Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit Kurti në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, ku po shqyrtohet kandidatura e vendit tonë për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030

8 Shtator, 2023

I nderuari President Tizzano,

Të nderuar anëtarë të Komitetit Ndërkombetar të Lojërave Mesdhetare,

Zonja dhe zotërinj,

Së pari, do të dëshiroja t’u shprehja ngushëllimet e mia të pëzemërta Qeverisë së Greqisë dhe familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre prej përmbytjeve shkatërruese këtu. Mendimet tona janë me ta, në këtë kohë të vështirë.

Është kënaqësia ime e madhe të jem këtu sot mes të gjithë juve, në ishullin e bukur dhe të vjetër të Kretës, në këtë ishull të perëndive dhe njerëzve të mëdhenj, nga Zeus deri te Kazantzakis. Të gjithë ndihemi të vegjël dhe duhet të bëjmë gjëra të mëdha.

Jam sot këtu me tre ministra të Qeverisë sime dhe kryetarin e Komunës së kryeqytetit tonë të gjallë, Prishtina.

Jemi vërtet të nderuar të përfaqësojmë aspiratat e vendit tonë dhe qytetarëve tanë për të mbajtur Lojërat Mesdhetare 2030, një ngjarje sportive që mbart një domethënie të pamasë historike, kulturore dhe gjeografike.

Ideja për të mbajtur Lojërat Mesdhetare në vendin tim të dashur, nuk është vetëm një garë, por një pasqyrë e përkushtimit të shoqërisë sonë ndaj promovimit të paqes, nderimit të së kaluarës dhe kultivimit të një rrugëtimi të rritjes së vazhdueshme dhe përparimit drejt së ardhmes.

Nuk ka imazh më të fortë të qytetit të Prishtinës dhe të gjithë Kosovës, sesa rinia e saj e talentuar dhe pafundësisht kreative dhe vendosmëria e saj e palëkundur për sukses. Ajo çka vërtet e dallon Kosovën, është popullata e saj me 40% të banorëve të saj nën moshën 25 dhe, gjë që është mbresëlënëse, 2/3 prej tyre nën moshën 35.

Kosova është vend i sportit. Sporti është në ADN-në tonë. Arritjet e shquara sportive dhe përkushtimi i sportistëve tanë ndaj përsosmërisë, e ka vendosur vendin në skenën botërore si një forcë për t’u përballuar.

Në rang botëror, në listën e vendeve me më pak se 2 milionë banorë, Kosova renditet e para kur krahasohet numri i medaljeve të fituara te Lojërat Olimpike me popullsinë e secilit vend përkatës.

Ky është një fakt, me pjesëmarrje në vetëm dy Lojëra Olimpike.

Sporti është një ndër prioritetet e para në agjendën e shtetit tonë.

Besoj fuqishëm se bashkimi i arsimit me sportin, dhe ndërlidhja e sportit me shëndetin, përbën formulën fituese për rritjen dhe mbajtjen e mirëqenies së shoqërive tona.

Të nderuar anëtarë, kjo është arsyeja pse jemi sot këtu, për ta paraqitur këtë propozim për mbajtjen e Lojërave Mesdhetare, Prishtina 2030.

Vizioni ynë për Lojërat në Kosovë zgjat shumë përtej garave sportive. Jemi të bashkuar në krijimin e një përvoje transformuese për sportistët, shikuesit dhe të gjithë mysafirët njësoj.

Zotohemi se do të investojmë në objektet dhe pajisjet më të avancuara, duke siguruar standardet më të larta të akomodimit dhe mikpritjes. Mund ta dini se mikpritja në Kosovë nuk është vetëm një gjest, është një mënyrë jetese që vjen prej kulturës sonë. Siç thotë një fjalë e urtë e vjetër shqiptare, “Shtëpia i takon Zotit dhe mysafirit”.

Përveç privilegjit të të shërbyerit si Nikoqir, e kuptoj se ky rol vjen me përgjegjësi të mëdha dhe kërkon bashkëpunim të fortë me shumë partnerë, si në nivel vendi, ashtu edhe në nivelin ndërkombëtar.

Mirëpo, më lejoni që të them se secili prej nesh që ka marrë përsipër zotime për këtë propozim, është plotësisht i përgatitur për t’i kryer menjëherë.

Me kandidaturën tonë, po paraqesim një koncept të ri për vetë Lojërat, duke dëshmuar efikasitetin e qasjes së partneritetit në mbajtjen e Lojërave. Qasja jonë dinamike dhe e integruar me Shqipërinë, do të shfaqë një model të ri që mund të përsëritet në ngjarje të ardhshme.

Bashkë me Komitetin Olimpik të Kosovës, në bashkëpunim me Shqipërinë, do të punojmë me devotshmëri nga tri kontinentet e Pellgut Mesdhetar.

Ju premtoj se Republika e Kosovës do të jetë partneri juaj më i përkushtuar në këtë rrugëtim të organizimit dhe prodhimit të Lojërave Mesdhetare të suksesshme.

Në fund, në emër të qytetarëve dhe sportistëve tanë, dua t’u shpreh mirënjohjen tonë Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare dhe Lëvizjes Olimpike në tërësi, për përpjekjet e tyre të vazhdueshme në ndërtimin e një bote më paqësore dhe një shoqëri më të shëndetshme dhe të bashkuar.

Falemnderit shumë!

Last modified: 8 Shtator, 2023

Comments are closed.