahriut dhe gjithë dëshmorëve të kombit!
Last modified: 2 Nëntor, 2023