Prishtinë, 19 maj 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić dhe zëvendësministrin e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Enes Goran, sot është takuar me pjesëtarë të komunitetit jo shumicë goran. Pjesëmarrja përfshinte shoqërinë civile, punonjësit në institucione, dhe përfaqësimin politik nga niveli lokal.
Në takim, Kryeministri Kurti i përditësoi me veprimet e qeverisë për komunitetin goran nga takimi i fundit që kishin në tetor. Këtu përfshihet pakoja mbështetëse prej 3 milionë euro për komunitetet jo shumicë, për OJQ-të, bizneset e reja dhe ekzistuese, dhe për fermerët dhe prodhuesit e vegjël në zonat rurale. U fol edhe për programin e Zyrës për Çështje të Komuniteteve, për ndarjen e 500 mijë eurove për OJQ-të dhe mediat, me mjete të rezervuara për secilin komunitet; dhe për përfituesit goran nga thirrja e fundit e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim për ndërtimin e shtëpive. Kryeministri përmendi punën e Qeverisë me Komisionin për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut dhe iniciativën për krijimin e Njësisë për Përkthim dhe Harmonizim në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Të pranishmit kanë ndarë brengat e tyre për sa i përket punësimit të komunitetit në institucione, ndërsa kryeministri ka ndarë me ta planet për adresimin dhe trajtimin kësaj çështjeje.
Last modified: 19 Maj, 2023