Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në takim me zyrtarët komunalë për komunitete dhe kthim: Jemi angazhuar për komunitetet edhe përmes qeverisjes lokale

3 Tetor, 2023

Prishtinë, 3 tetor 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, znj. Emilija Redzepi dhe ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, takuan zyrtarët komunalë për Komunitete dhe Kthim, ngjarje që u mbajt nën organizimin e Zyrës për Çështje të Komuniteteve të Zyrës së Kryeministrit.

Fjalën e tij Kryeministri Kurti, e nisi me thënien e Thomas Jefferson, Presidenti të tretë të ShBA-së, se “qeveria më e mirë është ajo që është më afër popullit”. Ai më pas shtoi pastaj se “për të qenë sa më afër popullit, na duhen struktura dhe individë të angazhuar në nivel lokal, prandaj, u jemi mirënjohës që ju kemi si zyrtarë komunalë për komunitete dhe kthim, afër qytetarëve në komunat tona”.

Më tej, Kryeministri Kurti tha se kemi vazhduar të rrisim mbështetjen për të gjithë qytetarët. Kemi ndarë tre milionë euro në buxhetin e rezervuar për komunitetet joshumicë; si përmes OJQ-ve ashtu edhe përmes granteve direkte për bujqit, bizneset e vogla dhe startup-et.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka ndarë një milion euro për projekte infrastrukturore, veçanërisht për komunitetet, dhe është duke punuar në projektet e rrugëve, trotuareve dhe ndriçimit në Deçan, Ferizaj, Novobërdë, Pejë dhe Prizren dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës gjithashtu ka identifikuar 29 projekte, nëntë prej të cilave janë për rrugët ku jetojnë komunitetet joshumicë”, tha kryeministri.

Duke theksuar përkushtimin e Qeverisë për përmirësimin e kushteve për komunitetet joshumicë në Kosovë, kryeministri theksoi se ishte kënaqësi për të që javën e kaluar ishte në qendrën ditore të mbështetur nga komuna e Prishtinës për fëmijët në situatë rruge, kryesisht nga komunitetet, ku edhe Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Arsimit, Teknologjisë, Shkencës dhe Inovacionit kanë dhënë grante për këtë vit.

Një nga mundësitë si dhe obligimet që ofrohet tani është regjistrimi i popullsisë i cili planifikohet të fillojë më 1 nëntor, që siç tha Kryeministri kjo është një mundësi, por edhe obligim i rëndësishëm, për të pasqyruar komunitetet e Kosovës ashtu siç ata duhet.

Ndërsa, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në fjalën e tij tha se për herë të parë në histori të Ministrisë ne kemi arritur një nivel të madh të transparencës ku kemi pasur madje 3500 aplikues që përbën një rekord.

Ai shtoi se në muajin qershor kemi arritur që me përkrahjen dhe ndihmën e Kryeministrit Kurti gjithashtu edhe të zëvendëskryeministres Rexhepi, të ndajmë një fond shtesë në vlerë prej 3 milionë euro, me synim zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies te komuniteteve joshumicë, duke i qëndruar kështu afër qytetarëve.

Në këtë takim, u diskutua edhe për sfidat dhe mundësitë e identifikuara për bashkëpunim; për fushatën informuese për liberalizimin e vizave; si dhe tema tjera me rëndësi për shoqërinë në përgjithësi dhe komunitetet joshumicë në veçanti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Faleminderit Elizabeth,

E nderuar zëvendëskryeministre për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, znj. Emilija Redzepi,

I nderuar ministër për Komunitete dhe Kthim, z. Nenad Rashiq,

Të nderuar zyrtarë komunalë për komunitete dhe kthim,

Të nderuar përfaqësues nga Inspektorati i Policisë,

Të nderuar anëtarë të ekipit për fushatën informuese për liberalizimin e vizave,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Thomas Jefferson, një nga etërit themelues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidenti i tretë i ShBA-së, pohoi se “qeveria më e mirë është ajo e cila është më afër popullit”. Për të qenë sa më afër popullit, na duhen struktura dhe individë të angazhuar në nivel lokal. Andaj, u jemi mirënjohës që ju kemi si zyrtarë komunalë për komunitete dhe kthim, afër qytetarëve në komunat tona.

Për këtë ne e kemi organizuar këtë takim, si hera e pestë ku të gjithë zyrtarët komunalë për komunitete dhe kthim mund të mblidhen, për të ndarë shqetësimet kryesore, mundësitë për bashkëpunim, si dhe të arriturat kryesore për qytetarët tanë nga komunitetet joshumicë.

Ne kemi vazhduar të rrisim mbështetjen për të gjithë qytetarët. Kemi ndarë tre milionë euro në buxhetin e rezervuar për komunitetet joshumicë; si përmes OJQ-ve ashtu edhe përmes granteve direkte për bujqit, bizneset e vogla dhe startup-et. Besoj se ministri Rashiq do t’u japë më shumë informacione për këtë dhe arritjet e tjera të ministrisë së tij, për qytetarët tanë të cilët kanë përfituar nga shtëpitë e ndërtuara, pajisjet për shtëpi si dhe pakot higjienike e ushqimore.

Ne jemi angazhuar për komunitetet edhe përmes qeverisjes lokale. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka ndarë një milion euro për projekte infrastrukturore, veçanërisht për komunitetet, dhe është duke punuar në projektet e rrugëve, trotuareve dhe ndriçimit në Deçan, Ferizaj, Novobërdë, Pejë dhe Prizren.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës gjithashtu i ka identifikuar 29 projekte, nëntë prej të cilave janë për rrugët ku jetojnë komunitetet joshumicë. Ishte kënaqësi që isha në komunën e Dragashit gjatë verës sivjet për të vizituar punimet në projektin prej tetë milionë eurosh që i lidhë fshatrat ku jetojnë komunitetet.

Kemi parë edhe zhvillime të tjera pozitive në nivel komunash, sikurse:

• para një viti, njohja e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar në Prizren, ashtu siç është edhe në Graçanicë;

• tani komuna veriore e Mitrovicës iu bashkua Asociacionit të Komunave të Kosovës, ndërkaq Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani kanë votuar që t’i bashkohen po ashtu;

• kemi siguruar bashkëpunim të mirë me komunat e Ranillugut, Graçanicës dhe Mitrovicës së Veriut në procesin e verifikimit të diplomave të lëshuara nga Universiteti në Mitrovicën e Veriut. Me këto diploma të verifikuara, qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë studiuar në atë universitet, kanë mundësi që të punësohen në institucionet e Kosovës dhe që nga muaji mars për këtë mundësi kanë aplikuar 76 persona.

Për bashkëpunim ndërmjet komunave për të mirën e komuniteteve, kemi si shembull linjën e re të autobusëve nga Prishtina në Kishnicën e Graçanicës, linjë e cila u hap dje. Kjo linjë u mundëson studentëve dhe punëtorëve të udhëtojnë me një biletë, dhe ofron rrugë të hapura si për komunikacion ashtu edhe për komunikim mes qytetarëve të komunave dhe komuniteteve të ndryshme.

Për të qenë sa më afër qytetarëve, prioritet u kemi dhënë edhe vizitave në terren. Ishte kënaqësi për mua që javën e kaluar isha në qendrën ditore të mbështetur nga komuna e Prishtinës për fëmijët në situatë rruge, kryesisht nga komunitetet, ku edhe Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Arsimit, Teknologjisë, Shkencës dhe Inovacionit kanë dhënë grante për këtë vit. E di që këshilltarja ime për komunitete Elizabeth Gowing, ju ka vizituar në zyrat tuaja – ka vetëm disa komuna ku ajo ende nuk ka pasur takime. Prej këtyre vizitave po bëjmë ura lidhëse edhe me partnerët ndërkombëtarë që kanë shprehur interesim për të investuar në arsim, apo për mundësi për edukim profesional të komuniteteve në nivel komunal. Urë lidhëse tjetër është buletini që dërgohet dy herë në muaj në gjuhën shqipe, serbe, turke dhe rome, ku nga Zyra e Kryeministrit ndahen mundësitë për grante, punësim, trajnime dhe të tjera nga qeveria por edhe partnerët ndërkombëtar, që janë me interes për komunitetet.

Një nga mundësitë – si dhe obligimet – që ofrohet tani është regjistrimi i popullsisë i cili planifikohet të fillojë më 1 nëntor. Kjo është një mundësi, por edhe obligim i rëndësishëm, për të pasqyruar komunitetet e Kosovës ashtu siç ata duhet. Ne kemi hapur 498 vende pune të rezervuara për komunitetet si regjistrues dhe mbikëqyrës. Po ashtu kemi ndarë më shumë se 100 mijë euro për grante për OJQ-të e komuniteteve për të bërë shtrirje për ndërgjegjësimin e komuniteteve. Kjo thirrje është e hapur për aplikime deri të hënën. Çdo shtëpi, çdo banesë, çdo familje, çdo biznes ka të drejtë të regjistrohet me përkatësinë e vet etnike. Për këtë arsye, për herë të parë kemi siguruar që çdo person që i përgjigjet pyetjeve të regjistrimit ka të drejtë që regjistruesi të jetë nga komuniteti i tij apo i saj. Për shpërndarjen e këtij informacioni, ne kemi nevojë që ju të informoni bashkëqytetarët në komunat tuaja, se përse është e rëndësishme të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë. Me informacionet që do të mblidhen nga regjistrimit, ne do të kemi mundësi si shtet të planifikojmë siç duhet për nevojat reale të popullatës sonë. Të dijmë se sa shkolla na duhen, sa kilometra rrugë, e ku të investojmë në ekonomi.

Siç thashë, kam ardhur këtu për të dëgjuar nga ju. Andaj, jemi këtu për të ndjekur këshillat e Thomas Jefferson, për t’u angazhuar bashkërisht që qeveria të jetë sa më afër popullit. U falënderoj për komentet dhe sugjerimet tuaja edhe në të kaluarën, edhe ato në vijim, për të arritur këtë qëllim të përbashkët, për të qenë ne qeveria më e mirë e mundshme.

 

Ju faleminderit.

Last modified: 3 Tetor, 2023

Comments are closed.