Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Kjo skemë që po lansojmë sot, nuk do të jetë e fundit. Me këtë sot, e ato që do t’i prezantojmë në javët në vijim, do të mbështesim edhe 20 mijë familje, e do të rrisim edhe më tej efiçiencën e energjisë në vendin tonë

18 Gusht, 2023

 

Prishtinë, 18 gusht 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë ditën e sotme në lansimin e thirrjes publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë, në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe sistemin diellor për ngrohjen e ujit sanitar, organizuar nga Ministria e Ekonomisë.

Duke qenë se sektori i energjisë është kyç për qeverinë tonë, kryeministri Kurti para të pranishmëve ka përsëritur se fokus nuk është vetëm rritja e kapaciteteve prodhuese, por edhe rritja e efiçiencës së energjisë.

Kësisoj, kjo ka paraprirë edhe lansimin e masës së tretë me radhë që është subvencionimi i pajisjeve shtëpiake për familje me fokus në përkrahjen e qytetarëve në mbështetje të asistencës sociale dhe të prindërve vetëushqyes.

“Në prill të këtij viti është lansuar masa e investimit në Efiçiencë të Energjisë për ndërtesat e banimit social e cila zbatohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. Një javë më parë është lansuar thirrja e dytë e Fondit për subvencionim të qytetarëve për investimet e tyre në efiçiencë të energjisë për shtëpitë e tyre. Kjo thirrje është ende e hapur dhe synon t’i përkrahë rreth 2.000 familje,” tha kryeministri Kurti.

Ai shtoi se jetësimin e këtyre nismave e kemi bërë edhe falë mbështetjës së miqve e partnerëve tanë të cilët kanë ndarë 75 milionë euro për Republikën e Kosovës në përballje me pasojat e krizës energjetike evropiane.

Në kuadër të skemës së parë për subvencionim të pajisjeve efiçiente për familje të vendit, janë mbështetur mbi 9.000 familje duke subvencionuar blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje gjatë muajve të dimrit. Mbi 120 milionë euro janë ndarë për subvencionim direkt të faturave të energjisë elektrike për 208 mijë familje kursimtare, dhe njëkohësisht tarifat e reja për secilën familje dhe biznes në vend që nga shkurti i vitit 2022. Poashtu, me rreth 9 milionë euro kemi renovuar e bërë efiçiente 70 ndërtesa publike: shkolla, çerdhe të fëmijëve, qendra shëndetësore e stacione të zjarrfikësve.

“Kjo skemë që po lansojmë sot, nuk do të jetë e fundit. Me këtë sot, e ato që do t’i prezantojmë në javët në vijim, do të mbështesim edhe 20 mijë familje, e do të rrisim edhe më tej efiçiencën e energjisë në vendin tonë.” tha kryeministri Kurti.

Më poshtë, fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara Ministre Rizvanolli,
I nderuari deputet Hyseni,
I nderuari Z. Biancardi, përfaqësues i Zyrës së BE-së,
Të nderuara medie, të dashur qytetarë,
Zonja dhe zotërinj,

Se sektori i energjisë është kyç për qeverinë tonë e kemi dëshmuar duke filluar e fituar disa ndër projektet më të mëdha e më inovative që i kemi pasur në vend. Këtu padyshim bën pjesë edhe skema e parë konkurruese për ndërtimin e kapaciteteve prodhuese, ndërtimin e kapaciteteve akumuluese të energjisë, ngrohje qendrore diellore, e investim në rehabilitim të kapaciteteve tona ekzistuese, ndër të tjera.

Në vendin tonë, intensiteti energjetik është rreth tre herë më i lartë sesa në krahasim me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo nënkupton se për të prodhuar një njësi të Bruto Produktit Vendor (GDP-së), ne shpenzojmë tre herë më shumë energji. Ky numër duhet të ulet dukshëm.

Andaj, fokusi ynë nuk është vetëm rritja e kapaciteteve prodhuese. Ne paralelisht jemi duke bërë punë edhe në rritje të efiçiencës së energjisë. E kjo nuk është veç ulje e konsumit. Efiçienca e energjisë përveçse ndikon në uljen e kostove financiare për familjet dhe ekonominë tonë, ajo gjithashtu ndikon në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë dhe uljen e importit të energjisë elektrike. Pra: mjedis më të shëndetshëm për të gjithë, dhe kursim të buxhetit të shtetit, që është i të gjithëve.

Këtë qëllim e ndajmë me miqtë e partnerët tanë të cilët kanë ndarë 75 milionë euro për Republikën e Kosovës në përballje me pasojat e krizës energjetike evropiane. Kjo pako ka vlerën më të lartë për kokë banori në rajon. Gjatë vizitës së saj të fundit, në tetor të vitit të kaluar, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka bërë publike këtë mbështetje e falë kësaj mbështetje, gjatë këtij viti kemi filluar që t’i jetësojmë synimet tona të përbashkëta.

Që atëherë, në prill të këtij viti është lansuar masa e investimit në Efiçiencë të Energjisë për ndërtesat e banimit social e cila zbatohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. Një javë më parë është lansuar thirrja e dytë e Fondit për subvencionim të qytetarëve për investimet e tyre në efiçiencë të energjisë për shtëpitë e tyre. Kjo thirrje është ende e hapur dhe synon t’i përkrahë rreth 2.000 familje.

Ndërkaq, sot po lansojmë masën e tretë me radhë – subvencionimin e pajisjeve shtëpiake për familje me fokus në përkrahjen e qytetarëve në mbështetje të asistencës sociale dhe të prindërve vetëushqyes.

Këto masa vijnë si vazhdimësi e punës që kemi bërë si Qeveri për të rritur investimet në efiçiencë të energjisë krahas punës që kemi bërë për vendosje të objektivave ambicioze në Strategjinë tonë të Energjisë.

Vitin e kaluar Ministria e Ekonomisë ka ndërtuar suksesshëm skemën e parë të institucioneve publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për familje të vendit. Përmes masave tona kemi mbështetur mbi 9.000 familje duke ua subvencionuar blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje gjatë muajve të dimrit. Kësisoj, kemi mbështetur në veçanti përfituesit e asistencës sociale, si dhe për herë të parë në vendin tonë, u kemi dhënë mbështetje të veçantë nënave vetëushqyese. Skema e subvencionimit të pajisjeve efiçiente ka rezultuar aq e suksesshme saqë kemi arritur që ta trefishojmë buxhetin për këtë vit.

Për më tepër, për të nxitur kursimin e energjisë e për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, me mbi 120 milionë eurot e ndara kemi subvencionuar direkt faturat e energjisë elektrike për 208 mijë familje kursimtare dhe njëkohësisht kemi subvencionuar tarifat e reja për secilën familje dhe biznes në vend që nga shkurti i vitit 2022.

Me rreth 9 milionë euro, kemi renovuar e bërë efiçiente 70 ndërtesa publike: shkolla, çerdhe të fëmijëve, qendra shëndetësore e stacione të zjarrfikësve. Duke ua rritur kështu komforin e duke e ulur konsumin e energjisë.

Kjo skemë që po lansojmë sot, nuk do të jetë e fundit. Me këtë sot, e ato që do t’i prezantojmë në javët në vijim, do të mbështesim edhe 20 mijë familje, e do të rrisim edhe më tej efiçiencën e energjisë në vendin tonë.

I jam mirënjohës Ministrisë së Ekonomisë dhe ministres Rizvanolli që në mënyrë kaq metodike po e formësojnë sigurinë tonë energjetike.

Ju faleminderit.

 

Last modified: 18 Gusht, 2023

Comments are closed.