Zyra e Kryeministrit

Inaugurohet Parku dhe këndi i lojërave në Davidoc, Komuna e Shtimes

2 Korrik, 2023

Davidoc, Shtime, 2 korrik 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Inaugurimin e Parkut dhe këndit të lojërave në fshatin Davidoc të Komunës së Shtimes, i cili është bashkëfinancim i Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komunës së Shtimes, në vlerë prej 144 mijë euro me një sipërfaqe prej 1 hektari.

Pasi shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë ngjarje, kryeministri Kurti tha se në fund të vitit të kaluar bashkë me kryetarin Aliu, kanë inauguruar edhe parkun tjetër në fshatin Gjyrkoc, i cili tashmë është bërë pjesë e komunitetit të fshatit dhe pikëtakim për fëmijët.

“Urojmë që edhe ky park të kthehet në një vend ku shumë fëmijë dhe grupmosha të ndryshme do të kalojnë kohën e lirë dhe do të përjetojnë momente së bashku. Është pikërisht ky roli i Komunës edhe i Shtetit, që të krijojë hapësira publike për qytetarët e saj, sepse janë këto hapësira publike ato të cilat e inkurajojnë që të kemi një lidhje të fortë të individit me vendin e tij, por edhe me qytetarët e tjerë të cilët i ndajnë këto hapësira”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij.

Me këtë rast, kryeministri tha se shumë shpejtë do të kemi inaugurime të reja në këtë pjesë, sepse pritet të fillojnë dy projekte të rëndësishme, Rehabilitimi i Rrugës Rajonale Transiti me 1.7 milion, si dhe rehabilitimi i Rrugës rajonale Shtime – Lipjan, me vlerë 1.5 milion euro. Që do të sigurojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave në këtë komunë.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Sot, siç e dinë të gjithë ata të cilët janë më të moshuar nga përvoja e tyre dhe ata të cilët janë më të rinj nga ajo çfarë kanë dëgjuar e lexuar, ne e kremtojmë 33-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990. Dhe të gjitha vendimet e mëdha politike merren për të tashmen dhe për të ardhmen. E tashmja dhe e ardhmja janë fëmijët, andaj ku ka më mirë sesa në Shtime të kremtohet 33-vjetori i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, pikërisht me këtë park për fëmijët, ku ata do të mund të kalojnë qaste të këndshme me njëri-tjetrin.

I nderuari Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu,
I nderuari, Shef i Grupit Parlamentar të SPD-së në Kuvendin e Qarkut Unna, Hartmut Ganzke,
I nderuari Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Shkëlqesia juaj Joern Rohde,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,

Kam kënaqësinë që të jem sot këtu me ju, për inaugurimin e Parkut në Davidoc të Shtimes. Në fund të vitit të kaluar bashkë me Kryetarin Aliu, e kemi inauguruar parkun në Fshatin Gjyrkoc, vetëm 4 kilometra larg këtij vendi ku jemi mbledhur sot. Ai park tashmë është bërë pjesë e komunitetit të fshatit dhe pikëtakim për fëmijët të cilët po e frekuentojnë këndin e lodrave, pa dallim. Pra, janë edhe shqiptarët, edhe ashkalinjt dhe të tjerët fëmijë, të cilët lozin së bashku në këtë park.

Urojmë që edhe ky park të kthehet në një vend ku shumë fëmijë dhe grupmosha të ndryshme do të kalojnë kohën e lirë dhe do të përjetojnë momente së bashku. Është pikërisht ky roli i Komunës edhe i Shtetit, që të krijojë hapësira publike për qytetarët e saj, sepse janë këto hapësira publike ato të cilat e inkurajojnë që të kemi një lidhje të fortë të individit me vendin e tij, por edhe me qytetarët e tjerë të cilët i ndajnë këto hapësira. E kryetari Qemajl Aliu shihet se është i përkushtuar që ta gjelbërojë komunën, e që qytetarët të kenë hapësira publike sa më shumë, e për këtë natyrisht që gjithnjë do ta ketë mbështetjen tonë.

Ky park e ka vlerën prej 144 mijë euro, ka një sipërfaqe prej 1 hektari, dhe është bashkëfinancim i qeverisë, më saktësisht Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ndërkaq, përveç kësaj shumë shpejtë do të kemi inaugurime të reja në këtë pjesë, sepse pritet të fillojnë dy projekte të rëndësishme, Rehabilitimi i Rrugës Rajonale Tranziti me 1.7 milion euro, si dhe rehabilitimi i Rrugës rajonale Shtime – Lipjan, me vlerë 1.5 milion euro. E këto do të sigurojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave në këtë komunë.

Ju faleminderit, urime e mirupafshim!

Last modified: 3 Korrik, 2023

Comments are closed.